Dëshmia nga brenda Gardës për pistoletën e Ndrea Prendit
Komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, është tradhtuar nga shefi i armatimit të tij, i cili i ka treguar prokurorëve se kush ishte personi që kishte në përdorim pistoletën që vrau Faik Myrtajn më 21 janar të vitit të kaluar. Edhe pse fillimisht Prendi e ka mohuar se ishte pistoleta e tij, ai është detyruar të heshtë kur është ballafaquar me shkresat dhe dëshminë e shefit të armatimit Mark Ndoj. Këtë provë prokuroria e kishte lënë jashtë dosjes që kishte dërguar në Gjykatën e Tiranës, por pasi gjykata dha masën e sigursë arrest shtëpie, ka vendosur ta paraqesë në Gjykatën e Apelit.
Burimet e prokurorisë thanë se Mark Ndoj, shefi i armatimit të Gardës është marrë në pyetje dje për disa orë dhe ka konfirmuar se arma me nr. P52796Z është e tërhequr nga depoja e armëve nga vetë komandanti Ndrea Prendi. Për këtë ekziston edhe dokumenti zyrtar me firmë, vulë dhe numër protokolli.
Thirrja e Ndojit në prokurori është kryer paralelisht me atë të Prendit. Hetuesit shpjeguan se Prendi dhe Ndoji po merreshin në pyetje njëkohësisht në dy zyra të ndryshme për të krahasuar dëshmitë. Sipas deklarimeve të shefit të armatimit të Gardës, arma që është marrë nga prokuroria për ekspertim dhe e cila është identifikuar se ka vrarë Faik Myrtaj, në regjistra figuron që është në përdorim të Komandantit të Gardës, Ndrea Prendi. Sipas këtyre regjistrave, çdo armë që tërhiqet nga punonjësi i Gardës për përdorim personal regjistrohet me numër dhe emër përdoruesi. Në këtë regjistër shënohet që arma me nr. P52796Z është marrë në dorëzim nga vetë Prendi dhe që nga ajo kohë nuk është kthyer më,- thanë prokurorët. Vetë Ndrea Prendi ka firmosur vendimin për dorëzimin e tetë pistoletave tek prokuroria.
Ku u gjendën predhat e plumbave
Në trupin e viktimës Faik Myrtaj, u gjet një predhe arme zjarri, kalibër 9 mm, me pamje të rregullt me formë cilindrike me majë sferike, me gjatësi 14.8 mm dhe peshë 7.472 gram.
Në kokën e viktimës Aleks Nika, u gjet një predhë arme zjarri, e deformuar, kalibër 9 mm, me gjatësi të plotë 15.5 mm dhe gjerësi në njërin drejtim 8 mm dhe në drejtimin tjetër 11 mm. Në momentin që është qëlluar viktima ndodhej afër vendit ku ndodhej edhe viktima Faik Myrtaj.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, të kryer në datën 29.01.2011, në një nga pemët dekorative është gjetur dhe sekuestruar një predhë, vetëm me një përmasë të shprehur dhe konkretisht 9 mm, e cila është përshkruar hollësisht në procesverbalin përkatës.
Në ndërtesën e U.N.H.C.R-së, tek kati i dytë, zyra nr. 7, u gjet një predhë arme zjarri, e dëmtuar, kalibër 9 mm, me gjatësi 12.5 mm.
Në ndërtesën e U.N.H.C.R-së, tek kati i tretë, zyra nr. 12, u gjet një predhë arme zjarri, e dëmtuar, kalibër 9 mm, me gjatësi 12 mm.
Në ndërtesën e U.N.H.C.R-së, tek kati i tretë, zyra nr. 12, u gjet një predhë armë zjarri, e dëmtuar, kalibër 9 mm, me gjatësi 13 mm.
Në oborrin e Kryeministrisë, në anën veriore të tij, u gjetën njëmbëdhjetë gëzhoja kalibër 9 mm, të cilat janë qitur nga arma e zjarrit tip “Beretta”, e kalibrit 9 mm dhe me numër P52796Z (pistoleta e shtetasit Ndrea Prendi).
