E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nina Mula: Këndoja përmendësh kur s‘dija shqip

Ajo ishte një vajzë e bukur ruse që ndoqi dashurinë. Do të shihej si e huaj, do të dridhej nga frika se mos harronte ndonjë fjalë shqip, kur operën e parë iu desh ta mësonte përmendësh, por nuk iu nda skenës së operës. Bashkë me Avniun e ushqeu më shumë dashurinë. Edhe atëherë kur si "modernistë" rrezikonin të internoheshin a të burgoseshin diku. Edhe sot, ajo nuk i ndahet pasionit të saj. Ndjek pothuajse çdo vepër të rëndësishme, si rriten të rinjtë në këtë skenë. Kur mbushen plot 55 vjet nga krijimi i Teatrit të Operës, sopranoja na sjell një rrëfim të mbushur plot me kujtime.

Ju keni ardhur në vitet e para të krijimit të Teatrit të Operës. Si i kujtoni ato kohë?

Ne kemi ardhur në vitin 1957, kur opera kishte pak që ishte formuar. Në atë kohë, nuk kishte traditë operistike, por për ne ka qenë një krijim shumë i mirë. Në të ishin bashkuar artistë që shkollimin e kishin bërë jashtë shtetit, si zonja Kosturi, Marie Kraja, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, zonja Truja dhe të tjerët të ardhur nga Republikat ish-demokratike, siç quheshin atëherë. Këtyre iu bashkua edhe unë me Avniun, Gjoni Athanasi, Ibrahim Tukiqi etj. Kam pasur edhe frikë në këto momente që të debutoja. Shikoja një staf shumë të mirë, por na ndihmoi kurajoja të ecnim para.

Cili ishte prezantimi i parë me publikun shqiptar?

Sapo kishim ardhur, organizuan një koncert për ne. U prezantuam me ariet operistike. Avniu, Gjoni dhe unë bënim duete. Publiku ishte kurioz, sepse për të parën herë shihte në skenë këngëtarët që vinin nga jashtë. Zakonisht shikojnë me kuriozitet, por ndoshta edhe për të hequr ndonjë meritë që ke. Nuk e di se çfarë u ka bërë përshtypje kur dola unë në skenë. Isha një e huaj, e veshur me fustan dekolte e zhupon. Ndoshta kanë menduar për veshjen apo për mua si person. Por, na duartrokitën me të madhe. Kjo më preku dhe më vuri para përgjegjësisë. Ne kishim dhënë edhe më parë koncerte në Moskë, kur ishim studentë, por ky ka qenë takimi i parë me publikun shqiptar.

Ju ishit një vajzë dhe këngëtare ruse që sapo kishte ardhur. Si ja dilnit të këndonit në shqip?

Sigurisht që, unë doja të këndoja rol operistik. Atëherë kishte një mënyrë tjetër organizimi. Një opera vihej në skenë dhe shfaqe për vite me radhë. E tillë ishte dhe "Jolanda", një opera e Çajkovskit jo shumë e gjatë, por shumë e bukur. Një histori interesante e një vajze mbreti, që është e verbër dhe nuk e di verbërinë e saj. Këtë rol kërkova. Nuk e di nëse më besoi menjëherë Mustafa Krantja apo jo, por unë i thashë se do ta mësoja veprën. E kisha mësuar rusisht në shkollë, por atëherë këndonim shqip. I kërkova ndihmë koleges Marie Kraja. Me kënaqësi ma shqipëroi. Unë i kam kënduar përmendësh pa e ditur mirë shqipen. Por kam pasur shumë kënaqësi. Shfaqja shkoi me shumë sukses. Unë dridhesha jashtëzakonisht. Nuk e kisha problemin tek ana profesionale, por për fjalët. Mendoja se me çfarë do t‘i zëvendësoja po t‘i harroja. Kjo ka ndodhur me shumë emra të njohur të skenës, por kishte sufler. Megjithatë, e përballova. Që atëherëë krijuan besim tek unë. Përnjëherë interpretova në premiera të tilla si "Madamme Buterfly", "Berberi i Seviljes", e me radhë.

Por kjo periudhë e "artë" nuk do të zgjaste gjatë për operën…

Ishte viti ‘64-‘65 kur u vu "Rigoleto", një nga sukseset më të mëdha. Avniu, Gaqo Çako, unë e të tjerë solistë ishim protagonistët. U realizuan me sukses tri shfaqje me artistë të ndryshëm. Më kujtohet si sot, kur hymë në opera dhe pamë që po çmontohej skena. Pse po e hiqni, u thashë punëtorëve të skenës. "Rigoleto vdiq", m‘u përgjigjën, nuk do të bëni më asgjë të huaj. Unë u ula në karrigen që gjeta pranë. M‘u prenë këmbët. Po çfarë do të bënim ne? "Do të këndoni këngë partizane dhe popullore", m‘u përgjigjën ata, që, edhe pse ishin punëtorë skene, e donin operën, e dëgjonin çdo natë dhe vërejtjet që na bënin ishin interesante. Ajo ishte dhimbja më e madhe e kohës sonë. Zgjati goxha vite. Provuan të vënë diçka në teatrin e ri dhe prapë e hoqën.

Këndonit në qytete dhe fshatra të Shqipërisë dhe jo më në një skenë opera. Ishte zhgënjim për ty?

