Vdesin 3 shqiptarë në Itali, aksident automobilistik
PERUXHIA – Tre shqiptarë kanë gjetur vdekjen në një aksident të rëndë që ka ndodhur në Itali. Mediat vendase bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e djeshme në Foligno të Peruxhias. Makina me të cilën udhëtonin shtetasit Agustin Pjetri, 22 vjeç, Marjol Koni, 18 vjeç dhe 44-vjeçari Sadik Kurti ka dalë nga rruga duke përfunduar në kanal. Makina drejtohej nga 18-vjeçari Koni, i cili ka vdekur në vend bashkë me njërin nga bashkatdhetarët e tij. Ndërsa 44-vjeçari Kurti është nisur menjëherë drejt spitalit, por nuk ka mundur të mbijetojë. Policia italiane ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, ndërkohë që kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit të rëndë që u kushtoi jetën 3 emigrantëve shqiptarë.
28 Nentor 2009