Çfarë ndodhte dje në apartamentin e Ndrea Prendit
Dritaret e shtëpisë janë të mbyllura ndërsa një tendë e madhe ngjyrë jeshile me vija të bardha nuk lejon që as rrezet e dritës së depërtojnë në apartamentin e katit të katërt, diku pranë Gardës së Republikës. Pikërisht këtu është shtëpia e Ndrea Prendit. Për së jashmi asgjë nuk duket se pipëtin brenda mureve të apartamentit ku Prendi i akuzuar për vrasje në 21 janar, manipulim provash dhe mashtrim, duhet të jetë nën masën komode të sigurisë arrest shtëpiak. Një grua rreth të 60-tave që na tregon shtëpinë e gjeneralit të Gardës thotë: Banon në katin e katërt por sot skemi parë asnjë njeri të dalë e të hyjë nga shtëpia. Veç kalimtarëve dhe banorëve të zonës përreth pallatit nuk sheh ndonjë masë ekstra sigurie. Nuk ka as policë me uniformë dhe as agjentë që kqyrin zonën përreth në raste të tilla. Askush deri në katin e katërt. Aty, në shesh-pushimin e pallatit një polic i ulur në shkallë, qëron fara. Polici është i vetëm. Të thotë se ka urdhur të prerë jo vetëm që të mos komunikojmë me mediat por as edhe të lejojë kënd të trokasë në derën e mbyllur të apartamentit. Kemi urdhër të prerë që askush të mos takohet me komandantin dhe as ti afrohet shtëpisë ndaj ju lutem largohuni prej këtu- thotë ai. Vëzhgimi prej së largu i shtëpisë së Prendit është një mund i kotë. Për orë të tëra asgjë nuk lëviz nga brënda. Nuk duket as një dritë e zbehtë sa për të dëshmuar që aty jetojnë njerëz. Madje as kur bie errësira…
***
A është normale që një person për të cilën gjykata ka vendosur masën e sigurisë arrest shtëpie të mbahet nën mbikëqyrje vetëm nga një punonjës policie? Në rastet e deritanishme kur policia e shtetit garanton ruajtjen 24 orë të personit nën masë sigurie janë minimalisht dy punonjës policie. Në varësi të veprës penale vendosen në shërbim edhe agjentë të fshehtë. Gjithçka funksionon mbi një plan masash të përcaktuara nga drejtori i Policisë së Qarkut apo shefat e komisariateve që mbulojnë banesën e personit për të cilën është shprehur gjykata. Në rastin kur personi përbën rrezikshmëri të lartë apo siguria e tij ka rëndësi për vijueshmërinë e procesit gjyqësor ky plan hartohet nga Drejotri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Në rastet më të rëndomta, ku personi nën ruajtje nuk konsiderohet i rëndësishëm për procesin e gjykimit dhe nuk përbën rrezikshmëri të lartë, numri i policave që kryejnë shërbim është të paktën dy ndërkohë që në mbështetje të tyre vendosen dhe agjentë civilë përreth banesës.
***
Në faqen zyrtare të Gardës së Republikës Prendi vazhdon të jetë komandant i këtij institucioni dhe pse dy ditë më parë u pezullua dhe në këtë post u emërua Artan Hoxha. Për këtë emërim në faqen zyrtare të gardës së Republikës nuk ka ende asnjë rresht të shkruar.
Inxhinieri: Jam marrë me një kamera, se di çndodhi me 11 të tjerat
TIRANË- Misteri i kamerave të kryeministrisë që kanë filmuar gjithçka që ka ndodhur më 21 janar të vitit të kaluar është thelluar edhe më shumë pasi prokuroria ende nuk ka mundur të gjejë njeriun që ka dhënë urdhrin për kopjimin dhe filmimin e pamjeve. Njeriu i vetëm që mund ta tregojë këtë është inxhinieri Armando Kasa, i cili është marrë i pandehur nga prokuroria. I pyetur sërish dje ai ka pranuar se është njeriu që ka kopjuar imazhet, por jo të të gjitha kamerave. Kasa ka shpjeguar se ai është administratori i rrjetit që ka fjalëkalimet e nevojshme. Kjo gjë është konfirmuar edhe nga ekspertiza e FBI-së për këtë çështje. Kasa ka pranuar se ka marrë urdhër, por nuk tregon kush është personi që ka dhënë urdhrin apo se me kë ka bashkëpunuar për të kryer kopjimin dhe fshirjen e pamjeve. Kjo e bën atë të vetmin përgjegjës për këto veprime,- thanë hetuesit e çështjes.
Kasa ka shpjeguar përpara prokurorëve se është marrë vetëm me kamerën lëvizëse, e cila ndodhej mbi kryeministri. Nga ana tjetër, i pyetur nga prokurorët, ai nuk di të thotë se çfarë ka ndodhur me pamjet filmike të 11 kamerave të tjera që kanë qenë në punë. Prokurorët kanë verifikuar të gjitha procedurat dhe sipas tyre, Kasa është njeriu i vetëm që mund të japë shpjegime të besueshme për atë që ka ndodhur. Teknikisht askush tjetër veç inxhinierit Armando Kasaj nuk mund të bënte as fshirjen dhe as riformatimin e serverit të kryeministrisë sepse vetëm ai kishte të dhënat e përdoruesit dhe fja
