E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operon bajamet, vdes 17-vjeçarja

Shënohet rasti i dytë në historinë e mjekësisë shqiptare për humbjen e jetës së pacientit pas operacionit të bajameve. 17-vjeçarja Matilda Petriti ka vdekur në spitalin francez, në qendrën spitalore universitare, konkretisht në reanimacionin e shërbimit të ORL-së, mbrëmjen e së dielës. 17-vjeçarja kishte kryer rreth një muaj më parë një ndërhyrje kirurgjikale, në një klinikë private në Pogradec. Mjeku, i cili i kishte operuar bajamet në klinikën e Pogradecit punon që prej një viti edhe si specialist në shërbimin e ORL-së, në spitalin "Nënë Tereza". Aktualisht, mjeku Xhevahir Hoxhallari, është 40 vjeç dhe ka më shumë se 10 vjet që punon si specialist në këtë fushë.

Historia që tregojnë kolegët e Hoxhallarit ka qenë kjo: Pas kryerjes së ekzaminimeve komplete, analiza "rutinë" para çdo ndërhyrjeje kirurgjikale, vajza 17-vjeçare ka hequr bajamet në klinikën private. Pas pak ditësh ajo ka pasur hemorragji. Mjeku ka arritur që të qetësojë gjendjen, dy herë radhazi, pasi hemorragjia është përsëritur. Ndërsa të dielën, të afërmit bashkë me pacienten e re, janë drejtuar urgjent në spitalin "Nënë Tereza" pas gjendjes së rënduar të pacientes. Ajo ka pasur hemorragji të pandërprerë. Në spital është pritur nga mjeku i rojës dhe fill pas paraqitjes së saj në këtë qendër kanë mbërritur mjeku që i ka kryer ndërhyrjen së bashku me shefin e shërbimit.

Sipas mjekëve, të dhënat e para tregojnë se ajo që i ka ndodhur vajzës ka qenë fatalitet dhe jo gabim mjekësor. Por për të zbardhur më tej ngjarjen pritet fjala e fundit nga ekspertiza e sektorit të Mjekësisë Ligjore. Kanë qenë vetë mjekët, ata që kanë kërkuar të bëhet autopsia. Sipas kolegëve të mjekut, përjashtohet mundësia e një gabimi mjekësor, por, nga ana tjetër, të afërmit e pacientes janë ankuar se fëmija e tyre nuk ka marrë ndihmën e duhur mjekësore dhe ka vdekur për faj të një gabimi të mjekut që ka kryer operacionin për heqjen e bajameve.

Sipas babait të 17-vjeçares, Besim Petriti, vajza pas operacionit ka ndenjur rreth dy orë në klinikë e pastaj është larguar në shtëpi. "Ishte vetëm me një krevat. S‘kam ç‘të them. Klinikë pa asnjë kusht, vetëm kasaphanë mund t‘i thuash. Na priste doktor Xhevahiri këtu, ai që e ka operuar. E futi në sallë edhe tha ‘ia kapa venën‘. Kishte një venë të këputur". Kështu sqaron babai i vajzës, duke fajësuar mjekun për prerjen e një vene gjatë operacionit, që dyshohet se shkaktoi më pas edhe hemorragjinë që i mori jetën 17-vjeçares. Ai shton më tej se "pasi kaluan tri ditë që ishte shtruar, vajzën e nxora nga spitali dhe e shpura në shtëpi. Pasi kaloi një ditë, vajza nxori hemorragji të madhe. E solla në Tiranë, takova doktor Xhevairin". Ai tregon më tej pakënaqësinë e tij të madhe për mënyrën se si është trajtuar e bija edhe në Tiranë. Vajzën nuk e futi në reanimacion, por e ka lënë katër ditë në një dhomë lart", tha i ati i Matildës. Sipas tij, të dielën shëndeti i vajzës është përkeqësuar edhe ajo ka pësuar hemorragjinë e radhës. Më pas është transportuar në spitalin francez në Tiranë ku është kontrolluar nga një grup prej pesë mjekësh, të cilët kanë deklaruar se vajza nuk ka probleme. Por në orët që pasuan, Matilda ka pasur përsëri hemorragji, derisa në mbrëmje, rreth orës 20:00 ajo ndërroi jetë. Të afërmit tregojnë se në momentin e hemorragjisë së fundit që shkaktoi vdekjen në spital, aty nuk ka pasur asnjë mjek.

Kolegët mbrojnë kolegun, të afërmit hedhin dyshime për gabim mjekësor. Mjekësia Ligjore ende nuk ka thënë përfundimisht se cili është shkaku i vdekjes së 17-vjeçares. Të afërmit e Matildës që humbi jetën thonë se klinika nuk i plotësonte kushtet. Ministria e Shëndetësisë thotë se kushtet e klinikës ishin të përshtatshme për këtë i është dhënë edhe licenca.

