E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI del kundër ligjit për prokurorinë

LSI kontestoi dje publikisht projektligjin e ri për prokurorinë. Deputeti Spartak Braho theksoi se nuk mund të jetë qeveria hartuesja ekskluzive e tij, pasi disa ministra dhe nëpunës të saj janë nën akuzë. "Varianti i ri nuk ka ndryshim nga ai i mëparshmi, i cili u kundërshtua nga LSI fuqishëm, por edhe vetë Prokuroria e Përgjithshme, komuniteti i gjerë i juristëve, i specialistëve të EURALIUS-it, OBDATI-it, si dhe direkt nga përfaqësuesit e ambasadës amerikane", tha Braho. LSI konstatoi se ky ligj prek rëndë pavarësinë e organit të prokurorisë, prek dhe cenon mbrojtjen e prokurorëve, i lë ata në mëshirën e politikës hakmarrëse të mazhorancës, dhe të delikuenteve të krimit të rrugës. Ndërkohë, nënvizoi Braho, vazhdohet të këmbëngulet për të rritur ndikimin e ministrit të Drejtësisë, pra të ekzekutivit në funksionet dhe kompetencat e prokurorisë, duke i dhënë këtij të fundit atribute kontrolli, aq sa ministrit iu dashka të raportojë në Kuvend për punën e Prokurorisë së Përgjithshme!. "Berisha është në panik dhe i tmerruar. Ministrat e tij po ikin njëri pas tjetrit të akuzuar për shpërdorim të detyrës dhe veprimtari korruptive, aktive dhe pasive", u shpreh Braho.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›