Unë kam kujtime të ngrohta nga ajo kohë, por ana profesionale është shumë e rëndësishme për artistin. Kjo periudhë zgjati rreth 7 vjet. Teatri i Operës më parë kishte shfaqje çdo ditë, përveç të hënës. Secili artist arrinte të këndonte 8 ose 10 shfaqje në muaj. Është ngarkesë e madhe, por kjo na mbante në formë. Më pas u detyruam të shkonim në turne. Kam qenë në Korçë, Bilisht, Skrapar, Berat, Gramsh, Dibër, Durrës dhe në fshatra që s‘përmenden. Kur shkon në këto provinca, krijon respekt te publiku, meqenëse ata shikojnë rrallë grupe serioze e profesionale. Na prisnin në mënyrë të shkëlqyer, na admironin, por e nuk ndjeheshim aty ku donim të ishim. Kam kënduar "Vals i Lumturisë", "Agime shqiptare" të Avniut, "Shqiponjë e lirë" e Pjetër Gacit. I këndoja jo si këngë të lehta, por si opera. Njerëzit që ishin të etur për të dëgjuar, uleshin nëpër fusha. Zakonisht në opera thërrasin "bis" për ta përsëritur, ndërsa ata thoshin "edhe njëherë, edhe njëherë". Pastaj në vitin 1972, kur u kthyem nga turneu i Skraparit, ende i paelektrifikuar, Zhani Ciko, atëherë ishte i ri dhe në rolin e udhëheqësit artistik, më tha së do më jepte një lajm të bukur. Do të vinim "Traviatën". Kishin zgjedhur edhe stafin. Avniu u tërhoq në kompozim kur u hoqën veprat e huaja dhe nuk ishte më pjesë. Unë u gëzova kaq shumë, por dhe u shqetësova. Kisha frikë se nuk i arrija lartësitë e duhura vokale. Vrapova sipër dhe fillova të provoja meloditë në momentet më të vështira. E kapja. Atëherë thashë që e përballoja.

Si u prit një "Traviatë" pas disa vitesh heshtjeje?

U realizua me një staf të mrekullueshëm. Mihallaq Luarasi ishte regjisor, Ali Oseku piktor, Fiqiri Kraja ishte dirigjent, atëherë nxënës i Mustafa Krantjes dhe kështu mbërritëm te premiera. Ajo ishte kaq e bujshme. Kishte kaq shumë kohë pa opera klasike. Nuk kishte vende jo në karrige, por edhe në kalimet në mes ishin ulur njerëz. Duartrokisnin pa fund. Mendoja sikur ishim rinovuar. Më vjen keq që nuk ka mbetur asnjë incizim që të vërtetonim atë vënie, me fustane të bukura, ku Mihallaqi vraponte nëpër kopshte që të gjente ca gjethe vjeshte të venitura dhe të bukura e më thoshte që të bëjmë aplikacione të fustanit bojëkafe, për të treguar që Violeta degradohet nga vuajtja. Opera pati shumë sukses. U bënë katër shfaqje. Pas kësaj na thërrasin në një mbledhje të përgjithshme në Teatrin e Operës dhe na kritikojnë. Kritikojnë në radhë të parë vënien në skenë, që u quajt moderne, shkallëzimet në skenë i quajtën podiomania. Për mua, ishte e mrekullueshme dhe e kujtoj me nostalgji kohën kur punuam me Mihallaqin. U hoq. Në atë kohë ishte Plenumi i 4-të, ku u kritikuan dhe vepra të Teatrit Popullor për këtë linjë modernizmi. E pësuan dhe Mihallaqi dhe Ali Oseku. Dihet historia e tyre, njëri i burgosur, tjetri i internuar. Në moment m‘u duk sikur më kanë hequr zemrën nga shpirti. Ishim përpjekur me shpirt, por ndodhi.

Kishit frikë se mos ndëshkoheshit edhe ju?

Jo, unë nuk kisha frikë. Madje, njëra u ngrit dhe tha se unë nuk jam dakord me Nina Mulën se pranoi të këndojë me këtë regji. Por iu përgjigja: unë nuk kam bërë asgjë më shumë sesa ka bërë Verdi. Respektova muzikën dhe ndjenjën e tij. Nuk kishte arsye që të dëmtohesha, sepse nuk isha vetëm unë në staf. Sigurisht që sit ë huaj më shikonin me lupë. Por ishte gjithë ai staf i mrekullueshëm. Kjo ndoshta ishte vuajtja më e madhe gjatë gjithë këtyre viteve dhe sigurisht dalja në pension në ‘76-ën.

Po sot, si e shihni operën shqiptare pas 55 vjetësh?

Unë pothuajse nuk mungoj në asnjë provë të rëndësishme. Këto ditë isha te "Luçia di Lamermmor". Është opera e mirëfilltë e bel-kantos që detyron këngëtarët që të kenë kujdes për vokalin. Por, nëse ka një staf të mirë, do të vazhdojë të ecë.

Çfarë përjetoni kur shihni të rinj?

Unë kënaqem me ta, se ka një vazhdimësi të mirë dhe mua më kënaq. Por, më shumë shikoj nga ana profesionale, meqë tani jap mësim. Ndonjëherë dhe më vjen keq se e lë mënjanë kënaqësinë dhe e shoh me syrin e profesionistit.

Ju ka mbetur pishman?

Do të dëshiroja të këndoja dhe "Toskën", "Trovatore" dhe pse jo "Luçia di Lamermmor". Por, jam njeri gjakftohtë. Ligji ishte ligj dhe jo vetëm për mua. Unë dola vet në pension. Një vit nuk kam kaluar afër operës nga emocioni. Kur shkova për nevojat e mia të takoja dikë, jam dridhur nëpër shkallë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›