E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rushaj: Taksa e qarkullimit për mbledhje efektive të taksave në buxhet

Zëvendës ministri Rushaj ka sqaruar për qytetarët se taksa e qarkullimit dhe regjistrimit të makinave do të vilen përmes taksës së karburantit, pasi qytetarët kanë abuzuar me taksat duke mos i paguar ato. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, evazioni fiskal në taksat e makinave ka qenë gati 40 për qind. Ndërkohë që zhvendosja e taksës së qarkullimit tek nafta e eliminon totalisht këtë evazion. Rushaj ka sqaruar se qeveria shqiptare kujdeset për mbrojtjen e mjedisit e si rrjedhojë, ai që do ta dëmtojë atë më shumë duke qarkulluar me makinë, do të paguajë më shumë taksë. Duke iu referuar akcizës për lëndët djegëse, ai sqaron se ndryshimet në ligj parashikojnë rimbursimin automatik. “Pra industritë prodhuese që përfitojnë nga rimbursimi i akcizës do ta bëjë këtë në mënyrë automatike në muajin pasardhës me të gjitha detyrimet që këto industri do të paguanin, duke iu referuar TVSH-së, akcizës së vet, tatimfitimit etj” - shprehet Rushaj. Si rezultat i ristrukturimit të taksës së makinave, me paketën e re fiskale taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin caktohet në masën 5 lekë litri, deri në 31.12.2011, pas kësaj date, taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin caktohet në masën 7 lekë litri. Kjo taksë zbatohet si për benzinën dhe gazoilin e importuar, ashtu edhe për ato të prodhuara në vend. Për pasojë, kjo taksë pritet të reflektohet menjëherë në çmimin e naftës dhe benzinës, të cilat do të rriten minimalisht me 7 lekë për litër. Taksa e karbonit, ose taksa e ndotjes, siç njihet ndryshe, do të transferohet te çmimi i karburanteve. Taksa e karbonit që është aktualisht mbi benzinën në masën 1,5 lekë/litri dhe gazoilin në masën 3 lek/litri, do të aplikohet edhe mbi disa kategori të reja nënproduktesh nafte, mbi vajgurin, solarin, mazutin dhe koks nafte. Në këtë mënyrë, taksa e karbonit do të aplikohet mbi prodhimin vendas dhe importin e këtyre nënprodukteve të naftës, me këto nivele taksimi; gazoili 3 lekë për litër, benzinë, 1.5 lekë për litër, solar dhe mazut 3 lekë për litër, vajguri 3 lekë për litër, Koks naftë 3 lekë për kg. Taksa e regjistrimit të përvitshëm dhe taksa e qarkullimit të përvitshëm të makinave janë taksa që sipas skemës së re aplikohen në bazë të parimit të shfrytëzimit/përdorimit të infrastrukturës rrugore dhe të ardhurat prej tyre shkojnë në programet investuese të infrastrukturës rrugore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›