SHBA ka mbështetur opozitën në Siri
Departamenti amerikan i shtetit në mënyrë sekrete i kishte financuar kundërshtarët e presidentit të Sirisë, Bashar Assad, thuhet në porositë diplomatike të dërguara nga WikiLeaks-i në të përditshmen amerikane, Washington Post.
Gazeta shkruan se porositë tregojnë se Departamenti amerikan i shtetit ka dërguar më se 6 milionë dollarë amerikanë, prej vitit 2006, te një grup sirian në mërgim, për ta udhëhequr kanalin satelitor Barada TV, me seli në Londër dhe për grupet e tjera opozitare brenda Sirisë.
Washington Posti shkruan se është e paqartë nëse Shtetet e Bashkuara ende po i financojnë kundërshtarët e Assadit, por dokumentet e WikiLeaksit, tregojnë se financimi ishte lënë mënjanë, së paku gjatë shtatorit të vitit 2010.
Washington Post thotë se Departamenti amerikan i shtetit ka refuzuar ta komentoj autenticitetin e porosive ose të përgjigjet lidhur me financimin e Televizionit Barada.
Për më tepër se një muaj, Siria është përfshirë nga protestat kundër regjimit autoritar të Bashar Assadit.
Për të zbutur pakënaqësinë e popullatës, Assad ka ndërruar kryeministrin e vendit, ka premtuar reforma dhe ka paralajmëruar edhe heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme në vendin e tij.