Bajerni i papërmbajtshëm, shkatërron sërish Barçën
Gjermanët vazhdojnë të festojnë në Ligën e Kampioneve. Pas Dortmundit, është Bajerni i Mynihut ai që kalon në finale të Championsit. Një finale e gjitha gjermane, për herë të parë në historinë e Ligës së Kampioneve. Kur pritej të paktën një fitore e Barcelonës, edhe pse mungonte Mesi, ka ndodhur e kundërta, bavarezët kanë shënuar 3 gola edhe në “Kamp Nou”, duke turpëruar katalanasit, pasi në dy ndeshje pësojnë plot 7 gola dhe nuk arrijnë të shënojnë qoftë një gol. Në fitoren e fundit të Bajernit serinë e golave e ka hapur Roben, teksa ka shuar çdo shpresë për kualifikim të Barcelonës. Më pas Pike ka shënuar një autogol në portën e tij dhe Myler ka mbyllur fitoren 3-0 të Bajernit. Një fitore që jo vetëm kualifikon Bajernin, por duket se merr fund kështu edhe cikli i Barcelonës. Që mund të kualifikohej Bajerni, natyrisht që edhe pritej, pasi katër gola ishte shumë e vështirë të përmbyseshin, por që të mundej 0-3 në fushën e vet, kjo ishte vërtet e pabesueshme. Alibitë mund të jenë të shumta, por realiteti është ky: futbolli gjerman ka vënë diktatin e tij këtë sezon.
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)