Opozita: Përse jemi kundër shkarkimit të Kreshnik Spahiut
Partia Socialiste ka vendosur zyrtarisht që të dalë kundër mazhorancës në komisionin hetimor për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar socialist është vendosur që në këtë rast të votohet kundër. Kërkesa dhe procedura e iniciuar për shkarkimin e zv/kryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, është e frymëzuar nga qëllime të luftës së brendshme politike në radhët e mazhorancës dhe është shprehje e mungesës së moralit politik të Sali Berishës në raport me institucionet e pasqaruara kushtetuese, si dhe një përpjekje e vazhdueshme për ti vendosur ato nën kontrollin e pushtetit ekzekutiv,- është qëndrimi zyrtar i opozitës për këtë çështje.
Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar socialist është shpërndarë një vlerësim i kërkesës së deputetëve demokratë për shkarkimin e Kreshnik Spahiut. Pak ditë më parë, mazhoranca ka dërguar një kërkesë në Kuvend Për nisjen e procedurës së shkarkimit për zv/kryetarin e KLD duke pretenduar se organi që të emëron është dhe organi që të shkarkon.
Sipas opozitës, Kuvendi nuk mund ta shkarkojë nënkryetarin e KLD-së dhe ligjet në të cilat është bazuar kërkesa e PD-së nuk kanë vlerë për këtë rast. Relacioni për këtë çështje është përpiluar nga nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj. Në rastin e shkarkimit të anëtarit të KLD ( Për një a më shumë shkaqet e parashikuara nga ligji ) është vetë KLD dhe ndonjë organ tjetër, qoftë ky edhe Kuvendi i Shqipërisë. Kuvendi, duke marrë përsipër të deklarojë shkarkimin e një anëtari të KLD, bazuar në hapësirat që lejon rregullimi në fuqi i ligjit organik të KLD, – ritheksojmë faktin që është ligj i përforcuar cenon kompetencat e një organi të parashikuar nga Kushtetuta, për më tepër, të një organi që i takon pushtetit gjyqësor,- shpjegon deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj. Sipas tij, kërkesa e hartuar dhe procedura e kërkuar për tu zbatuar përmes saj në vlerësimin e socialistëve është një kërkesë e sforcuar pasi nuk është tërësisht në përputhje me Kushtetutën dhe me kuadrin ligjor në fuqi.
Mbi këtë nismë të mazhorancës, zyrtari lart socialist sjell në vëmendje se zoti Spahiu është emëruar në mënyrë të njëanshme si anëtar i KLD-së me votat e shumicës. Kjo sipas socialistëve, sjell që procesi i iniciuar duhet konsideruar si çështje e vetë mazhorancës. Opozita do të kontribuonte si pjesë aktive e këtij debati dhe në përbërje të këtij komisioni hetimor nëse objekt i tij do të ishin çështjet që realisht preokupojnë sot sistemin e drejtësisë raportin e KLD-së me gjyqësorin, korrupsionin që ka përfshirë pushtetin gjyqësor, nënshtrimin e tij ndaj interesave kule të qeverisë etj,. gjë që kjo mazhorancë nuk mund ta bëjë se është përgjegjëse e drejtpërdrejtë për këtë situatë, – thuhet në qëndrimin e përgatitur nga Fatmir Xhafaj, i miratuar në mbledhjen e djeshme të grupit socialist. Në përfundim të arsyetimit thuhet se propozimi për ngritjen e këtij komisioni është një tjetër shembull negativ i keqpërdorimit të Kuvendit në funksion të interesave partiake dhe elektorale të partisë në pushtet. Për këto arsye opozita do të votojë kundër kërkesës së iniciuar për ngritjen e një komisionit hetimor, por në qëndrimet e saj publike Partia Socialiste do të kritikojë rolin dhe kontributin e Kreshnik Spahiut në drejtimin e KLD-së.
Akuzat e PD për nënkryetarin e KLD
Ka devijuar nga funksioni kushtetues dhe e ka zëvendësuar atë me veprimtari politike të papajtueshme me detyrën. Kushtetuta i kërkon zëvendëskryetarit të KLD-së të përfaqësojë në publik institucionin kushtetues dhe jo interesa grupazhi politik.
Ka abuzuar në mënyrë flagrante me kompetencat që i jep Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe ushtrimi i tyre si presion ndaj gjyqësorit dhe veprimtarisë së tij kushtetuese, në favor të platformave të caktuara politike. Zv. kryetari i KLD-së ka ushtruar presion të një natyre politike mbi veprimtarinë gjyqësore, duke abuzuar me tagrin e tij dhe të KLD-së.
Është larguar me misione afatgjata dhe në mënyrë të përsëritur, në funksion të axhendës politike, pa leje të autoriteteve eprore sipas ligjit, që ka dëmtuar rëndë veprimtarinë e institucionit.
Si do të votojnë deputetët e PS në seancë
Deputetët socialistë do të votojnë pro projektligjit Për ratifikimin e konventës rajonale për rregullat preferenciale Pan-Euro-Mediteriane të origjinës.
Deputetët socialistë do të votojnë pro projektligjit Për disa ndryshime në ligjin nr. 8951, datë 10.102002 për numrin e identitetit të shtetasve.
Deputetët socialistë do të abstenojnë për aktin normativ nr. 5, datë 28.12.2011, Për një ndryshim në ligjin nr 10.418, datë 21.4.2011, Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjesë të borxhit tatimor dhe doganor.
Deputetët socialistë do të votojnë kundër kërkesës Për nisjen e procedurës së shkarkimit nga detyra të zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kërkues 28 deputetë të grupit parlamentar të PD
