E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherri për pronën, fqinji plagos me armë oficerin e Policisë



LEZHË - Plagoset me pistoletë oficeri i Qarkullimit në Komisariatin e Policisë së Laçit, Krenar Molla. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së enjtes, ku komisari është qëlluar me armë zjarri, duke marrë plagë në këmbë. Burimet zyrtare pohojnë se 27-vjeçari ndodhej pranë shtëpisë së tij në momentin që është plagosur dhe menjëherë është transportuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Sipas tyre, është përjashtuar fakti që ngjarja ka të bëjë me detyrën e tij prej oficeri. Po mësohet se oficeri ka pasur grindje me fqinjin e tij për një shtesë në pallatin ku banon oficeri i Policisë. Burimet e uniformave blu bënë të ditur se autori i dyshuar është komshiu, i cili është shpallur në kërkim. Ngjarja hetohet si një grindje e ardhur për shkak të konflikteve të pronësisë mes autorit dhe oficerit.

Kryeprokurorja Rama, takime në Suedi për luftën kundër krimit
STOKHOLM – Bashkëpunimi në luftën kundër krimit dhe trajnimi i prokurorëve shqiptarë ka qenë në qendër të takimeve që kryeprokurorja Ina Rama zhvilloi në Suedi, vend i cili mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme bëjnë të ditur se zonja Rama është pritur nga drejtori i Divizionit për Çështjet e Europës, z. Lart Wahlund. Më pas kryeprokurorja ka zhvilluar një takim me prokurorin e Përgjithshëm të Suedisë, Andres Perklev. Biseda mes dy homologëve është përqendruar në strategjinë për luftën e përbashkët ndaj krimit të organizuar. Gjatë vizitës së saj, Rama ka zhvilluar takime me autoritete të Ministrisë së Drejtësisë së Suedisë, si dhe me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së këtij vendi, Beng Svenson, ku është diskutuar rreth bashkëpunimit në drejtim të investigimit dhe hetimit të krimeve, si dhe për mundësinë e trajnimeve të prokurorëve dhe oficereve të Policisë. Suedia, si vend kryesues i presidencës evropiane, ka kërkuar nga autoritetet shqiptare që të përqendrohen në masat kundër krimit të organizuar, trafiqeve, pastrimit të parave dhe korrupsionit.

28 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›