Akuza

Hap dyert e mortit, shtëpia e Matilda Petritit, në fshatin Libonik të Korçës

Familjarët: Mjeku, fajtor për vdekjen e vajzës

"Matilda Petriti vdiq për faj të mjekut". Ky është pretendimi i të afërmve të 17-vjeçares që ndërroi jetë, pas një operacioni në një klinikë private. Sipas tyre, mjeku pogradecar, Xhevahir Hoxhallari, i ka prerë vajzës, nga fshati Libonik, një damar gjatë operacionit në fyt, duke shkaktuar hemorragjinë vdekjeprurëse. Të afërmit thonë se pas operacionit që vajza kishte kryer në Pogradec e kanë çuar disa herë në Korçë dhe në Tiranë, për shkak të komplikacioneve. Xhaxhai i 17-vjeçares, Fatos Petriti, thotë se pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të vajzës mjeku që e operoi po interesohej më shumë. Ai pohon se mjeku u është përgjigjur familjarëve duke thënë se: "Unë e bëra detyrën time dhe në rast se ka hemorragji nuk është për fajin tim si doktor". Xhaxhai i viktimës shton se mjeku na garantoi se operacioni ishte kryer në rregull. "Ne dyshojmë se ai i ka prerë vajzës një damar. Është e çuditshme të vdesësh nga bajamet dhe po aq absurde ta mendosh. Kjo na bëri të dyshojmë që në fillim që është faji i mjekut. Matilda u bë keq pas operacionit dhe kishte shumë hemorragji nga goja. E çuam vajzën në Korçë dhe në Tiranë, por pas çdo ndërhyrjeje mjekësore kishte hemorragji", tregon ai. Të afërmit të tronditur nga lajmi se Matilda, vetëm 17 vjeç, ka vdekur, janë mbledhur në shtëpinë e saj në fshatin Libonik për të pritur edhe trupin e pajetë, që është marrë nga morgu prej prindërve të saj. Matilda Petriti, gjatë natës së djeshme mësohet se i është nënshtruar edhe ekspertizave mjeko-ligjore për të vërtetuar shkakun e vdekjes. Kjo, pas pretendimeve të prindërve të saj se ka qenë një mjekim i pakujdesshëm, që e ka çuar drejt vdekjes vajzën e tyre. Ajo ndërroi jetë të dielën pasdite, pasi të afërmit e dërguan atë në Tiranë. Por duket se edhe aty nuk është treguar kujdesi i duhur. "Edhe në Tiranë, pasi u shtrua nuk u trajtua menjëherë, por me vonesë, pasi mjekët aty pengoheshin nga vetë doktori që e operoi. Ne i kemi të gjitha dyshimet se vajza ka vdekur për shkak të tij. Vajza u nis nga Korça me një ambulancë të spitalit dhe pa mjekë apo infermierë te koka që ta shikonin gjatë rrugës. Kjo mund të ketë bërë që ajo gjatë rrugës të bëhet edhe më keq përderisa vdiq në Tiranë. Doktori e shoqëroi nga pas me makinë. Ajo ishte shumë keq, por vetë doktori edhe pse u shqetësua nuk ka marrë përsipër se është përgjegjës, pasi sipas tij, e ka kryer operacionin në rregull", sqaron më tej rrethanat e kësaj ngjarjeje, Fatos Petriti. Ai thekson se "ne duam drejtësi dhe mjeku si përgjegjës të vihet para hetimeve". Po kështu edhe daja e 17-vjeçares, Nuri Shena, kërkon drejtësi, duke i konsideruar të zeza, bluzat e bardha. "Matilda u operua rreth një muaj më parë. Dy ditë pas operacionit asaj iu shfaqën probleme. Ne e çuam në Pogradec për t‘u operuar nga bajamet, se na kishin thënë se është një mjek i mirë. Paguam sa na kërkoi doktori për operacionin se ishte klinikë private. Dy ditë më vonë, vajza u bë keq dhe kishte hemorragji. "Për ne faji i mbetet doktorit. Ai duhet të mbajë përgjegjësi dhe drejtësia të vihet në vend se i ka marrë jetën një 17-vjeçareje", thotë Nuri Shena.

