E Diel, 1 Nëntor 2026

“Opozia krijoi klimë mosbesimi rreth kandidaturës time”

09-06-2012 / Gazeta 55

Xhezair Zaganjori tërhiqet nga gara presidenciale

Pas ezaurimit të raundit të tretë për zgjedhjen e presidentit, kandidati i mazhorancës, Zaganjori tërhiqet zyrtarisht nga gara për kreun e ri të shtetit, duke deklaruar se shkak për këtë vendim është bërë klima e mosbesimit tek opozita dhe nëse zgjidhet president do të paragjykohet nga opozita për çdo vendimmarrje

Kandidati i mazhorancës, Xhezair Zaganjori vendosi dje të tërhiqet nga gara për zgjedhjen e presidentit të ri. Tërheqja e Xhezair Zaganjorit është bërë për shkak të mosarritjes së konsensusit mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për kandidaturën e tij. Vetë kandidati Zaganjori, kur bëri publike dorëheqjen e tij nga gara presidenciale, deklaroi se shkak është bërë klima e mosbesimit tek opozita dhe nëse zgjidhet president do të paragjykohet nga opozita për çdo vendimmarrje.
“Unë nuk jam më kandidat për raundin e katërt. Për mua ka shumë rëndësi fakti që opozita nuk ka besim dhe do paragjykohet çdo vendimmarrje e imja, në një kohë kur Shqipëria përballet me sfida të mëdha siç është integrimi evropian dhe reformat. Në kushte paragjykimi deklaroj me bindje të plotë dorëheqjen time. Uroj që të gjendet një njeri i përshtatshëm për këtë kandidaturë”, u shpreh Zaganjori.
Kandidati i propozuar nga mazhoranca takoi personalisht kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama për të kërkuar mbështetjen e forcës së tij politik për të qenë kështu një president konsensual, mbështetje e cila nuk iu konfirmua.
Kandidatura e Zaganjorit zyrtarisht nuk u paraqit në asnjë raund të votimit për president në parlament, ndërkohë që tërheqja e tij nga ra presidenciale vjen menjëherë pas ezaurimit të raundit të tretë për presidentin. Anëtari i Gjykatës Kushtetuese erdhi si kandidat për postin e Presidentit të Republikës pas disa takimeve mes koalicionit qeveritar dhe tryezës së organizuar me partitë e mazhorancës.
Zaganjori mori një mbështetje të gjerë nga mazhoranca dhe u cilësua kandidat konsensual që duhet të mbështetej edhe nga opozita, pasi gjyqtari i njohur plotësonte kriteret e vëna nga PS, për një kandidaturë jo- politike. Por, ndërsa afatet kushtetuese po afronin në zhvillimin e raundeve të votimit, Edi Rama u shfaq papritur me një editorial 3 faqësh, ku e vinte mazhorancën në kushte presioni dhe shantazhi, për realizimin më parë të 4 kushteve, d.m.th reformave.
Gjithashtu, kundrejt ofertës së mazhorancës për konsensus në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, Edi Rama mbërriti sërish me platformën bllokuese, këtë herë më keq akoma, duke bërë thirrje për rrëzimin e qeverisë. U desh konsumimi i takimeve fillimisht Patozi-Ruçi dhe më pas Berisha-Rama, që PS të vihej në brazën e procesit dhe të bëhej pjesë e konsensusit për presidentin e ri. Kjo s’ndodhi për asnjë moment ndërsa raundet e votimit u ezauruan njëri pas tjetrit, në pritje të “ok”-it të opozitës.
Raundi i tretë ishte i fundit për konsensus si dhe shansi i humbur për opozitën që të bëhej bashkautorë në zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës. Dy raundet e mbetura do zhvillohen ashtu siç edhe i parashikon kushtetuta me 50 për qind plus 1 të votave, ose e thënë ndryshe me 71 vota.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›