Shtyhet sërish gjyqi për babanë tutor
Korçë Zvarritja e proceseve gjyqësore po kthehet në një fenomen edhe në gjykatën e Korçës. Një nga çështjet më delikate të shfrytëzimit seksual të dy motrave të mitura nga babai i tyre ka qenë për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë në Korçë, proces i cili është shtyrë për të disatën herë. Babai mostër, shtetasi Pëllumb Mullaj, i cili akuzohet se ka shfrytëzuar për prostitucion pedofilie 2 bijat e tij të mitura, ka mbërritur në gjykatë për vetëm pak minuta, duke u rikthyer sërish në vendin e vuajtjes së dënimit në burgun e Drenovës. Kështu 51-vjeçari Pëllumb Mullaj dhe katër personat e tjerë që akuzohen për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me të bijat e mitura të këtij të fundit, 8 dhe 10 vjeç, kundrejt pagesës që kryenin te babai tutor, janë në gjendje arresti, teksa janë përballur gjatë të mërkurës sërish me togat e zeza, në një seancë gjyqësore ku procesi është projektuar të zhvillohej si dhe herë të tjera me dyer të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së çështjes delikate. Avokatët mbrojtës të dy të pandehurve të moshuar, të caktuar kryesisht nga gjykata, kërkuan shtyrjen e seancës nën pretendimin se ende nuk janë njohur me dosjet ndaj klientëve të tyre. Gjykata pranoi kërkesën dhe caktoi seancën e radhës, e cila do të mbahet në datën 11 tetor. Skandali me dy vogëlushet e mitura u bë publik më 18 prill të këtij viti, pasi u zbulua se babai shfrytëzonte 2 vajzat e tij të mitura vetëm 8 dhe 10 vjeç në atë kohë, për një periudhë 2-vjeçare nga viti 2004 deri 2006, kundrejt pagesës në klientë, që tashmë janë vënë nën akuzë. Denoncimi i vetë vajzave çoi në zbulimin e skandalit seksual, ndërsa aktualisht dy vajzat vijojnë të strehohen në një qendër rehabilitimi, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike. Ndërkaq çështja është duke u sorollatur në gjykatë, dhe duke mos marrë rrugën e zgjidhjes pas shtyrjes së njëpasnjëshme të seancave gjyqësore. Gjykata ka vendosur që më 11 tetor të zhvillohet seanca e radhës. Irena Vreto