E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të gjitha rrugët e komunave do të asfaltohen”

18/06/2009  Kreu i qeverisë premton nga Mati e Mamurrasi zhvillim të infrastrukturës

Berisha bën thirrje për zgjedhje të lira e të ndershme. “Mos lejoni votim familjar”

Kryeministri Sali Berisha në mitingun elektoral të zhvilluar në qytetin e Matit ka deklaruar se në katër vjetët e qeverisjes së vendit nga mazhoranca e djathtë u shndërruan në realitet premtime të mëdha dhe historike, si anëtarësimi i Shqipërinë në NATO, nxjerrja e saj në krye të rritjes ekonomike në Evropë dhe të dytën në botë për klimën e biznesit. Shefi i ekzekutivit e ka vënë theksin në zhvillimin e infrastrukturës në këtë rreth. Sipas tij, të gjitha fshatrat e Matit do të lidhen me rrugë të asfaltuara dhe të gjitha komunat do të lidhen me rrugë të asfaltuara me rrugën kombëtare. Berisha premtoi se pensionistëve të Matit dhe të të gjithë vendit në 4 vjetët e ardhshëm pensionet e tyre do të jenë më të larta se në 6 vendet anëtare të Bashkimit Europian. Po ashtu Kryeministri Berisha premtoi se edhe rrogat do të jenë më të larta se të 6 vendeve anëtare të BE-së. Duke u ndalur në investimet për fermerët, Berisha tha se qeveria e tij do të investojë për përpunimin e perimeve, për agrobiznesin, do të subvencionojë për imputet dhe naftën për sipërfaqet e mbjella. Ai evidentoi zhvillimin që do të marrë kjo zonë falë investimeve në fushën e energjetikës. “Në këtë rreth janë kontraktuar 4 HEC-e, por disa të tjera janë në punim e sipër. Rrethi juaj ka një perspektivë në zhvillimin e energjetikës. Në 4 vjetët që vijnë Mati do të jetë i urbanizuar, Mati do të jetë evropian, matjanët me furnizim 24 orë ujë të pijshëm kudo që janë”, - deklaroi ai. Gjatë këtij takimi Berisha kërkoi që të gjithë ata që nuk janë pajisur me kartat e reja të identitetit të shkojnë dhe të aplikojnë për to, pasi letërnjoftimi i ri elektronik është dëshmia më moderne e identitetit tonë të plotë.

Në vijim të turit të tij “Shqipëria po ndryshon” Kryeministri Berisha është ndalur edhe në Mamurras, ku ka deklaruar se në katër vjetët e ardhshëm qeveria do ta shndërrojë këtë qytet, ashtu si të gjithë Shqipërinë, në një vend europian. Ai ka premtuar se gjatë mandatit të dytë qeverisës do të arrihet që çdo qytetar të ketë ujë të pijshëm 24 orë. Berisha tha se zgjedhjet e 28 qershorit janë shumë të rëndësishme dhe të gjithë duhet të votojnë me maturi. “Ju bëj thirrje ju demokratëve të Mamurrasit, por dhe të mbarë Shqipërisë, të mos lejoni asnjë votim familjar, sepse kjo dëmton votimet. Të votojmë si qytetarë evropianë. Evropa duhet të bindet se ne votojmë të lirë, votojmë sipas rregullave, votojmë sipas standardeve”, - deklaroi ai.

Thirrja e Berishës

“Në qendrat e votimit ju të shkoni si familje, por secili të votojë veçmas, në mënyrë që të realizojmë zgjedhjet më të bukura në historinë e këtij vendi. Socialistëve të Mamurrasit u bëj thirrje të bashkoheni me ne, pasi me ne ju bashkon ëndrra juaj evropiane, me ne ju bashkon ëndrra atlantike që shndërruam në realitet, me ne ju bashkon dyfishimi i rrogave dhe pensioneve.”

Ndihma nga PPE

40 automjete me postera të PD-së

Partitë popullore europiane jo vetëm mbështesin moralisht Partinë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, por ditën e djeshme kanë kontribuar përmes dhënies së 40 kamionçinave të mbuluara me postera dhe logo të fushatës së PD. Përfaqësuesi i të djathtëve europianë Mirko Beloti, që shoqëronte këto mjete, shprehu mbështetjen në këto zgjedhje ndaj PD-së dhe kreut të saj, Kryeministrit Sali Berisha. Të 40 kamionçinat do të lëvizin nëpër të gjitha qytetet e Shqipërisë gjatë këtyre 10 ditëve, të shoqëruara edhe nga aktivistë të Partisë Demokratike dhe anëtarë të forumit rinor. “Projekti për një Shqipëri europiane e bën liderin e PD-së një partner të madh, për këtë arsye e kemi mbështetur në gjithçka dhe për gjithçka”, - tha Beloti. Zëdhënësja e fushatës së PD-së, njëherësh ministre e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila kishte dalë për të pritur zyrtarin e lartë europian, tha se kjo mbështetje është tregues i vlerësimeve që vijnë nga Europa për PD-në. “Besoj se vota djathtas në Europë është votë djathtas edhe në Shqipëri”, - tha ajo. E pyetur në lidhje me çështjen e vizave ministrja Bregu theksoi se ato do të hiqen brenda vitit të parë të mandatit të dytë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›