Partitë shqiptare anashkalojnë shqiptarët pa nënshtetësi
Problemi i mungesës së shtetësisë për mijëra shqiptarë në Maqedoni deri tani nuk është përfshirë në agjendën dhe programin e asnjë partie shqiptare, në prag të zgjedhjeve të 5 qershorit.
Janë shifra të ndryshme që qarkullojnë lidhur me këtë problem, ndërsa jo-zyrtarisht burime partiake bëjnë të ditur se mbi 50 mijë shqiptarë vazhdojnë ende të përballen me mospasjen e nënshtetësisë së Maqedonisë.
Partitë politike theksojnë se janë në përfundim e sipër të programeve zgjedhore, ku nuk saktësojnë zgjidhjen e kësaj problematike.
Ligji për regjistrimin e popullsisë nuk ka të definuar këtë kategori të qytetarëve, të cilët në fjalorin juridik ndërkombëtar njihen si “apatrid” apo qytetarë pa shtetësi.
Plotësimi dhe ndryshimet e Ligjit për nënshtetësinë, të bëra gjatë vitit 2004, sërish lanë pa zgjidhur të drejtën e shtetësisë për shumë shqiptarë.
Me problemin e shtetësisë ballafaqohen shqiptarët të cilët janë të lindur në Maqedoni dhe jetojnë me dekada të tëra, të cilët edhe përkundër vendqëndrimit të dëshmuar dhe pronësisë e pasurisë në vendin e lindjes, megjithatë refuzohen nga Ministria e Brendshme.
E drejta e shtetësisë nuk u njihet edhe shumë emigrantëve shqiptarë të cilët pas periudhës së shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe në fillimet e pavarësimit të Maqedonisë janë gjetur jashtë vendit.