E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush është opozitë?

Mocioni për pezullimin e privatizimit nxori në pah pozicionimet e reja të partive dhe deputetëve. Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi u rreshtuan përkrah Lëvizjes Vetëvendosje, derisa shumica e deputetëve të AAK’së mbështetën Qeverinë duke abstenuar ndaj mocionit të Opozitës.

Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ia kanë dhënë haptazi krahun Qeverisë, kur kanë vendosur të abstenojnë gjatë votimit të mocionit të Vetëvendosjes për procesin e privatizimit.

Kështu, votat e Blerim Shalës, Ardian Gjinit, Burim Ramadanit, Kymete Bajramit, Time Kadrijajt, Teuta Haxhiut dhe Bali Muharremajt, kanë mundësuar që opozita të dalë humbëse përballë pozitës

Mocioni i Vetëvendosjes që kërkonte ndaljen e privatizimit ka marrë 45 vota për, 53 kundër, ndërsa 9 kanë abstenuar.

Nëse të gjitha votat e AAK’së do ta përkrahnin opozitën, atëherë gjasat për t’u bllokuar privatizimi kanë qenë të mëdha.

Të enjten, votat në Kuvendin e Kosovës kanë qenë të përziera, pavarësisht përkatësisë partiake të deputetëve.

Jakup Krasniqi, Fatmir Limaj dhe Justina Pula kanë votuar sikurse deputetët e LDK’së dhe të Vetëvendosjes, ndërsa kanë abstenuar Flora Brovina e Hydajet Hyseni..

Pro opozitës kanë dalë edhe dy deputetët e tjerë të Koalicionit për Kosovë të Re, Muhamet Mustafa dhe Amir Ahmeti.

Deputetët e komuniteteve të pranishëm në Kuvend kanë votuar kundër mocionit që ndalon privatizimin.

Mocioni i propozuar nga Lëvizja e Albin Kurtit është vendosur të votohet pas një debati mes PDK’së dhe Vetëvendosjes, kur pozita ka kërkuar që krahas mocionit të opozitës të nxirret për votim edhe një rezolutë e PDK’së.

Por, në fund Kryetari i Kuvendit ka vendosur ta qesë për votim vetëm mocionin e opozitës.

Kushte për MPJ’në

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj ka kaluar më mirë sesa e kishte paramenduar në interpelancën për procesin e njohjeve.

Ndërsa kanë mbetur pa u sqaruar deri në fund çështja e njohjes së Malit si dhe dy njohjet e tjera pa nota verbale, të Nigerisë dhe të Ugandës.

Në fund të debatit, LDK’ja, e cila e ka thirrur interpelancën, është pajtuar me partitë e tjera, duke votuar rekomandime për të cilën votën “pro”e kanë dhënë 67 deputetë, kurse vetëm një ka qenë kundër.

Në pikën e parë të rekomandimeve i kërkohet Qeverisë që të sqarojë deri në fund të vitit njohjen nga Mali, Nigeria dhe Uganda.

Qeverisë i kërkohet po ashtu që urgjentisht t’i sqarojë kompetencat e anëtarëve të Qeverisë, duke përshkruar saktë obligimet dhe detyrat e punës së të gjithë përfaqësuesve që merren me politikën e jashtme.

Kuvendi i ka kërkuar Qeverisë që të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Europës dhe të njoftojë deputetët për çdo tre muaj.

Dy rekomandimet e fundit i janë drejtuar Ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj, të cilin e kanë obliguar t’i përgjigjet Komisionit për Politikë të Jashtme si dhe të ndalojë politizimin e shërbimit diplomatik.

Ndryshe, deputetët e pozitës dhe të opozitës kanë dhënë vlerësime krejt të ndryshme për sa i përket diplomacisë.

Të gjithë për diplomacinë

Deputetët e PDK’së në mënyrë sistematike kanë lexuar fjalimet e përgatitura me shifra dhe të dhëna që tregojnë për punën e MPJ’së, ndërsa ata të LDK’së dhe të Vetëvendosjes kanë nxjerrë disa prej dështimeve të diplomacisë. I pari që ka nisur lëvdatat për MPJ’në ka qenë ish-Ministri Zenun Pajaziti, pastaj Idriz Vehapi, Suzanë Novobërdali dhe Ramiz Llardovci.

Ndërkohë, Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se nuk duhet të anashkalohen arritjet në diplomaci, pavarësisht disa dështimeve.

Ai ka thënë se aktualisht nuk po mund të arrijnë më shumë njohje.

“Mund të them se suksesi i arritur është madhor në krahasim me lëshimet apo ndonjë dobësi e paraqitur dhe unë dua që të kemi më tepër se 100 njohje, por nuk mund t’i arrijmë. Është e vërtetë, na kishin premtuar që do të kemi njohje të shpejta, por edhe është e vërtetë që pastaj ato njohje janë ngadalësuar. Pse janë ngadalësuar, është çështje që mund të diskutojmë gjerë e gjatë edhe në parlament, edhe jashtë, edhe në takime të mbyllura dhe në komisione të ndryshme”, ka theksuar Thaçi.

Kryediplomati Enver Hoxhaj ndërkaq ka thënë se Ministria që ai e drejton “ka sjellë njohje”.

