E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operatori i katërt paguan 7,2 milionë euro

18/06/2009  AKEP-ja i la afat 7 ditë kalendarike nga data e marrjes së njoftimit për të kryer pagesën

Bashkimi i Ofertuesve përfaqësuar nga PTK-ja u shpall fitues i tenderit

Bashkimi i Ofertuesve, përfaqësuar nga Postë Telekomunikacioni i Kosovës, ka derdhur në llogari të buxhetit të shtetit pagesën prej 7,2 milionë eurosh. Ministria e Punëve Publike njoftoi se tashmë Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka njoftuar fituesin për të kryer pagesën për përdorimin e frekuencave dhe tarifën e shërbimit për shërbimet e radiokomunikimit, për brezat e frekuencave E-GSM dhe GSM 1800. Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, në emër të qeverisë siguroi se efekti ligjor që krijon zbatimi i ligjit për dhënien e së drejtës së përdorimit për 15 vjet në brezin e frekuencave e GSM dhe GSM 1800 do t’i shërbejë, nxitjes së konkurrencës në tregun e telefonisë së lëvizshme në vend dhe reduktimit të mëtejshëm të tarifave të telefonisë celulare. Sipas Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP, Bashkimit të Ofertuesve, përfaqësuar nga Postë- Telekomunikacioni i Kosovës sh.a, i është dërguar njoftimi i fituesit për licencën e operatorit të katërt GSM, me kusht që brenda 7 ditëve (nga marrja e njoftimit) të likuidojë, në llogari të buxhetit të shtetit, pagesën në shumën 7,2 milionë euro. Ndërkohë, ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, i ka kërkuar AKEP-it të bëjë transparente për publikun, nëpërmjet publikimit në faqen zyrtare të këtij institucioni, në kohë reale të gjithë komunikimet dhe/apo procedurat eventuale të kryera, në lidhje me përgjegjësi specifike për dhënien e së drejtës së përdorimit për 15 vjet, në brezin e frekuencave GSM dhe GSM 1800, Bashkimit të Ofertuesve, përfaqësuar nga Postë-Telekomunikacioni i Kosovës sh.a, sipas procedurës “Tender i hapur ndërkombëtar”, e datës 20.2.2009”, – thekson njoftimi për shtyp i MPPTT-së. Ndërkohë, AKEP, më 31 maj i ka dërguar një letër Bashkimit të Ofertuesve, përfaqësuar nga Postë-Telekomunikacioni i Kosovës sh.a, ku e informon se oferta e paraqitur me vlerën prej 7,2 milionë eurosh është përcaktuar si oferta e fituese. Në të njëjtin njoftim bëhet e ditur se brenda 7 ditëve kalendarike, nga data e marrjes së këtij njoftimi, fituesi duhet të kryejë pagesën. Në tenderin e zhvilluar në muajin shkurt, për shitjen e operatorit të katërt celular, morën pjesë vetëm dy kompani, që ishin Univers PG me 5 milionë euro dhe PTK e Kosovës me 7,2 milionë euro, subjekt që mori edhe miratimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›