E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kakavijë, Rrjeta e gjelbër kap 90 klandestinë

Sipas policisë, mes tyre ndodhej edhe një vajzë, e cila dyshohet se do të shfrytëzohej për prostitutë

Policia shqiptare dhe ajo greke, përmes një operacioni të përbashkët të koduar me emrin “Rrjeta e gjelbër”, ka kryer bllokimin dhe shoqërimin e rreth 90 shtetasve shqiptarë, të cilët synonin Greqinë, duke hyrë ilegalisht në vendin fqinj. Në këtë aksion u gjet dhe një vajzë, e cila, sipas hetimit, po dërgohej në Greqi për t’u përdorur si prostitutë e gjithashtu janë ndaluar edhe dy të dyshuar si trafikantë klandestinësh.
Burime zyrtare nga Policia e Gjirokastrës thanë se aksioni i 48 orëve të fundit, erdhi në vijim të operacioneve me afat të shkurtër që Policia Kufitare e Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër ka zhvilluar në bashkëpunim me Policinë Greke. Plani i operacionit të koduar “Rrjeta e Gjelbër”, ishte “për parandalimin e kalimit të paligjshëm të kufirit, si dhe për goditjen e të gjitha rasteve të trafiqeve që mund të zhvillohen nëpërmjet kufirit të gjelbër me shtetin grek. Fillimisht është zhvilluar një takim midis drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër dhe drejtorit të Policisë Kufitare të Janinës, si dhe midis shefave të Stacioneve Kufitare të të dyja palëve ku është bërë edhe ndarja e zonave të patrullimit sipas piramidave, me qëllim mbulimin e të gjithë territorit jeshil me forca të policisë të të dyja palëve.
Në përfundim të operacionit u deklarua se nga ana e shërbimeve të Policisë Kufitare të Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër, gjatë dy ditëve të operacionit, janë bllokuar dhe kthyer mbrapsht 58 shtetas, të cilët tentonin të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme. Po kështu është bllokuar edhe një femër që dyshohet se është viktimë e trafikut, ku për këtë rast po punojnë strukturat e specializuara të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër për zbardhjen e plotë. Nga ana e policisë greke gjatë dy ditëve të operacionit janë bllokuar dhe kthyer mbrapsht 30 shtetas, të cilët kishin për qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të paligjshme për në shtetin grek. Po nga këto shërbime janë kapur dhe arrestuar dy shtetas për veprën penale të “dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit”. Policia tha se operacione të tilla me afat të shkurtër do të zhvillohen edhe në ditët e ardhshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›