Operacioni anti-Cannabis, pragosen dy vëllezërit
SHKODËR – Një operacion i koduar me emrin “Antena” ka çuar në pranga dy vëllezër, të cilët strehonin në banesat e tyre lëndë narkotike. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se gjatë ditës së djeshme, rreth orës 14.00 janë arrestuar shtetasit; Prelë Nika, 25 vjeç, dhe Ndoc Nika, 23 vjeç, që të dy lindur në fshatin Nicaj të komunës së Shalës dhe banues në fshatin Bradhaj. Sipas tyre, “arrestimi i vëllezërve Nika u bë pasi, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe gjatë kontrollit të ushtruar nga efektivet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit Kundër Krimit të Organizuar, në banesën e tyre në fshatin Bardhaj, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 23.5 kilogram lëndë bimore e thatë, me boçe, e cila dyshohet si lëndë narkotike e llojit Cannabis Sattiva.
Zëdhënësja e Policisë së Qarkut, Fatbardha Çelepia thotë se janë kryer të gjitha veprimet procedurale në ngarkim të shtetasve Prelë dhe Ndoc Nika, të cilat pritet ti kalojnë për hetime të mëtejshme prokurorisë së rrethit.
28 Nentor 2009