E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reputacioni i Kosovës varet nga zgjedhjet e së dielës

Nga Express më 07 janar 2011 në ora 13:21

Përfaqësuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO) në Kosovë, Pieter Faith, ka bërë thirrje për një proces demokratik me rastin e rivotimeve në Skenderaj, Drenas e Deçan, këtë të diel. Faith ka theksuar se mbajtja e rivotimeve është mënyrë për t’i korrigjuar parregullsitë që kanë ngjarë më 12 dhjetor.

Përmes një komunikate, dy ditë para mbajtjes së rivotimeve, Faith ka theksuar se zhvillimi i këtyre zgjedhjeve do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në reputacionin ndërkombëtar të Kosovës.

Udhëheqësit politikë të Kosovës, sipas Feith, kanë përgjegjësi të veçantë dhe personale për të parandaluar mashtrimet dhe kërcënimet.

“Përfitimi afatshkurtër në llogari të reputacionit ndërkombëtar të Kosovës është i pamatur në veçanti në kohën kur Kosovës i nevojitet përkrahje e mëtejme ndërkombëtare dhe evropiane. Qytetarët e Kosovës me të drejtë orvaten për kushte më të mira jetese”.

Përfaqësuesi më i lartë ndërkombëtar në Kosovë ka theksuar se vendit i duhet një qeveri e re kredibile, e pastër dhe e aftë, si dhe e gatshme për t’u ballafaquar me sfidat e vështira që ndodhen para saj, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare.

“Votimet e 12 dhjetorit të vitit të kaluar janë mbajtur në një atmosferë kryesisht konstruktive. Megjithatë, ka pasur parregullsi. Qytetarët e Kosovës, institucionet e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian, nuk mund t’i pranojnë këto parregullsi. Rivotimet e pjesshme të urdhëruara nga Paneli i Zgjedhjeve për Ankesa dhe Parashtresa është një mënyrë për t’i korrigjuar ato. Kosovës i duhet një Kuvend kredibil dhe një Qeveri kredibile”, thuhet mes të tjerash në deklaratën e Faith.

Bashkësia ndërkombëtare e në veçanti përmes misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve, sipas tij, do të përcjellë se çka do të ndodhë të dielën.

Prandaj, Faith thekson se është e nevojshme që këto zgjedhje t’i përcjellë një atmosferë konstruktive për të cilën kontribuojnë të gjithë aktorët politikë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›