Operacioni Tregtari, arrestohen 6 trafikantë

Hetuesit e trafikimit me qenie njerëzore, gjatë një operacioni policor, kanë arrestuar në Prizren dhe Gjilan gjashtë persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale të trafikimit me qenie njerëzore dhe kanë identifikuar një viktimë të trafikimit, shtetase e Shqipërisë.
Operacioni i koduar me emrin “Tregtari”, është kryer më 4 dhe 5 janar, në rajonin e Gjilanit dhe atë të Prizrenit.
“Hetimet në lidhje me rastin kanë filluar në fund të dhjetorit të kaluar, pasi policia e Kosovës kishte pranuar një informacion nga Shqipëria se viktima e cila ishte raportuar nga familjaret para dy muajve si person i zhdukur në Shqipëri, dyshohej se ajo mund të ndodhej në Kosovë”, ka njoftuar policia, nëpërmes një komunikate shtypi.
Pas hetimeve intensive, hetuesit policorë kanë arritur të zbulojnë disa lokacione ku dyshohej se kishte qëndruar viktima gjatë kësaj kohe.
Në rajonin e Gjilanit është arrestuar i dyshuari i parë, kurse të nesërmen është vazhduar me arrestimin edhe të personave tjerë në rajonin e Prizrenit. Në një lokal nate në Prizren është gjetur dhe identifikuar viktima.
Viktima aktualisht është strehuar dhe ndodhet nën përkujdesje sipas procedurave standarde nacionale për viktimat e trafikimit, thotë policia.
Në zbatimin e operacionit kanë ndihmuar edhe Njësitë Operative Mbështetëse të Rajonit të Prizrenit dhe policët nga Stacioni Policor i Kamenicës.
Personat e arrestuar janë: Enver K. (1964); Visar M. (1985); Izmir I. (1981); Samidin B. (1986); Shipran G. (1985) dhe Diamant B. (1987); të gjithë shtetas të Kosovës.
Me urdhër të Prokurorisë së Qarkut në Prizren, atyre iu është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.