E Diel, 1 Nëntor 2026

"Opozita bojkoton, nuk mund t‘i mbyllim sytë"

Si e vlerësoni situatën politike në Shqipëri pas zgjedhjeve të 28 qershorit?

Është shqetësuese... Në një vend që do të anëtarësohet në BE, shohim se opozita që ka gati gjysmën e mandateve ka vendosur të rrijë jashtë Kuvendit, duke mos reaguar si një opozitë e vërtetë parlamentare. Mendoj se nuk mund të ndërhyjmë në këtë vendim, por dhe nuk mund të mbyllim sytë. Sigurisht që PS-ja ka arsyet e saj, por së paku ne mund të vëzhgojmë dhe ta përmendim këtë fakt në raportin e Parlamentit. Kemi ftuar Edi Ramën në Bruksel, ndoshta në fillim të vitit të ardhshëm për të diskutuar mbi këtë situatë. Ne duam që të shohim një proces transparent demokratik zgjedhor dhe qartësisht nuk u arritën fiks standardet që priteshin nga këto zgjedhje, përderisa partia kryesore e opozitës, kritikon, jo aq shumë rezultatin, sesa mënyrën sesi u numëruan votat, sesi u mbajtën zgjedhjet, ndaj po shohim sesi mund ta zgjidhim këtë çështje pa ndërhyrë. Nëse ata hyjnë në Parlament e legjitimojnë atë, do të njohin rezultatin zgjedhor, por, në anën tjetër, qëndrimi jashtë Parlamentit e bën të vështirë imponimin ndaj pozitës tërësisht.

A duhet të rihapen kutitë e votimit përmes një hetimi parlamentar?

Di që rihapja e kutive është një çështje e rrezikshme. Numërimi i dytë në asnjë rast nuk përshtatet 100% me numërimin e parë. Edhe nëse përbërja e Parlamentit nuk do të ndryshojë, do të kemi ndoshta një rezultat të ndryshëm nga ai i llogarituri, çfarë do të sjellë pasiguri politike në Shqipëri. Duhet të ketë një sjellje të përgjegjshme si nga qeveria dhe nga opozita për të zgjidhur situatën, sepse kuptohet që kjo çështje nuk mund të zgjasë me vite, përjetësisht. Nëse opozita nuk është në gjendje të imponojë ndryshime duke qëndruar jashtë, ndoshta është më mirë të hyjë brenda e të përdorë mjetet parlamentare për të bërë presion ndaj qeverisë e partive në pushtet.

Si e shihni bashkëpunimin qeverisës mes PD dhe LSI?

Personalisht e njoh zotin Meta, takimi ynë i parë ka qenë në vitin ‘95. Mendimi im personal është që parti të tilla që reklamohen socialiste apo socialdemokrate duhet të evitojnë koalicione të këtij tipi, sepse sjellje të tilla e bëjnë konfuze bazën elektorale të këtyre partive. Nuk e di nëse kjo ishte zgjidhja e vetme më e mirë për të pasur ndoshta një qeveri të qëndrueshme, meqenëse ky është një nga shpjegimet. Në përgjithësi, partitë e majta duhet të tentojnë bashkëpunimin e jo të luftojnë njëra-tjetrën duke iu bashkuar së djathtës në koalicione.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›