E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita, Qeveria po bënë lojë me pensionistët

Deputetët e pozitës dhe ata të opozitës janë përplasur në Kuvendin e Kosovës për Projektligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti. Përderisa opozita kërkoi që të kthehet prapa ky projektligj, për shkak se nuk i plotëson kërkesat e pensionistëve, pozita nga ana tjetër, e vlerëson humbje kohe kthimin prapa, për herë të dytë, të projektligjit. Pas një debati të gjatë projektligji u miratua në lexim të parë me 44 vota për, 38 kundër dhe 2 abstenime.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, teksa prezantoi Projektligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti, tha se është i vetëdijshëm që nuk plotësohen të gjitha kërkesat që kërkohen nga pensionistët. Megjithatë, ai kërkoi miratimin e tij, ndërsa shprehu gatishmërinë e Qeverisë për të bërë çdo gjë për plotësimin e kërkesave të pensionistëve.

“E di që pensionistët kërkojnë më shumë beneficione sesa ky ligj. Ne kemi shfaqur gatishmërinë tonë për rritjen e pensioneve. Mendoj se një rritje prej 40 për qind është evidente”, ka thënë ai.

Gjithashtu, ai ka pohuar se miratimi i këtij Projektligji është i nevojshëm, pasi që priten të arrihen shumë marrëveshje me shtetet e BE-së.

Deputetja e PDK-së, Salihe Mustafa, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, ka thënë se ky projektligj duhet të miratohet sot, pasi që ligji është i mirë dhe është i harmonizuar edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

Ajo ka shtuar se Projektligji përfshinë skemën e pensionit bazik të moshës, skemën e pensionit kontributdhënës, skemën e pensionit të aftësisë së kufizuar dhe skemën e pensionit të parakohshëm.

“Përmes këtij projekligji përherë të parë parashihet të rregullohen edhe çështjet e pensionit familjar dhe invalidor të punës në rast kur kontributpaguesit lëndohen në punë apo fitojnë sëmundje profesionale”, ka thënë Mustafa.

Për më tepër, ajo ka shtuar se përmes këtij projektligji parashihet që pensionet e pensionistëve tatimpagues të rriten 26 %, ndërsa pensionet e moshës 11 %, ndërsa njëra nga kërkesat e pensionistëve ishte që kjo rritje të realizohet me një rritje të Qeverisë për vitin 2012.

Sipas saj, Qeveria e Kosovës realizoi këtë kërkesë dhe mori vendimin për pagesën e pensioneve me rritjen e paraparë me këtë projektligj.

Nga ana tjetër, deputeti i LDK-së, Bahri Thaçi, në emër të GP të LDK-së, ka thënë se sot në Kuvend është ardhur i njëjti projektligj që nuk ka pësuar asnjë ndryshim pozitiv nga versioni i mëparshëm që ky Kuvend ia kthyer Qeverisë për ridraftim.

“Kërkesa e jonë ka qenë që ky ligj të rishikohet dhe merren në konsideratë kërkesat e arsyeshme të pensionistëve dhe të zgjidhet statusi i pensionistëve të financuar nga shteti. Kur kemi kërkuar këtë kemi parasysh që kjo kategori e qytetarëve të Kosovës ka bërë shumë për Kosovën, ndërsa tash është kategoria për të cilën e bërë më së paku”, ka thënë Thaçi.

Po ashtu, ai ka thënë se personat e larguar në vitet e 90-ta nga puna është lënë jashtë këtij ligji.

Grupi Parlamentar i LDK-së konsideron se me këtë projektligj nuk është bërë kategorizimi i pensionistëve, sipas nivelit të arsimimit, ngritjes profesionale, sipas viteve të kontributdhënies.

Për LDK-në, është i paqëndrueshëm neni 31 i cili thotë se dispozitat e nenit 11 pagesat e pensionit invalidor të punës dhe dispozitat e nenit 12 pagesat e pensionit familjar të fillojnë së zbatuari nga 1 janari i vitit 2016 në përputhje me fondet buxhetore në dispozicion.

Thaçi thotë se rritja e pensioneve nga Qeveria nuk mund të konsiderohet si rritje tani, pasi që po bëhet viti i tretë ku në buxhetin e Republikës së Kosovës është paraparë kjo rritje, por që nuk është realizuar. “Po dëshmohet se kjo qeveri i rrit pagat vetëm atëherë kur ka ndonjë krizë të brendshme politike që është kjo tani”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se LDK është kundër këtij projektligj dhe nuk do të votojë atë.

Nga ana tjetër deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu ka thënë se sistemi pensional aktual në Kosovës është i padrejtë, sepse injoron pensionistët e sotëm dhe përkujdeset vetëm për ata të së ardhmes.

“Harrohet se kjo e ndërtuar që ne po e gëzojmë sot është bërë nga ata pensionist apo nga ata që nuk janë më. Arsyetimi i krizës financiare është aty vetëm për të shfajësuar problemet. Pra, problemi nuk qëndron tek kriza financiare. Të thuash pensionistëve se këta që punojnë sot e bëjnë për veten e tyre dhe të ju thuhet se juve nuk kemi se çka të ju bëjmë është shumë e padrejtë, është e rëndë dhe në përgjithësi është një mosmirënjohje”, ka deklaruar Aliu.

Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes konsideron se vendimi i Qeverisë për rritjen e pensioneve vjen në kohën kur pensionistët e lodhur paralajmërojnë protesta ose Qeveria është në ndonjë siklet politik.

Ndërsa deputetja e AAK-së, Donika Kadaj – Bujupi ka thënë se ligji nuk e plotëson as nevojat minimale.

“Kërkojmë nga Qeveria që përtej premtimeve dhe deklaratave mediatike, të ulet dhe të hartojë një projektligj që do t’u mundësojë pensionistëve të paktën minimalin e kërkesave dhe nevojave për të mbijetuar”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

Por deputeti i PDK-së, Hydajet Hyseni ka thënë se kur sillet një ligj ashtu siç është kthyer ka një defekt, por siç ka thënë ai duhet të dilet nga kjo situatë.

Ai ka thënë se kjo kategori duhet të ketë një trajtim më të mirë. “I kemi borxh si shoqëri dhe mendoj se nuk e meriton një trajtim çfarë e ka . Kjo është një e drejtë që u takon, që u nëpërkëmbën, është një e drejtë edhe me akte universale që na obligojnë. Nëse ka një fond të privatizimit që po zhvlerësohet, i kujt është ai fond”, ka thënë Hyseni.

Madje, ai ka thënë se një çështje që kërkon zgjidhje është edhe e vërteta e fondit pensional që, sipas tij, kurrë nuk u ditë e vërteta dhe pse kjo çështje nuk u shtrua në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka propozuar që ligji të mos kthehet e me ndryshimin e tij të merret komisioni në bashkëpunim me të gjitha nivelet, në mënyrë që të jetë një ligj funksional e që nuk e bankroton shtetin.

Kuvendi ka miratuar sot edhe Projektligjin për jurisprudencën, i cili është shqyrtuar në seancën e djeshme, ndërsa në rend dite ka edhe debatin parlamentar, sipas kërkesës së deputetes së Vetëvendosjes, Alma Lama, lidhur me shpenzimin e fondeve publike nga ana e Qeverisë së Kosovës. Po ashtu, në rend dite ka edhe shqyrtimin e statutit të Universitetit të Prishtinës dhe raportin e pasqyrave vjetore financiare të UP-së. /Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›