Operacioni “Gun Expert” – Arrestohet 46-vjeçari që furnizonte grupet kriminale me armë zjarri në Tiranë

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Gun Expert”, duke vënë në pranga një 46-vjeçar i cili përdorte taksinë e tij për të shmangur kontrollet policore dhe furnizonte grupe kriminale me armë zjarri.
Në kuadër të hetimeve të ndjekura me metoda speciale nga Komisariati i Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin e Trafiqeve të DVP Tiranë, dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, u arrestua në flagrancë shtetasi A. C., 46 vjeç, banues në Tiranë, i cili ishte i implikuar edhe më parë në të njëjtin aktivitet kriminal.
Gjatë kontrollit të ushtruar në Rrugën e Dibrës, ku i arrestuari po drejtonte automjetin e tij tip taksi, si dhe gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi:
4 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, lëndë narkotike kokainë, pjesë të ndryshme armësh, si dhe automjetin që përdorej për transport.
Nga hetimet dyshohet se armët do t’u shiteshin grupeve kriminale. Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
/rtsh.al/