PD harron Këshillin Kombëtar
Që prej dhjetorit të shkuar, mbledhja e tij vazhdon të shtyhet pa asnjë datë konkrete
Partia Demokratike vijon të shtyjë mbajtjen e mbledhjes së Këshillit Kombëtar, i cili do të zgjedhë kryesinë e kësaj partie, po kështu edhe sekretariatin e saj. Ndonëse në deklaratën e tij të fundit publike, Kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht kryetar i PD-së, ka theksuar se ky forum i lartë drejtues do të mblidhej përpara datës 10 shkurt, kjo nuk ka ndodhur. Këshilli Kombëtar duhej të ishte mbledhur në fundin e vitit të shkuar menjëherë sapo ai u zgjodh nga Kuvendi Kombëtar i PD-së. Ndonëse kjo nuk ndodhi, si pasojë e situatave të ndryshme ai nuk u mblodh as në janar, apo në fillimin e shkurtit, ashtu siç ishte premtuar. Negociatat që Kryeministri Sali Berisha zhvilloi këtë javë me kryetarin e opozitës, Edi Rama, për zgjidhjen e krizës politike në vend, duket se e bënë Berishën ta anashkalojë edhe zgjedhjen e kryesisë së re dhe sekretariatit të demokratëve. Sipas statutit, do të jetë kryetari i PD-së, Berisha, personi i cili do t’i paraqesë Këshillit Kombëtar edhe listën me 38 kandidatura, mes të cilave anëtarët e këtij këshilli do të zgjedhin me votim të fshehtë 25 anëtarët e kryesisë së re të demokratëve.
Por sipas statusit, të drejtën për t’i bërë propozime këshillit e ka dhe vetë kjo strukturë, kryesia e PD-së, kryesia e degës, dhe jo më pak se 15% e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar me të drejtë vote, të shpërndarë në të paktën pesë degë të PD-së. Demokratët bëjnë gjithashtu të ditur se favoritë për të qenë pjesë e kryesisë janë edhe 30 emrat e parë më të votuar të këshillit. Kështu vihet re se emrat e rinj mes më të votuarve në këshill janë ato të deputetëve demokratë, Mesila Doda dhe Rajmonda Bulku, është prefekti i Tiranës, Keltis Kruja dhe zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli. Gjithsesi, pavarësisht emrave favoritë, gara për kryesinë e re të demokratëve pritet të ofrojë edhe surprizat e saj, nisur edhe nga deklaratat e Kryeministrit Berisha se rinovimi i strukturave është një politikë që PD do ta ndjekë në këto zgjedhje. Po kështu, rinovimi dhe shtimi i posteve pritet të ndodhë edhe në sekretariatin e PD-së.
Por duket se të “palëvizshëm” në PD do të vazhdojnë të jenë emrat që mbajnë postet e Sekretarit të Përgjithshëm dhe dy nënkryetarëve. Kjo pritet të ndodhë edhe për faktin se PD nuk pranoi përgjatë mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të saj, ndarjen e posteve në qeveri nga ato partiake. Por ndonëse nuk priten surpriza të mëdha për sa i përket ndryshimit të lidershipit aktual të partisë, gara do të jetë e pranishme në secilin nga pozicionet. Në një situatë negociatash me opozitën nuk dihet efekti që mund të kishte hapja e procesit zgjedhor brenda Partisë Demokratike.
#