"Mbyllet" klinika private në Pogradec

Klinika e specialistit ORL, në Pogradec, ka qenë e mbyllur prej dy ditësh. Një i afërm i doktor Xhevahir Hoxhallarit ka thënë se ai e ka mbyllur klinikën, pasi ndodhej në kryeqytet, ndërsa sqaron se klinika private ka vite që funksionon dhe është e rregullt dhe e licencuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Në qytetin e Pogradecit lajmi se doktor Xhevahiri mund të ketë bërë një gabim gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale është përhapur shumë shpejt. Në qytetin e tij ku ka dhe një klinikë private të hapur në vitet e fundit në katin e parë të shtëpisë së tij private pas shkëputjes nga spitali civil, doktor Xhevahir Hoxhallari njihet si një nga mjekët më të mirë dhe më të rregullt në këtë zonë. Ai gëzon opinion të mirë te qytetarët e vet, për shkak të eksperiencës dhe specializimeve jashtë vendit. Edhe pse kjo nuk e përjashton mundësinë e një gabimi të tij gjatë operacionit, sipas banorëve, ai ka shumë vite që punon në qytet si një mjek i aftë, madje kryen vizita dhe operacione për banorë të zonës juglindore.

Vdekja e vajzës, prokuroria hetim mjekëve

Vdekja e 16-vjeçares Matilda Petriti, në qendrën spitalore "Nënë Tereza" në Tiranë, ka vënë në lëvizje edhe Prokurorinë e Tiranës. Përgjatë ditës së djeshme, hetues të çështjes kanë shkuar në spital për të sekuestruar kartelën e shtrimit. Paraprakisht, grupi hetimor tha se mjekët e spitalit francez në Tiranë janë vënë nën akuzë. Matilda ndërroi jetë dy net më parë, pasi ishte operuar nga bajamet në një klinikë private në Pogradec, pronë e një mjeku që punon edhe në spitalin francez në Tiranë. Pas operacionit ajo kishte pasur disa herë hemorragji, derisa humbi jetën, në vetmi të plotë, duke qenë se asnjë mjek nuk i ishte gjendur pranë në momentet e fundit. Praktika e dezhurnit të mjekëve në spitalin "Nënë Tereza" do të vihet nën hetim nga organi i akuzës. Gjithsesi, duke pritur raportin mjekoligjor, ku dyshohet se mjekët i kanë prerë një venë vajzës, hetuesit e çështjes kanë marrë në pyetje mjekët dhe të afërmit e vajzës. Prokuroria, deri pasditen e djeshme, ringriti të gjithë ngjarjen, bazuar nga të dhënat e marra nga spitali dhe të afërmit. Sipas tyre, historia e Matildës daton më 7 prill, të këtij viti. Për shkak të problemeve të shpeshta me bajamet, prindërit e saj u drejtuan në një klinikë private në Pogradec, pronë e mjekut Xhevahir Hoxhallari, i cili punon edhe në spitalin francez në Tiranë. Kundrejt pagesës prej 11 mijë lekësh, vajza ka kryer operacionin dhe pas dy orësh mjeku ka rekomanduar dërgimin e saj në shtëpi, pasi, sipas tij, nuk kishte probleme. Dy ditë pas vizitës në spital, vajza është rivizituar në spitalin e Korçës, për shkak të problemeve të hemorragjisë. Dy ditë më parë, shëndeti i Matildës është përkeqësuar edhe ajo ka pësuar hemorragjinë e radhës. Më pas është transportuar në spitalin francez në Tiranë ku është kontrolluar nga një grup prej pesë mjekësh, të cilët kanë deklaruar se vajza nuk ka probleme. Por në orët që pasuan vajza ka pasur përsëri hemorragji, derisa në mbrëmjen e së dielës, rreth orës 20:00 ajo ndërroi jetë. Prokuroria ka marrë të gjithë procedurën, që nga shtrimi, mosfutja e vajzës në reanimacion, si dhe mungesa e ndihmës në momentet e fundit. Të afërmit e saj kanë treguar për hetuesit se në momentin e hemorragjisë së fundit që shkaktoi vdekjen në spital, nuk ka pasur asnjë mjek.

Doktori që kreu operacionin e adoleshentes, Xhevahir Hoxhallari, mohon çdo gabim mjekësor, apo prerje të venës

Mjeku: Hemorragjia? E pashpjegueshme

Tension në QSUT. Policia "shpëton" bluzat e bardha

"Hemorragji pas ndërhyrjes kirurgjikale dhe më pas vdekje e pacientit ka ndodhur dhe herë tjetër. Hemorragjia e nisur katër ditë pas operacionit dhe e përsëritur edhe dy herë të tjera më pas ndodh për të parën herë". I kontaktuar nga gazeta "Shqip" mjeku i ORL-së, Xhevahir Hoxhallari, ka shpjeguar se pavarësisht punës së tij dhe ndjekjes së vazhdueshme të pacientes 17-vjeçare, hemorragjia që ka pasur ajo nuk është shpjeguar në asnjë literaturë që ai ka lexuar. "Më vjen keq për vajzën dhe reagimi i familjarëve të saj është normal pas humbjes së të afërmit, por nuk është e vërtetë që ka pasur një gabim mjekësor, një prerje të venës. Po të kthehesha në kohë do të bëja të njëjtat procedura, të njëjtën punë", thotë Hoxhallari. Sipas tij, ekzistojnë të gjitha dokumentacionet që vajza ka bërë ekzaminimet dhe i gjithë protokolli që është ndjekur.

