Opozita, akuza Vasilit: Urgjencat janë skandal

Selia e PS
Debate të ashpra mes maxhorancës dhe opozitës në Komisionin Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë. Duhet të ishte një seancë dëgjimore me ministrin Petrit Vasili për urgjencat, por u shndërrua në një debat mes deputetëve për zhvillimet politike të ditës. Nuk munguan shkëmbimet e batutave për kongresin e Partisë Socialiste të mbajtur tri ditë më parë dhe akuza për mungesën e barnave dhe shërbimeve në spitale. Ministri Vasili e cilësoi shërbimin e urgjencës si një ndër më modernët. Shërbimi i urgjencës është një nga më modernët, është i pajisur me 200 autoambulanca, 20% e të cilave sigurojnë një ndihmë të avancuar që në automjet. Do të realizojmë strategjinë kombëtare të shërbimit të urgjencës, e cila do të garantojë shërbim akoma më cilësor, tha Vasili. Fill pas kësaj deklarate reaguan deputetët e opozitës. Mungesa e ambulancës pas ekzekutimit të gjyqtarit vlonjat Skerdilajd Konomi mjafton për të treguar në çfarë gjendje janë urgjencat në vend. Për 25 minuta nuk iu dha asnjë shërbim, tha deputeti i PS-së, Eltar Deda. Për gjendjen e shëndetësisë gjatë qeverisjes socialiste, Flamur Noka është përpjekur të bëjë batuta për kongresin e socialistëve, duke ngjallur reagimin e ashpër të tyre. O Eltar, kongresi mbaroi, kuotat i keni marrë, i numëruat, nuk i numëruat, nuk ka problem, tha Noka. Kjo frazë iritoi edhe kryetarin e Komisionit, Ethem Ruka. Për çfarë kongresi flisni ju që jeni ushtarë të një partie? Ne të pakten nuk jemi ushtarë, si puna juaj. Meru me kongresin tënd, ske punë me kongresin e Partisë Socialiste, tha Ruka.
Në Komision ka rënë në sy mungesa e deputetit Vangjel Tavo, së fundi një nga më kritikët e punës së ministrit Petrit Vasili, edhe pse të dy i përkasin së njëjtës logo politike, LSI-së. Nga sa u bë me dije në Komsion nga deputetët e opozitës, sistemi i urgjencave i kushton shtetit shqiptar tri herë më tepër sesa 8 vite më parë. Në gjithë Shqipërinë janë plot 200 mjete transporti në dispozicion të emergjencave. Është shtuar fondi për barna e personel. Megjithatë, ky sistem nuk është plotësisht eficient. Gjithë qyteti i Tiranës dhe fshatrat përreth kanë një urgjencë që i dërgon pacientët, sipas diagnozës, në Spitalin Ushtarak, tek Infektivi apo te Spitali i Sëmundjeve të Brendshme. Qendra e Urgjencave po ngrihet në spitalin e ri brenda Qendrës Spitalore. Gjatë stinës së verës dhe në fundjavë është dhe numri më i lartë i urgjencave spitalore.
Debatet
Petrit Vasili: Shërbimi i urgjencës është një nga më modernët, është i pajisur me 200 autoambulanca, 20% e të cilave sigurojnë një ndihmë të avancuar që në automjet. Ka akoma punë për të bërë dhe ne do të synojmë përmirësimin e këtij shërbimi.
Klodiana Spahiu: Sot shërbimi i urgjencës ka kushte të mjerueshme. Është e turpshme të thuash që kushtet janë shumë të mira. Mungon shërbimi, mungojnë medikamentet. Është kjo situata reale. Për shëndetësinë buxheti është 30 miliardë lekë dhe qytetarët vuajnë mungesën e urgjencave.
Flamur Noka: Realiteti është ky. shtë në shifra është e zezë në të bardha doktoreshë. Nuk ka krahasim me gjendjen në të cilën e latë ju shërbimin. Nuk keni pse kundërshtoni. Po, po, tamam do flasim.
Klodiana Spahiu: Për çfarë po flisni? Nuk është bërë asgjë. Po flet për kamerën. Do flasim tamam këtu për qytetarët, apo jo? Do flasim politikisht këtu. Hajde të flasim, pra, jo vetëm për poste politike.
Flamur Noka: Kjo është situata. I kishit kthyer spitalet në mejhane. Ndërsa urgjencat në kasaphanë. Sot vjen era shërbim shëndetësor. Mjafton ta shihni QSUT-në si ka qenë dhe si është.
Klodiana Spahiu: Mua po ma tregoni QSUT-në? Nuk është nevoja, zoti Noka. Ju flisni, por realitetin e dinë më mirë qytetarët.
Ethem Ruka: Çfarë flet ti more? Kur kanë qenë mejhane? Je në vete ti çfarë thua, apo jo?
Eltar Deda: Rasti më flagrant ishte vrasja e gjyqtarit në Vlorë. Për 25 minuta nuk mori ndihmën mjekësore në rrugë. Kjo tregon qartë se në çfarë kushtesh është sot shërbimi i urgjencës.
Flamur Noka: O Eltar, kongresi mbaroi, kuotat i keni marrë. I numëruat, nuk i numëruat, nuk ka problem.
Eltar Deda: Mos u merr me kongresin. Stë takon fare ty.
Ethem Ruka: Për çfarë kongresi flisni ju që jeni ushtarë të një partie? Ne të paktën nuk jemi ushtarë si puna juaj. Meru me kongresin tënd, ske punë me kongresin e Partisë Socialiste.
Eltar Deda: Spitalet i keni pa ilaçe dhe vini na tregoni cilësinë këtu. Kjo është qesharake.
Petrit Vasili: Po të jetë për shaka, bëjmë shaka me ty gjithë ditën.
ZIRINA LLAMBRO