Prokuroria: Pse kërkuam imunitetin e tre deputetëve të PS-së
Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar Parlamentit një kërkesë për heqjen e imunitetit të deputetëve Taulant Balla, Besnik Baraj dhe Tom Doshi duke i akuzuar për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme. Ndërkohë shoqëruar me këtë kërkesë ndodhen edhe tre dosje tepër voluminoze, të cilat, sipas prokurorisë, tregojnë aktivitetin e tre deputetëve më 21 janar të vitit të kaluar. Dosjet shoqërohen edhe me tabela fotografike të deputetëve gjatë protestës dhe takimeve të tyre me protestues të ndryshëm.
Më poshtë pjesë nga kërkesa e prokurorisë për heqjen e imunitetit të tre deputetëve:
…Nga hetimet e kryera rezulton e provuar se më date 21.01.2011, në intervalin kohor midis orës 13:30′-17:00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” Tiranë, para godinës së kryeministrisë është zhvilluar një demonstratë proteste, e njoftuar më parë nga subjekti politik Partia Socialiste e Shqipërisë. Gjatë këtij grumbullimi masiv njerëzish, persona të ndryshëm, pjesëmarrës në protestë, kanë qëlluar me sende të forta në drejtim të forcave të caktuara për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike si dhe objektit ku ndodhen zyrat e Këshillit të Ministrave. Në një moment të protestës, nga efektivat që kishin marrë nën mbikëqyrje objektin e Këshillit të Ministrave, është qëlluar me armë zjarri.
Nga kryerja e veprimeve hetimore për këtë ngjarje është evidentuar se, si pasojë e përdorimit të armëve luftarake kanë gjetur vdekjen shtetasit Ziver Veizaj, Hekuran Deda dhe Faik Myrto, si dhe janë plagosur 6 persona të tjerë, prej të cilëve shtetasi Aleks Nika ka gjetur vdekjen pas disa ditësh. Nga ana tjetër, rezulton se, si pasojë e veprimeve të dhunshme të pjesëmarrësve në protestë, janë dëmtuar me mjete të forta 36 punonjës të forcave të policisë, efektivave të Gardës së Republikës, si dhe janë shkaktuar dëme materiale në pasuri shtetërore dhe private…
Nga te dhënat e grumbulluara gjatë hetimit janë evidentuar të dhëna dhe indicie që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, zotërinjtë Tom Doshi, Taulant Balla, Besnik Baraj, me veprimet e tyre gjatë tubimit të datës 21.01.2011 kanë konsumuar veprën penale të “Organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme”. Konkretisht është evidentuar se:
Nga pamjet filmike të administruara në këtë procedim penal evidentohet se personat përpara objektit të QNK (Piramidës), në krah të selisë së Këshillit të Ministrave, pranë të cilëve ka qenë edhe deputeti Taulant Balla, kanë qëlluar me gurë e sende të tjera në drejtim të objektit të Kryeministrisë.
Po kështu, sipas procesverbalit të këqyrjes së telefonit celular nr. 069 58 ***, që i përket shtetasit Igers Vangjeli, rezulton se ky i fundit ka qenë në kontakt me deputetin Balla (cel 068 20 ***), pasi është evidentuar një SMS me këtë përmbajtje: “Taulant çfarë të bëjmë tani? Pse u tërhoq shumica? Ky tekst mesazhi na bën të dyshojmë për një lloj varësie të disa protestuesve nga orientimi i këtij deputeti.
Referuar deklarimit të deputetit Tom Doshi dhënë me cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana të hetimit datë 11 shkurt 2011, rezulton se ai ka organizuar pjesëmarrjen e personave nga komunat Bushat, Dajç, Velipojë, Gur i Zi, Oblik etj, në tubimin e protestës të datës 21 janar 2011.
Nga pamjet filmike të administruara në funksion të këtij procedimi penal, evidentohet se shumë protestues të ardhur nga Shkodra apo zona të tjera përreth, të cilët janë organizuar nga ana e deputetit Tom Doshi për të marrë pjesë në tubimin e protestë së datës 21 janar 2011.
Po nga të njëjtat pamje filmike, mund të dallohet se shtetasit Lin Ndreu dhe Gjin Ndreu, tashmë të dënuar me vendim të gjykatës, por edhe shtetas të tjerë pjesëmarrës në këtë proteste, përpara se te konfrontohen me forcat e policisë, kontaktojnë në mënyrë të përsëritur me deputetin Tom Doshi.
