E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacioni në Veri, Thaçi: Përfundoi me sukses, i kthehen funksionit pikat doganore 1 dhe 31

16-09-2011 / Gazeta 55

BE: Kosova është në tërësinë e saj një njësi doganore

Kryeministri Hashim Thaçi, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Qeverisë së Kosovës, konfirmoi se plani operacional për rikthimin në funksion të pikave doganore 1 dh 31 në veri të vendit, ka përfunduar me sukses. Thaçi tha se atje janë vendosur doganierët dhe policët kosovarë, përfaqësues të EULEX-it dhe pjesëtarë të KFOR-it. Ndërkaq, për bllokimin e rrugëve nga ana e serbëve, Thaçi theksoi se “kjo nuk është mënyra më e mirë për të ecur përpara”. Kryeministri Thaçi njoftoi kabinetin qeveritar për fillimin e implementimit të planit operacional të Qeverisë për respektimin e marrëveshjes për vulat doganore në pikat kufitare 1 dhe 31. Këto deklarata, kryeministri Thaçi i bëri në takimin e sotëm të jashtëzakonshëm të Qeverisë duke nënvizuar faktin se, aksioni ishte një fillim i suksesshëm për vendosjen e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të vendit. “Ju njoftoj se sot në orët e mëngjesit ka filluar implementimi i planit operacional të Qeverisë së Kosovës për respektimin e marrëveshjes për vulat doganore në 1 dhe 31. Edhe pikat doganore 1 dhe 31 do të funksionojnë si të gjitha pikat tjera kufitare me rregullat e njëjta. Pra, procesi i implementimit të planit ka filluar me sukses në mëngjes. Doganierët dhe Policia e Kosovës bashkë me atë të EULEX-it dhe KFOR-it, tashmë, janë në dy pikat kufitare”, ka thënë Thaçi. Kryeministri Thaçi ftoi Beogradin që të heq dorë nga përpjekjet destabilizuese dhe të pranojë se Kosova është e pavarur, ndërsa serbët e veriut që të bëhen pjesë e institucioneve të Kosovës: “Po ashtu, mesazh për qytetarët në veri, me mesazhin e bashkëpunimit, ofrimit, mirëkuptimit, tolerancës ndëretnike, mesazhin e Qeverisë për bashkëpunim. Ne do të jemi në krye të përgjegjësive për rend dhe ligj, për particim në jetën politike që të ketë zgjedhje të lira, që të ketë edhe atje investime socio-ekonomike. Partneriteti është çelësi i suksesit e jo barrikadat”, ka shtuar Thaçi.
Kreu i ekzekutivit të vendit falënderoi KFOR-in, EULEX-in dhe vendet e Quint-it, për mbështetjen e tyre për planin operacional të Qeverisë së Kosovës për vënien e kontrollit në pikat kufitare 1 dhe 31. Kryeministri, po ashtu, falënderoi Këshillin e Ministrave të Bosnje e Hercegovinës për vendimin për njohjen e vulave doganore të Republikës së Kosovës.

Reagon Bashkimi Evropian: Mbështesim kontrollin e doganave
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, ka thënë në Bruksel se EULEX-i ka filluar ta zbatojë marrëveshjen e arritur në dialogun Prishtinë-Beograd, për vulat doganore. Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton, ka thënë se punët në kalimet në Bërnjak dhe Jarinje i kryejnë doganierët e EULEX-it dhe të Kosovës.
Ajo ka shtuar se marrëveshja për vulat doganore ishte elementi i fundit i cili ka munguar që prapë të vijë në fuqi sistemi i duhur doganor, meqë Kosova që nga viti 2000 është një njësi doganore. “Është ky një hap i rëndësishëm nga i cili të gjitha bashkësitë do të kenë dobi. Jemi të përkushtuar për këtë dhe EULEX këtë e bënë në përputhje të plotë me mandatin e saj”. Në pyetjen se në cilin buxhet do të kalojnë të ardhurat e doganave, Kocijançiç ka thënë se “kjo duhet të verifikohet”.

Hiqet reciprociteti mes Kosovës dhe Serbisë
Në të gjitha pikat kufitare të Kosovës, nga sot lejohet importi i mallrave nga Serbia, e cila shënon fundin e masave reciproke ndaj këtyre produkteve. Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila.
Ajo bëri të ditur se tashmë ka hyrë një kamion nga Serbia në Kosovë, ndërsa ende nuk ka pasur qarkullim nga Kosova në Serbi. “Ne jemi në kontakt me bizneset vendore dhe pritet që sot apo nesër të kalojë kamioni i parë nga Kosova në Serbi, me ç’rast do të shikohet funksionalizimi i marrëveshjes së arritur më 2 shtator në Bruksel”- ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›