E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita: Topi, në sfidë me historinë

Rama takon aleatët. “Presidenti, shans të tregojë se nuk iu bind partisë së vet”
Një ditë pas takimit në Presidencë me kundërshtarin e tij, Sali Berisha, kreu socialist, Edi Rama, mblodhi dje një pjesë të madhe të grupit parlamentar socialist e më pas edhe aleatët e tij për t’i informuar rreth ecurisë së takimit.
Burime nga selia rozë bënë me dije se lideri i opozitës ka shprehur në emër të PS-së gjithë pikëpamjen e kësaj partie në lidhje me zgjedhjet e 28 qershorit, problemet që u vunë re në to, si dhe vlerësimin mbi zgjidhjen e duhur, në mënyrë që ato probleme të mos përsëriten më. Rama mësohet t’u ketë thënë deputetëve se bisedimet do të vijojnë, edhe pse në tryezën e parë nuk kishte diçka konkrete. Takimet kanë vijuar me aleatët në mesditë, ku është përcjellë i njëjti mesazh. Burime nga ky takim konfirmuan se në tërësi aleatët kanë rënë dakord me qëndrimin e PS-së në këtë tryezë, por nga ana tjetër ata kërkojnë që Presidenti Topi të vendosë një datë tjetër takimi, pjesë e të cilit sërish duhet të jenë vetëm Berisha dhe Rama. Në tryezë është diskutuar edhe për një takim të shumëpërfolur mes ekspertësh, por duket se ata janë kundër këtij opsioni, pasi në vlerësimin e krerëve të opozitës, tryezat e këtij niveli duhet të vijnë vetëm kur të caktohet hapja e kutive dhe teknicienët të përcaktojnë modalitetet. Mësohet se gjatë zhvillimeve të tryezës, kreu i PLD-së, Spartak Ngjela, ka kërkuar që ndërkohë opozita të vijojë me qëndrimin e saj, duke caktuar edhe datën e protestave. Por Rama dhe drejtues të tjerë të opozitës i janë mbajtur qëndrimit se nuk mund të ketë një datë publike për aq kohë sa vijojnë negociatat.
Pas takimit, kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, tha se zgjidhja duhet të vijë nga Presidenti Topi. “Zoti Rama na informoi rreth takimit të realizuar në presidencë me zotin Berisha dhe na tha se i ka parashtruar në emër të opozitës të gjitha qëndrimet tashmë të njohura, me synimin konstruktiv për të gjetur një zgjidhje. Tani nuk ka bisedë të drejtpërdrejtë të paktën për ditët e ardhshme midis dy drejtuesve, por tashmë “topi” është në zyrën e Topit, te Presidenti i Republikës”, tha Milo. Ndërsa kreu i PLD-së, Spartak Ngjela, e shprehu hapur pikën ku ai ndahet me Ramën, duke deklaruar se duhet përcaktuar data e protestës së madhe që pritet të zhvillohet vetëm nëse dështojnë negociatat. Nga ana tjetër, ai kërkoi një takim mes Ramës e Berishës, si dhe vlerësoi se takimi i dy ditëve më parë ishte një progres, por nuk solli asnjë gjë të re. “Duhet caktuar data për protestën e madhe.
Tryeza ra dakord se data do qëndrojë si çështje e padiskutueshme, por për faktin se mund të shkaktojë shqetësim për tryezën, do të mblidhemi të caktojmë datën kur të shohim që tryeza nuk vlen”, nënvizoi Ngjela. Kreu i G99-s nënvizoi idenë se nuk mund të ketë negociata në pafundësi, ndërsa kërkoi që Presidenti Topi të luajë rolin e tij vendimtar në këtë krizë. “Ai ka një shans për të hyrë në histori, ai ka betejën e vet me historinë. Pas 10 vjetësh populli do ta kujtojë si një President që iu bind partisë së vet, ose si një President që ndau periudhën e pandëshkueshmërisë me periudhën e ligjit”, deklaroi Veliaj. Ndërsa kreu i PDK-së, Nard Ndoka, tha se “opozita s’ka kërkesa ndaj mazhorancës. Nuk ka një listë kërkesash, por kërkon transparencën e zgjedhjeve, është kushtetuese, e drejtë e çdo qytetari dhe force politike, për ta bërë një gjë të tillë”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›