E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruevski: Po na pret një ferr i vërtetë për emrin

Kuvendi i Maqedonisë miratoi mbrëmë me 93 vota pro dhe një kundër rezolutën për zgjidhjen e kontestit për emrin e Republikës së Maqedonisë. Në rezolutë kërkohet që në një afat të shkurtër kohor të konfirmohet strategjia shtetërore për zgjidhjen e kontestit me Republikën e Greqisë, lidhur me emrin e Republikës së Maqedonisë, "në të cilën qartë dhe padyshim do të ndërtohen qëndrime unike të subjekteve politike drejtpërdrejt të përfshira në procesin negociues".

Strategjia

"Me strategjinë shtetërore duket se është e domosdoshme të mbrohen interesat më të larta shtetërore dhe kombëtare dhe të ruhet identiteti, gjuha dhe kultura maqedonase, si dhe ekzistimi i minoritetit maqedonas në Greqi dhe të afirmohet pozicioni i Maqedonisë si shtet i pavarur dhe sovran", thuhet në rezolutën e miratuar.

Gjithashtu, gjatë konfirmimit të strategjisë është e detyrueshme të merren parasysh qëndrimet, propozimet dhe mendimet e partive politike të përfaqësuara në Kuvend. Në përgatitjen e strategjisë shtetërore do të konsultohen ekspertët dhe organizatat joqeveritare, të cilët merren me politikën ndërkombëtare. Po ashtu, rezoluta parashikon që "të përforcohen aktivitetet diplomatike të subjekteve politike kompetente në vend dhe vendet e huaja, e me këtë të afirmohen interesat vitale dhe qëllimet strategjike të Republikës së Maqedonisë, si dhe të tregohet në nevojën për respektim të dokumenteve bazë të Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare".

Ndërkombëtarët

Ndërkaq, para miratimit të kësaj rezolute, Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, e përgatiti opinionin publik në vend mbi presionin që mund të ushtrojnë ndaj Maqedonisë dhe autoriteteve të saj shtetërore organizmat ndërkombëtarë.

"Presim trysni të fuqishme nga bashkësia ndërkombëtare gjatë 40 ditëve të ardhshme, para takimit të Bashkimit Evropian për gjetjen e zgjidhjes për emrin me Greqinë", tha Gruevski në takimin e hapur të qeverisë me kryeredaktorët e mediave vendase dhe me rastin e 100 ditëve të qeverisë. "Kjo trysni mund të barazohet me një ferr të vërtetë", shtoi Gruevski.

Sipas tij, kërkesat e Greqisë nuk kanë të bëjnë vetëm me ndryshimin e emrit të shtetit, por edhe të nacionalitetit dhe gjuhës, që do të verifikohej edhe me ndryshimin e pasaportave. "E gabuar është pikëpamja që përfaqësojnë disa rreth nesh, se nëse ne bëjmë lëshime lidhur me çështjen e emrit, atëherë Greqia do të tërhiqet lidhur me çështjen e nacionalitetit dhe gjuhës dhe për çështjen e pasaportave. Nuk ka as shenja më të vogla, si zyrtare, ashtu edhe jozyrtare, se pala greke do të mund të bënte hap prapa lidhur me këto çështje. Përkundrazi, Greqia mbetet në kërkesat e saj dhe dëshiron fitore jo vetëm në kontestin për emrin, por edhe për tërë pakon e çështjeve të ngjashme", theksoi Kryeministri i Maqedonisë.

Propozimi

Duke komentuar propozimin e fundit të negociatorit Metju Nimiç, Gruevski tha se Maqedonia, si edhe Greqia, kanë vërejtje ndaj shumë pikave të propozimit. "Nëse Greqia e pranon propozimin e fundit të Nimiçit, që është pak e besueshme, meqë ka shumë vërejtje, si dhe nëse propozimi pranohet nga opozita maqedonase, atëherë ne do të ofrojmë referendum, e atëherë edhe qeveria do ta tregojë qëndrimin e saj", tha ai. I pyetur nëse rezultati i referendumit do të ketë karakter konsultativ ose i detyrueshëm, Gruevski sqaroi se kjo duhet të saktësohet me partitë e tjera politike. Ai shtoi se pret nga mediatori Nimiç të ofrojë propozim të ri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›