“Brenda 17 muajve, Republika e Kosovës është njohur nga 17 shtete. Për çdo muaj, kemi arritur të sjellim nga një njohje. Jemi përkrahur nga aleatët e fuqishëm si SHBA’ja, Britania e Madhe, Franca, Italia e shtetet e tjera. Jemi shumë falënderues ndaj këtyre shteteve. Një qasje të veçantë edhe ndaj 5 shteteve të BE’së që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Pa dyshim që mosnjohja nga këto vende paraqet sfidë dhe ka të bëjë me politikën e tyre të brendshme, por jo të jashtme”, ka theksuar Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm e ka përsëritur shpjegimin e mëhershëm që kishte dhënë për Malin.

“Unë ndjej keqardhje para qytetarëve dhe Malit. Në të njëjtën kohë, përpjekja ime dhe si MPJ është që në çdo formë me çdo kusht ta ruajmë kredibilitetin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Por, me konstatimet e Enver Hoxhajt nuk është pajtuar ish-kryediplomati Skënder Hyseni.

Pa e përmendur emrin e Pacollit, Hyseni ka thënë se diplomacia e Kosovës është diskredituar, duke u bërë pjesë e pazareve.

“E keni lënduar keq, e keni diskredituar, e keni komprometuar keq diplomacinë. Madje, madje duke u përpjekur të instalohen edhe metoda korruptive në një proces, i cili duhet të ruhet aq i pastër dhe i pakomprometuar, sepse vetëm si i tillë në afat të gjatë, Kosovës i sjell dobi”, ka thënë Hyseni.

Edhe Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka kritikuar MPJ’në për emërimet në stafin diplomatik, duke e marrë shembullin e Ahmet Shalës.

“Përveç shkeljeve të ndryshme ligjore që i kemi diskutuar në Komision, kemi edhe dobësi të llojit të kandidatit për ambasador, Ahmet Shala, i cili bashkë me të ndjerin Dino Asanaj u paraqit person kryesor i privatizimit neoliberal. Dino Asanaj përjetoi vdekje të dhunshme, ndërkaq Ahmet Shalën po e fërfllojnë në Japoni si ambasador, pas dështimit që ai të bëhet ambasador në Belgjikë dhe në SHBA”, ka thënë ai.

Ndryshe, prej zyrtarëve të tjerë, udhëheqësi aktual i AAK’së, Blerim Shala ka thënë se diplomacia e Kosovës është përcjellë në vazhdimësi me probleme.

“Po që se synojmë të bëjmë vlerësim të punës, nuk është vështirë të spikaten të metat që kanë përcjellë në vazhdimësi diplomacinë”, ka thënë Shala.

Ndryshe, Sabri Hamiti i është referuar një teksti të Faik Konicës për diplomacinë e Shqipërisë, teksa ka folur për punën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

Ai ka thënë se sikurse në kohën e Konicës, edhe tash diplomacia e Kosovës ka Zullu dhe Zullulanda.

”Zullutë e Konicës e kanë zot drurin. Nuk jemi në atë situatë dhe unë mendoj që duhet konsensus për kualitet për përgjegjësi. Kurrkush në këtë vend, ideal nuk ka me u ba”, ka thënë Hamiti.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputeti i PDK’së, Berat Buzhala. Ai e ka përkrahur idenë e Sabri Hamitit që duhet ketë një politikë konsensuale në Kosovë.

Mirëpo, sipas tij, nuk mund të ketë politikë konsensuale kur kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme, Albin Kurti nuk ka zhvilluar ndonjë vizitë tjetër jashtë vendit përpos në Shqipëri.

“Çfarë politike konsensuale mund të zhvillohet këtu kur liderët e opozitës kanë probleme katër vitet e fundit me njeriun kryesor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilin e kanë akuzuar dhe e kanë implikuar në lloj-lloj aferash. Kush është partneri ynë, a është Venezuela, a është Irani, Koreja e Veriut”, ka thënë Buzhala.

Deputeti Ismet Beqiri ka replikuar, duke thënë se deputeti Buzhala dëshiron të bëhet interesant, duke i rekomanduar atij që të mos bëhet avokat i ambasadorit Dell.

“Ky merret me biznese dhe nuk i takojnë si deputet përfaqësues. Mos e lejoni këtë provokator me ba provokime të tilla në seancë. Liderit të opozitës ky po ia numëruaka vizitat. Nuk e di a tek është edhe ky në SHIK dhe vizitat që shkon jashtë. Është e turpshme dhe po e ditka sa vizita i ka bërë zotëri Mustafa”, ka thënë Beqiri.

Ndaj kësaj ka reaguar përsëri Buzhala, duke thënë se Isa Mustafa krejt punën që po e bën, është shtrimi i pllakave më të mira se ato që i kishte shtruar më herët Ismet Beqiri.

Arbeni kërkon falje

Deputeti i LDK’së, Arben Gashi kur ka folur për punën e MPJ’së, e ka përmendur edhe Ministren e Integrimeve, Vlora Çitaku, të cilën e ka cilësuar si të “zonjën për t’u përqafuar me zyrtarët e institucioneve të Kosovës”.

Kjo deklaratë e tij ka shkaktuar reagime te gratë deputete, të cilat kanë kërkuar që ai të tërheqë fjalën dhe të kërkojë falje.

Pasi që ai nuk e bëri një gjë të tillë, Grupi i Grave Deputete, të cilat përbënin shumicën nga radhët e PDK’së, kanë lëshuar seancën. Mirëpo, disa minuta më vonë, deputeti Gashi i ka kërkuar falje, duke i thënë që nuk ka pasur për qëllim të ofendojë atë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›