Ministria largon nga puna 3000 mësues
zirina llambro
Rreth 3 mijë arsimtarë të sistemit parauniversitar do të lënë vendet e tyre të punës për t’u zëvendësuar me mësues që paguhen në bazë të orëve. Në këtë mënyrë atyre do t’u ndërpriten kontratat e do dalin jashtë skemës së sigurimeve, duke qëndruar në dispozicion. Kjo, edhe pse shumë prej tyre mund të kenë mbi supe deri në 35 vite punë. Gjithçka përcaktohet në udhëzimin e datës 5 shkurt, i firmosur nga ministri Fatos Beja. MASH kësaj here e ka mbajtur të fshehtë vendimin, ndryshe nga zakonisht, kur trumbeton me forcë masat që merr në dobi të arsimit. Ka qenë Federata e Sindikatave të Arsimit, e cila e ka bërë publik, duke e quajtur këtë udhëzim të jashtëligjshëm. Përfaqësuesit e saj kanë kërkuar që ai të pezullohet menjëherë. Ata rreth një javë më parë i kanë dërguar një letër ministrit me pretendimet e tyre, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. “Udhëzimi numër 4 për pagesën e punonjësve mësimorë është shkelje e hapur. Nga ky udhëzim largohen nga puna 3 mijë mësues, të cilët aktualisht janë të punësuar me kontrata”, u shpreh Xhaferr Dobrusha, kreu i Federatës së Sindikatave të Arsimit. Sipas tij, udhëzimi bie ndesh me kontratën kolektive të punës dhe Kodin e Punës. “Kontrata që mësuesit kanë lidhur me Ministrinë e Arsimit ka afat njëvjeçar dhe nuk mund të ndërpritet në mes të vitit. Për më tepër udhëzimi nuk mund të ketë fuqi prapaveprues, pasi ka dalë në 5 shkurt dhe shtrin veprimin e saj në 1 janar”, nënvizoi Dobrusha. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp ai nënvizoi se, përveç shkeljeve ligjore, një dëm të pallogaritshëm pëson vetë shkolla. Kjo, pasi shumë klasa do të mbesin pa mësim dhe mësuesit me orë do të humbasin interesin për mësim. Nga ana e saj, Ministria e Arsimit nuk ka dhënë ende asnjë sqarim lidhur me udhëzimin e dhënë. Ndërkohë që Federata e Sindikatave të Arsimit paralajmëron se nëse nuk do të ketë ndërprerje të udhëzimit, çështja do të shkojë në gjykatë dhe do të ndiqet në rrugë sindikale.
Udhëzimi
“Punonjësit mësimorë që deri më 31.12.2008 kanë qenë punonjës me kontratë të përkohshme në sektorin e arsimit, duke filluar nga data 01.01.2009 e në vijimi nuk do të vlerësohen më si punonjës me kontratë të përkohshme”, përcakton udhëzimi i datës 5 shkurt “Për pagesën e punonjësve në dispozicion të MASH”. Në të thuhet se për të siguruar vijimësi të procesit mësimor në klasat ku ka qenë i aktivizuar ky grup mësuesish, të vendosen punonjës mësimorë në dispozicion, të cilët do të paguhen me pagesë orare. ”Në bazë të nevojave të drejtorive rajonale arsimore dhe zyrave arsimore për mësues në dispozicion, duhet të bëhet planifikimi i numrit të punonjësve në arsimin parauniversitar deri më 30 qershor 2009”, sanksionon udhëzimi. Tashmë, sipas tij, rezulton të jetë depozituar kërkesa në Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit të Ministrisë së Financave. ”Efektet financiere që rrjedhin në zbatim të këtij udhëzimi do të mbulohen nga buxheti i MASH për vitin 2009”, përcakton ai. Federata e Sindikatave është befasuar jo pak prej udhëzimit të ri. Me anë të tij është shfuqizuar ai i dy viteve më parë, që përcaktonte kushtet për lidhjen e kontratave të përkohshme të punës në arsim. Nga sa bëjnë me dije përfaqësuesit e sindikatës, ish-ministri Genc Pollo, i cili e ka nënshkruar, ishte konsultuar më parë me ata dhe madje është firmosur nga të gjitha palët. ”Me udhëzimin e ri ministri aktual jo vetëm që nuk ka marrë në konsideratë arsimtarët, por po shkel në mënyrë të hapur ligjin”, shprehen ata.
Argumentet e Sindikatës
Udhëzimi të pezullohet menjëherë dhe brenda javës që vjen të nisin bisedimet me ministrinë për të gjetur rrugën e zgjidhjes.
Në të kundërt do të mblidhet këshilli drejtues dhe do të përcaktohen masat në mbrojtje të kontratës kolektive dhe mësuesve sindikalistë
Udhëzimi nr. 4, datë 05.02.2009, është në kundërshtim të hapur me kontratën kolektive të punës dhe në kundërshtim me udhëzimin e mëparshëm që mban datën 18.09.2006.
Punonjësit mësimorë me kontratë të përkohshme nuk mund të konsiderohen si mësues në dispozicion. Koncepti “kontratë pune e përkohshme” nuk parashikohet as në ligj, as në Kodin e Punës. Kontrata aktuale ka kuptimin e një “kontrate me afat”.
Udhëzimi nuk mund të ketë fuqi prapavepruese. Ai ka dalë më 5 shkurt dhe në fakt e shtrin efektin në 1 janar.
Nga ky udhëzim largohen nga puna 3000 mësues, të cilët kanë deri në 35 vjet punë dhe aktualisht janë të punësuar me kontrata pune me afat, kontratë që sipas nenit 17 të ligjit “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë” mbrohet me dispozitat e kontratës kolektive të punës