E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni “Tabakane”, dy në pranga për heroinë e kokainë

Në shtëpinë e 44-vjeçarit Eduart Muzhiqi, policia ka zbuluar dhe qindra copë fishekë të armëve të ndryshme. Ndërkohë po hetohen se cilët kanë qenë personat që e kanë furnizuar 44-vjeçarin

ELBASAN Në një operacion të organizuar nga policia e Elbasanit është bërë e mundur kapja e afro gjysmë kilogram heroinë dhe kokainë, ndërsa dy persona kanë rënë në pranga. Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan si dhe me Departamentin Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda organizuan gjatë orëve të natës së kaluar operacionin e koduar “Tabakane”. Nga ky operacion është bërë arrestimi i dy personave si posedues të lëndëve narkotike të dyshuara si heroinë dhe kokainë. Në prangat e policisë kanë rënë Eduart Muzhaqi, 44 vjeç, banues në lagjen “Beqir Dardha” Elbasan, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale 300 gr lëndë narkotike e dyshuar si kokainë. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar mjeti tip Golf me targë EL 1025 C, 120 copë fishekë pistolete,65 copë fishekë automatiku, 2 krehra me fishekë automatiku, 2 krehra me fishekë pistolete, 4 krehra me fishekë arme zjarri pushke, 3 telefona celularë. Në të njëjtën kohë në qytetin e Gramshit u arrestua Retion Driza, 25 vjeç, me banim në këtë qytet, pasi gjatë kontrollit personal të ushtruar këtij shtetasi iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale 50 gr lëndë narkotike e dyshuar si heroinë. Ndaj personave të mësipërm është ngritur akuza e “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotikëve, si dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe të municionit”.

Hetimi

Agjentët antidrogë kishin kohë që survejonin veprimtarinë e 44-vjeçarit. Një tentativë e mëparshme për ta kapur atë me lëndë narkotike kishte dështuar. Por dje operacioni është mirëorganizuar me pjesëmarrjen e forcave nga Tirana. Burime në vendngjarje treguan se agjentët ishin veshur civilë dhe udhëtonin me makina të zakonshme transporti, të cilat kanë rrethuar banesën e më pas kanë hyrë në befasi në shtëpi, duke paralizuar çdo veprim të autorit. Këto forca janë mbështetur nga shërbimet e drejtorisë së policisë së Elbasanit. Gjatë kontrollit të banesës janë gjetur edhe municione të cilat rëndojnë pozicionin e Eduart Muzhaqit në këtë vepër.

Seksioni i luftës kundër drogës në Elbasan ka qenë më i suksesshmi i sektorëve të drejtorisë së policisë së këtij qarku, duke realizuar gjatë këtij viti rreth 30 të tilla dhe duke kapur 55 persona, të cilët përballen me akuzën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. Strategjia e drejtorisë së policisë së këtij qarku ka qenë goditja e shpërndarësve të drogës për të krijuar më shumë besim në komunitet, veçanërisht në prindër të cilët dërgojnë fëmijët në shkollë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›