E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debati për truallin, ministri Olldashi çon në prokurori dosjen “Tajvani”



Qeveria nuk i ka ndalur as për ditë festash sulmet politike ndaj institucionit të Bashkisë së Tiranës dhe kreut të saj Edi Rama. Ministria e Punëve Publike ka bërë dje një kallëzim penal për kryebashkiakun Edi Rama, për shitjen e 1300 metrave truall shtetëror tek parku “Rinia” për shoqërinë private “Tajvan”. Kjo është gjetur si mënyra më e “mirë” për t’iu kundërpërgjigur kryetarit të Bashkisë së Tiranës, njëherësh edhe kryetar i PS-së, Edi Rrama, pas protestave që ky i fundit organizoi me popullin e opozitës për tre ditë resht në qendër të Kryeqytetit. Lajmin e padisë në prokurori, e bëri të ditur vet Ministri i Transportit, Sokol Olldashi, i cili e akuzoi Ramën për shpërdorim të detyrës në kurriz të shtetit dhe qytetarëve. “Sot Ministria ka depozituar pranë Prokurorisë së Tiranës një kallëzim penal. Kryetari i Bashkisë me dijeni të plotë ka ndjekur një praktikë të kundraligjshme për shitjen e një prone”, u shpreh ministri Olldashi. Sipas Olldashit, përgjegjësia është e gjitha individuale e kryetarit të bashkisë së Tiranës. Ai mohoi që kjo kontratë shitjeje të jetë miratuar edhe nga anëtarët demokratë në këshillin bashkiak disa kohë më parë.

Pretendimi

Duke ju referuar ministrit Oldashi në deklaratën e tij të fundit, “kryetari i bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka abuzuar me shitjen e një trualli prej 1310 metra katrorë, në një kohë kur ligji e ndalonte shitje e trojeve shtetërore, pasi do të përdoreshin për kompensimin e ish-pronarëve”. Ai ju referuar edhe një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit për të faktuar abuzimin që kryebashkiaku ka kryer gjatë vitit 2005. “Kjo kontratë është përgjegjësi individuale e kryetarit, pasi anëtarët demokratë kanë qenë kundër saj dhe nuk kanë votuar në këshill” – u shpreh Olldashi. Por më tepër se një pasqyrim faktesh për abuzime ndaj ligjit, pretendimit e ministrit të Transporteve duket më tepër si sulme politike që drejtohen jo ndaj një kryebashkiaku, por ndaj një kreu të Opozitës, i cili kohët e fundit është vënë në qendër të sulmeve të të gjithë qeverisë.

Ndërtuesit

Gjatë konferencës për shtyp ministri Olldashi u ndal edhe në shqetësimin e Shoqatës së Ndërtuesve të cilëve qeveria u ka kompanive një borxh prej 70 milionë eurosh. Ministri Olldashi mohoi të ekzistojë një problem i tillë. Sipas tij vetëm katër ditë më parë drejtoria e rrugëve disbursoi fondin prej 2 miliardë lekësh për shoqëritë e ndërtimit dhe do të vijojë të bëjë një gjë të tillë sa herë të jetë e nevojshme. “Jo me larg se katër apo pesë ditë më parë janë akorduar 2 miliardë lekë të reja për firmat e ndërtimit dhe do të vazhdojmë të paguajmë të gjitha financimet për punimet e kryera në rrugë”,- u shpreh ministri. Olldashi tha se, procedurat e lëvrimit të fondeve kanë nisur rreth një javë më parë, por shoqëritë e ndërtimit jo më larg se dje e akuzuan qeverinë se i detyrohet atyre 70 milionë euro, për rrugë të ndërtuara kryesisht gjatë fushatës elektorale. Sipas tyre këto borxhe i kanë futur kompanitë në vështirësi të mëdha financiare. Sipas shoqatës shumë prej kompanive të ndërtimit janë në vështirësi financiare për shkak të mungesës së korrektësisë nga ana e shtetit.

Ministri Olldashi “përgënjeshtron” vetveten, mohon deklaratën e 6 ditëve më parë

Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, ka rënë në kontradiktë me vetveten ku vetëm 6 ditë pas një deklarate ku i kërkonte kryebashkiakut Rama, vetëm sqarime për projektin e parkut “Rinia”, dje doi përpara medieve duke tundur një dosje që sipas tij do të dërgohet në prokurori. Në deklaratën e para 6 ditëve ministri Olladashi tha se: “MPPTT-ja paraqiti sot para jush dokumentacionin e një dosjeje të abuzimit skandaloz me pushtetin nga ana e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Çuditërisht pas kësaj z Rama u shfaq në trajtën e Armelës për të ndërmarrë një sulm personal ndaj z Olldashi, por pa dhënë asnjë shpjegim për dosjen e korrupsionit të tij . Për t’ia bërë më të lehtë punën zotit Rama, e ftojmë ti përgjigjet këtyre pyetjeve. 1) Përse ka autorizuar shitjen e 1310 m2 tokë shtetërore në Parkun Rinia? 2) A ka qenë në dijeni të faktit se toka që po shitej ishte pronë shteti? 3) Për ç’interesa mafioze ka shkelur ligjin Nr 7980, të vitit 1995, nenin 3 për shitblerjen e tokës, i cili ndalon në mënyrë kategorike tjetërsimin e trojeve publike pa u mbyllur procesi i kompensimit të ish-pronarëve. 4) Përse ka shkelur Kodin Civil i cili nuk e lejonte z Rama të shiste një pronë që nuk ishte e veta pasi trualli, pronë shtetërore, nuk i ishte transferuar Bashkisë në vitin 2005, gjë që do të thotë se Rama nuk kishte asnjë të drejtë mbi të? 5) Mbi ç’baza të cilit akt ligjor u përcaktua çmimi 12 mijë lekë metri në Parkun Rinia? 6) Pse ju vodhën qytetarëve të Tiranës vetëm nga ky operacion i Ramës 2.6 milionë euro vlerë shitje trualli dhe disa dhjetëra milionë euro nëse llogaritet me vlerë ndërtimore? 7) Në ç’mënyrë parashikon z Rama të dëmshpërblejë 2.6 milionë euro ose 3.7 miliardë lekë pronë e qytetarëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë të cilat i ndau me Beso Sulën pasi, sigurisht duhet të përgjigjet për këtë. Sigurisht që do të përgjigjet një ditë”.

28 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›