E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur “hesht” miratimi në heshtje

18/06/2009  Publikohen në Fletoren Zyrtare ndryshimet pas hapjes së Qendrës së Licencimeve

Koncesionet, sektori i hidrokarbureve, apo energjia elektrike përjashtohen nga ky parim

Parimi i miratimit në heshtje të lejeve dhe licencave ka përjashtimet e veta. Qeveria ka miratuar ndryshimet në kuadrin ligjor për disa sektorë të veçantë. Pas hapjes së Qendrës Kombëtare të Licencimit, e cila do të shërbejë si një pikë e vetme për dhënien e lejeve dhe licencave janë bërë edhe ndryshimet përkatëse. Ligji bazë për lejet përfshin parimin e miratimit në heshtje, çka do të thotë se nëse autoriteti përgjegjës nuk jep në afat refuzimin e një lejeje apo licence, ajo miratohet automatikisht.

Ligji

Sektori i minierave, hidrokarbureve apo energjia elektrike janë disa nga rastet kur nuk do të funksionojë parimi i miratimit në heshtje. Ligji ku përfshihen përjashtimet nga ky parim është botuar në datën 12 qershor dhe përfshin disa ndryshime në legjislacionin në fuqi për licencat, autorizimet dhe lejet. Ligji hyn në fuqi në fund të këtij muaji, ose 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Ky ligj bën ndryshimet përkatëse në ligjet e viteve ’93, ’94, por edhe ligjeve të viteve të fundit, kryesisht në terminologjinë e përdorur. Në disa raste bëhet zëvendësimi i fjalës “autorizim” me fjalët “licenca”, apo “certifikatë” dhe “leje”, sipas kuptimit që ato marrin në nenet e ligjit.

Kur nuk aplikohet miratimi në heshtje

Fusha e burimeve minerare, hidrokarbure dhe energjetika janë sektorët kur parimi i miratimit në heshtje të lejeve dhe licencave nuk mund të zbatohet. Kjo është caktuar shprehimisht edhe në nenet e ndryshimeve ligjore. I tillë është paragrafi që shtohet pas nenit 4 në ligjin e vitit 1993 për hidrokarburet. “Kërkimi, zbulimi, shfrytëzimi i hidrokarbureve dhe operacione të tjera, të përcaktuara në këtë ligj, bëhen vetëm nga subjektet, me të cilat lidhen marrëveshje hidrokarbure, që përfshihen në kategorinë IV.1, të shtojcës së ligjit për licencat. Këto marrëveshje lidhen në përputhje me dispozitat në vijim të këtij ligji. Miratimi në heshtje nuk zbatohet në rastin e këtyre marrëveshjeve”, – thekson ligji. Po kështu për lejet e ndërtimit të burimeve të reja gjeneruese të energjisë elektrike, nuk do të përdoret miratimi në heshtje, apo në rastin e kontratave koncesionare që lidhen me përdorimin e një të mire publike.

Rastet e papërcaktuara

Në ligj përcaktohen edhe rastet kur për miratimin ose jo në heshtje do të vendosë Këshilli i Ministrave. Kështu sa i përket të drejtave minerare, Këshilli i Ministrave do të vendosë për përdorimin e njërës nga dy mënyrave, ose sipas ligjit për licencat ose sipas dispozitave që do të përcaktohen në vijim të këtij ligji. “Në rastin e dytë nuk zbatohet parimi i miratimit në heshtje”, – thekson ligji. E njëjta logjikë përdoret për lejet dhe licencat për trashëgiminë kulturore. “Rrjetëzimi ose shfrytëzimi i monumenteve të kulturës, të përcaktuara në këtë ligj, përfshihen në kategorinë VI.2 të shtojcës së ligjit për licencat. Këto leje jepen sipas ligjit për licencat ose sipas dispozitave në vijim, të këtij ligji. Këshilli i Ministrave vendos për përdorimin e njërës nga këto dy mënyra. Në rastin e dytë nuk zbatohet parimi i miratimit në heshtje”, – thekson ligji.

Heshtja

Qendra Kombëtare e Licencimit do të miratojë ose refuzojë aplikimin e çdo personi juridik nga dy deri në katër ditë në varësi të tipit të kategorisë së lejes ose licencës së kërkuar. Nëse brenda këtij afati kohor nuk publikohet vendimin mbi refuzimin ose miratimin e aplikimit, atëherë leja ose licenca miratohen automatikisht. Aplikimi për leje mund të bëhet duke dorëzuar dorazi dokumentet në njërin nga sportelet e QKL-së, në mënyrë elektronike, ose me postë zyrtare.

Aplikimi

Qendra Kombëtare e Licencave do të funksionojë me një filozofi dhe mënyrë të ngjashme me atë që ndjek sot Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Bizneseve. Të gjithë personat e interesuar duhet të dorëzojnë kërkesën e tyre për të marrë leje dhe licenca pranë sporteleve të QKL-së. Ato variojnë nga ushtrimi i të drejtës për prodhim ushqimesh, armësh, hapja e një universiteti deri te shfrytëzimi i minierave dhe pasurive të tjera kombëtare, apo lejet e peshkimit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›