E Shtunë, 31 Tetor 2026

Finlanda lëviz kah e djathta

Nga Express më 18 prill 2011 në ora 12:50

Në zgjedhjet parlamentare në Finlandë është shënuar një zhvendosje serioze politike në të djathtë. Partia Konservatore Kombëtare, e ministrit të Financave Jyrki Katainen, me mbi 20 për qind të votave ka fituar më së shumti mandate.

39 vjeçari do të ketë të drejtën e krijimit të kabinetit të ri qeveritar, por fituesi më i madh i zgjedhjeve të djeshme parlamentare është partia nacionaliste "Finlandezët e Vërtetë".

Kjo parti ka pesëfishuar votat, duke fituar rreth 19 për qind të votave. Shefi i saj, Timo Soini, tha në një deklaratë për media se është shumë i lumtur dhe shpreson se ata do të jenë pjesë e qeverisë.

"Ju dhe të gjithë të tjerët duhet të respektoni vullnetin e popullit të Finlandës. Partia jonë nuk është parti e krahut të djathtë, por një parti mes socialdemokratëve dhe Partisë së Qendrës, prandaj nuk duhet të jeni të brengosur me atë që ka ndodhur në Finlandë", tha Soini.

Kjo parti është kundër ndihmave financiare për vendet e BE-së të zhytura në borxhe, si Greqia, Irlanda apo Portugalia, kundër paktit të stabilitetit të BE-së dhe kërkon daljen e Finlandës nga zona e euros.

Gjithashtu kundërshton edhe martesat e gjinisë së njëjtë dhe paralajmëron ligje më të rrepta kundër abortit.

Humbësi më i madh i zgjedhjeve është Partia e Qendrës, e kryeministres Mari Kiviniemi, me rreth 16 për qind të votave.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›