Si përfaqësues i subjektit politik Partia Socialiste e Shqipërisë, kryetari i kësaj partie për Tiranën, deputeti Besnik Baraj, ka njoftuar Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë për kryerjen e një tubimi proteste më date 21 janar. Në përgjigje të kësaj kërkese, Policia i është drejtuar kërkuesi duke i bërë me dije se, ne respekt të sa parashikon ligji, duhet të përcaktojë Drejtuesit e tubimit dhe Ndihmësit e tij, duke i pajisur këta me shenja dalluese. Gjithashtu, nga Policia është kërkuar edhe përcaktimi i orarit të përfundimit të tubimit si edhe itinerari që do të ndiqej nga pjesëmarrësit.
Z. Baraj, nuk ka përcaktuar se kush do të ishin personat konkretë që do drejtonin tubimin dhe as ndihmësit e tyre, të cilët dhe do të garantonin mbarëvajtjen e tubimit. Në kushtet kur deputeti Besnik Baraj është përfaqësuesi i subjektit politik që mori përsipër zhvillimin normal të një tubimi paqësor dhe për shkak të mosmarrjes së masave të nevojshme në përputhje me ligjin për tubimet, shpërfillje e cila ndikoi në degradimin e protestës në akte të dhunshme, janë fakte të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm se ai ka konsumuar elementët e veprës penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, parashikuar nga neni 262 i Kodit Penal.
Deputetë e PS: Të jemi më të ashpër me prokurorinë
Qëndrimi i kryetarit të selisë rozë, Edi Rama mbi 21 janarin dhe vlerësimi i tij për punën e prokurorisë ka shkaktuar debate në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PS-së. Me tone të qeta, Edi Rama, ka përgëzuar Prokurorinë e Përgjithshme për hapin e hedhur mbi hetimet e ngjarjes së 21 janarit, por deputetët nuk e kanë miratuar këtë qëndrim. Burime nga ky takim bëjnë të ditur për gazetën Shekulli, se nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erjon Braçe, ka shprehur kundërshtinë e tij mbi qëndrimin e mbajtur nga kreu i socialistëve. Qëndrimi i Braçes është mbështetur edhe nga deputetë të tjerë të PS-së.
Rama
Që në fillim të mbledhjes Edi Rama tha se identifikimi i vrasësit të Faik Myrtajt, komandanti famëkeq i Gardës Republikane, dhe arrestimi i tij është një lajm lehtësues edhe pse mbeten tre vrasje të tjera për tu zbardhur. Krahas përgëzimit të prokurorisë, ai ka falënderuar në emër opozitës qeverinë amerikane dhe ambasadorin Arvizu, për mbështetjen totale që po i japin hetimit edhe falë përfshirjes së FBI-së. Në vijim të shprehjes së qëndrimit të opozitës, Rama kërkoi nga prokuroria që të kryeministri Berisha dhe të ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, të vihen nën hetim. Në fakt, Sali Berisha, bashkë me ish ministrin e tij të Brendshëm, duhet të ishin zyrtarisht nën hetim për vrasjet e 21 janarit. Ska batalion ushtarak që hap zjarr pa urdhër dhe ska komandant Garde që urdhrin e jep pa e marrë nga lart. Komandanti i arrestuar i Gardës Republikane mund të pranojë të bëhet kokë turku dhe të mos e thotë se kush ia dha urdhrin, por drejtësia shqiptare smund të mjaftohet me arrestimin e tij dje apo të ekzekutorëve të tjerë nesër,- deklaroi kryetari i Partisë Socialiste. Sipas tij, pa ndëshkimin e urdhëruesve drejtësia do të jetë e paplotë dhe vrasjet do të mbeten të pandëshkuara plotësisht. Duke folur për heqjen e imunitetit të deputetëve Doshi, Balla dhe Baraj, Rama tha që është e pamjaftueshme, ndërkohë që mbetet pa u hequr imuniteti i deputetit Sali Berisha. Në përfundim të fjalës së tij, mediat kanë dalë jashtë sallës dhe diskutimi ka vijuar mbi këtë pikë.
Deputetët
Kryesocialisti ka folur sërish në mbledhjen e deputetëve pa praninë e medias dhe më pas është larguar për shkak të një dreke pune me Presidentin e Kroacisë. Pas këtij momenti, burime nga grupi parlamentar
