Retro/Press: Qëllimi i luftës: Idealizmi i jetës.
Branko Merxhani
Shqipëria e ndjenjës, Shqipëria e mendimit, po pret krijonjësit e saj. Dritë përmbi fantazinë e së shkuarës. Nuk jemi as stërnipër bonjakë të Pellazgëve mitologjikë, as gërmadhat e Ilirianëve: jemi shqiptarë – Një kombësi e re.
Përralla pellazgjike është një hipotezë xhaba. Një absurditet. Këtë sofizmë duhet ta neveritim. Sot s’ka mbetur asnjë turk i ditur që të ëndërrojë përrallat turanike. Asnjë grek, me mendje të shëndoshë, sot nuk mburret se është stërnipi i Periklidit. Edhe Romanët e sotëm e kanë harruar prej shumë kohe origjinën e tyre: jeta e popujve nuk është veçse Mrekullia e Zhvillimit, që rregullon valët e mëdha të shekujve.
Po! Jemi Shqiptarë dhe përbëjmë një kombësi të re. Mëma e Nacionalizmës, mallëngjimi kombëtar i shekullit XX, nxori në dritë një pjellë të re. Kjo pjellë jemi ne. Si Neo-grekët e sotëm, si turqit e sotëm të Azisë së Vogël, kështu edhe neve na ka pjellë një natë magjike vere, dinamizmi krijonjës i freskët dhe përjetësisht i ri i natyrës, në gjirin që nuk duket dhe misterioz të Perëndisë së krijesave. Jemi akoma djem. Ndërgjegjja jonë nuk e ka njohur akoma fytyrën krejt të ndritshme të Krijonjësit. Sytë tanë nuk janë mësuar akoma të shohin me simpati Diellin e Intelektit. Ku janë krijimet tona të shoqërisë? Ku është Uniteti ynë sentimental? Ku është Poezia, Leteratura, që përfaqësojnë racën tonë, farën tonë? Ku është shpirti kombëtar i pastër dhe i zhvilluar? Ku është gjuha jonë? Ku është kultura jonë?
Shqipëria nuk e ka ngrehur akoma Faltoren e saj...
Lindëm në errësirë, po kërkojmë dritë. Dhe misioni i brezit të sotëm është që të na shpjerë nga errësira në dritë.
Rreziqe na kanë rrethuar nga të gjitha anët. Me gjithë këtë, nuk ka asnjë rrezik. Mjafton ta kuptojmë. Ai që rron, rron se pse e pa dhe e mundi rrezikun. Edhe Grekët e Vjetër, në hapat e para të zhvillimit të tyre, luftonin kundër po këtij rreziku. Bile luftuan një shekull të tërë. Po u përpoqën si gjigantë. Me gjithë këtë, me zor të madh shpëtuan nga rreziku që të mbyten në rrymën e tmerrshme që kish shkaktuar hyrja e influencave të huaja, që u kish lënë trashëgim e shkuara.
“Mania e Historizmës” mend e prishi atë statujë madhështore të mendjes njerëzore, bile edhe para se të ngrehet. Dhe jo sepse nuk kish zbuluar akoma rrugën e jetës, që çelet brenda në pastërtinë dhe flakën e ndërgjegjies kombëtare. Për një kohë të gjatë qytetërimi i tyre nuk ishte gjë tjetër veçse një trazim konceptesh të pakuptuara semitike, babiloniane, indiane dhe egjiptiane. Feja e tyre ishte një shesh anarkik dhe i nxehtë lufte midis njëri-tjetrit, shesh mbi të cilin mbretëronin të gjitha Perënditë e Azisë. Me gjithë këtë Kaos, qytetërimi grek lindi, rroi dhe mbretëroi mbi fronet e të gjitha epokave të paskëtajme. Greqia e Platonit mundi pak e nga pak t’i zhdukë influencat e huaja, të dëbojë nga Falëtorja e Mendimit Perënditë e Barbarëve, d.m.th të organizojë Kaosin, që gjendej brenda në Unin e saj. Mysteri i qytetërimit grek ka qenë Perëndia e Delfit, e cila tha:
“Gnëdi santon”!...
Botuar tek “Neo –Shqiptarizma”,
Janar 1930