E Diel, 1 Nëntor 2026

Malazezët, të papërfshirë në atentatin ndaj Pukaniç

Policia malazeze mohoi dje se porositësit e vrasjes së pronarit të revistës "Nacional", gazetarit Ivo Pukaniç dhe kolegut të tij Niko Franjiç, janë qytetarë të Malit të Zi. Këtë e bëri të ditur edicioni elektronik i gazetës serbe, "Politika", duke iu referuar Radios "Dojçe Vele". "Nuk është e vërtetë se porositësi i vrasjes së Ivo Pukaniçit është nga Mali i Zi. Kjo informatë është e pasaktë dhe paraqet spekulim të thjeshtë", njoftoi policia malazeze, duke mohuar pohimet në disa media të caktuara.

Prokurori italian, Xhuzepe Shelsi, deklaroi se Pukaniçi duhej të ishte një prej dëshmitarëve kyçë në procesin kundër kontrabandistëve malazezë të cigareve, i cili pritet të fillojë së shpejti, pas 15 vitesh hetimi.

Nga ana tjetër duket se policia serbe ka pasur disa informata për atentatin ndaj gazetarit të njohur kroat, por nuk i ka publikuar ato dhe nuk ka marrë masa. "Disa deklarata të caktuara të zyrtarëve serbë për rolin e policisë së atjeshme në arrestimin e të dyshuarve për atentatin e gazetarit Ivo Pukaniç janë tejet të tepruara", shkruante dje "Jutarnji list". Jo vetëm që Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Shërbimi i saj Sekret nuk i ndihmuan organet hetimore kroate, por, sikurse pohojnë bashkëbiseduesit e "Jutarnji", ata kanë fshehur disa informata për përgatitjet e atentatit të botuesit të "Nacional", shkruan gazeta, e cila u referohet burimeve. Po ashtu, sikurse transmeton "Radio Evropa e Lirë", bashkëpunimi në parandalimin e atentatit nuk ka ardhur për shkak të "qëndrimit të përmbajtur të palës serbe".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›