Sipas rrëfimit të mjekut, vajza pas heqjes së bajameve ka ndenjur në Pogradec për të qenë afër mjekut në rast komplikacionesh. Kur ka pasur hemorragjinë e parë është drejtuar në spitalin e Korçës. Ndërsa kur hemorragjia i është përsëritur për herë të dytë Hoxhallari sqaron se ka pasur kontakte me mjekët e tjerë dhe i ka kërkuar atyre që ta sillnin në Tiranë. Një javë më parë, ajo ka ndenjur disa ditë e shtruar në spital, është mjekuar dhe më pas është kthyer në shtëpi. Dy ditë më parë, ajo ka ardhur në spitalin e QSUT-së. "Erdhi në spital, e shtruam, pak para se të ndodhte hemorragjia. Unë e kam parë, më pas jam larguar. Mjeku i rojës na ka njoftuar dhe bashkë me dy reanimatorë të tjerë dhe shefin e shërbimit jemi munduar të trajtojmë pacienten. Hemorragjia ishte e madhe, e pashpjegueshme. Kam qenë i pari që kërkova të bëhej autopsia", sqaroi mjeku. Ai duke dashur të sqaronte edhe njëherë se rasti nuk ka të bëjë me një gabim mjekësor tha se: "Gabimet mjekësore ndodhin, por në këtë rast nëse do të kishte prerje të venës hemorragjia do të niste pas ndërhyrjes dhe jo katër ditë më pas", sqaroi Hoxhallari.

Sipas tij, pas vdekjes së pacientes, situata në spital ka qenë shumë e nderë dhe është kërkuar ndihma e policisë. Dy furgona të policisë kanë shkuar në spital dhe kanë shoqëruar mjekët në shtëpi, pasi të afërmit e vajzës që humbi jetën kanë qenë tepër të revoltuar. Nisur nga ngjarja e dy javëve më parë, kur shefi i kardiokirurgjisë u sulmua me thikë nga i afërmi i një pacienti, mjekët kanë menduar të parandalojnë konflikte mes mjekut dhe pacientëve. Pas njoftimit, efektivët e policisë kanë mbërritur në spital dhe kanë qetësuar gjendjen, duke shoqëruar mjekët dhe duke ulur tensionin. Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, ka urdhëruar ngritjen e një grupi të veçantë pune për zbardhjen e shkakut të vdekjes së 17-vjeçares nga (Korça), e cila ndërroi jetë mbrëmjen e kaluar pas një operacioni në bajame.

Mjeku sqaroi se do të prononcohet publikisht për ngjarjen. "Akuzat nuk janë të vërteta, unë jam i ndërgjegjshëm për punën time dhe kam kërkuar i pari që Mjekësia Ligjore të zbulojë shkakun e vërtetë të hemorragjisë, për të cilën në asnjë literaturë nuk kam lexuar për një rast të tillë", përfundoi Hoxhallari.

Shumë shpejt pritet që specialistët e mjekësisë të japin edhe të dhëna më të sakta për zbardhjen e ngjarjes.

Ministri i Shëndetësisë urdhëron ngritje të një grupi të veçantë "hetimi"

Ndoka: Të gjendet shkaku i vdekjes

Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, ka urdhëruar ngritjen e një grupi të veçantë pune për zbardhjen e shkakut të vdekjes së 17-vjeçares nga Korça, e cila ndërroi jetë mbrëmjen e kaluar pas një operacioni në bajame. "Grupi i posaçëm i punës po mbledh të gjithë informacionin e nevojshëm mbi mënyrën e ndërhyrjes në bajame (tonsilit palatine) me qëllim gjetjen e shkakut të vdekjes së Matilda Petritit", tha drejtori i Përgjithshëm i Politikave dhe Planifikimit Shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë, Edmond Stojku. Sipas tij, klinika e mjekut ashtu si dhe mjeku janë të licencuar dhe plotësojnë të gjitha kushtet për mbajtjen e këtij "dokumenti". Nesër pritet që Ministria e Shëndetësisë të përgatisë një raport të detajuar për ngjarjen, zbardhja e të cilës ka nisur edhe nga mjekësia ligjore", sqaroi Stojku. Sipas drejtorit të planifikimit, klinika është kontrolluar nëse përmbushte kushtet apo jo.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›