Opozita bojkoton seancën e Kuvendit për 5 vjetorin e pavarësisë së Kosovës
Në seancën e posaçme të Kuvendit të Shqipërisë, morën pjesë personalitete të politikës dhe shoqërisë shqiptare, por ra në sy mungesa e deputetëve të Partisë Socialiste
Reagim i zyrës së shtypit të Kuvendit: Deputetët e opozitës u njoftuan për seancën
Kuvendi i Shqipërisë zhvillon një seancë të posaçme në 5 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Kryeparlamentarja, Jozefina Topalli vlerësoi faktin së në këtë ditë të shënuar nderohet një nga figurat që ka kontribuar për shtetin e Kosovës, Ibrahim Rugova. “Mirënjohje të thellë për vizionarin dhe projektuesin e Kosovës së pavarur, Ibrahim Rugovën. 100 vjetori i pavarësisë ka bërë të kuptojmë se ne duhet të bashkohemi me njeri-tjetrin në perspektivën tonë evropiane. Ne jemi më të lirë e më të vendosur se kurrë që të bashkohemi me njeri-tjetrin, të bashkohemi në Evropë”, vuri në dukje Topalli. Por vlerësime dhe mirënjohje për këtë figurë erdhën dhe nga Kryeministri, Sali Berisha. “Nderojmë 125 vite luftëra përpjekje të shqiptarëve të Kosovës kundër padrejtësive të projektuar kundër tyre, lufta për dinjitet kombëtar. Përulemi me nderimin më të madh para burrave e grave që ranë për tu bërë të pavdekshëm, që zëri i lirisë të mos shuhej kurrë. Nderojmë me respektin më të madh një nga personalitet më të shquara të historisë kombëtare, Ibrahim Rugovën”, u shpreh Berisha. Mirënjohje të thellë, në vlerësimin e Kryeministrit, meritojnë dhe qytetarët dhe shtetarët e Kosovës që arritën në një hark kohor të shkurtër ta shndërronin Kosovën në një faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti rajonal. “Në 5 vite të lirë Kosova ka shënuar arritje më shumë se Shqipëria në 50 vite diktaturë të saj”, u shpreh Berisha. Ndërkohë që, në ligjëratën e tij, kreu i qeverisë shqiptare shprehu vendosmërinë për të mos hequr dorë nga nacionalizmi si projekti më i madh për të realizuar bashkimin e shqiptarëve me njeri-tjetrin dhe në këtë kontekst, Berisha i dha përgjigje të gjitha interpretimeve të tjera që përpiqen të sfumojnë këtë mision. “Nacionalizmi ynë s’ka pretendime territoriale dhe nuk bazohet në doktrina shfarosëse, s’bazohet në fobira ndaj të tjerëve, por në vlerat me qytetare. Qëndrojmë krenarë në nacionalizmin tonë, në doktrinën e shqiptarësisë, në bashkimin me njeri-tjertin. Ne i qëndrojmë nacionalizmit, si projekti më i madh për të realizuar bashkimin e shqiptarëve me njeri-tjetrin”, u shpreh Kryeministri.
Reagon Rama: Takim tinzar, opozita nuk u lajmërua të merrte pjesë
Një takim tinzar e ka konsideruar kryetari i opozitës, seancën plenare me rastin e 5-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kryesocialisti tha se opozita nuk ishte lajmëruar për të marrë pjesë. “Sot u keqpërdor festimi, në të vërtetë për të larë gojën, një gjoja seancë të posaçme dhe një sulm kundër opozitës. Sulm i ftohtë dhe shumë tinzar. As PS nuk u lajmëruan ndonjëherë. 5 vjetori i pavarësisë, i lirë e i pavarur kërkonte jo një seancë të improvizuar kërcimi nacionalist, por seancë jubilare, me të ftuar specialë dhe përgatitjet e duhura në kohën e duhur”- deklaroi kreu i selisë rozë. Kryesocialisti akuzoi qeverinë se është e gatshme që të cenojë stabilitetin në rajon. “Këta janë dashnorët e shqiptarisë, janë gati të hedhin në erë urat ngritura të paqes në rajon, me turbofolkun. Duke inskenuar si një shfaqje si e sotmja që na turpërojnë. Furnizuan me naftë Millosheviçin, kur tërë bota e persekutuan, kur në TR shpifën për UCK, ndërsa sot provokojnë SHBA dhe BE. Kërkojnë të hedhin në erë gjithçka është arritur”. Rama mbylli deklaratën me një shprehje të thënë disa here në daljet publike. “Opozitës i lind e drejta ta akuzojnë qeverinë dhe kryeministrin si një personazh: retorika nacionaliste është streha e fundit e zullumqarëve”- tha Rama.
Kuvendi rrëzon pretendimet e PS: Deklaratat e Ramës, të pavërteta - deputetët janë njoftuar
"Kuvendi i Shqipërisë hedh poshtë me neveri mashtrimin e zotit Rama se gjoja nuk janë lajmëruar deputetët e PS-së për seancën në 5 vjetorin e celebrimit të Pavarësisë së Kosovës. Sqarojmë se, përveç publikimit dje në faqen zyrtare të Kuvendit, si përherë janë njoftuar me telefon për këtë seancë sekretaret e të gjitha Grupeve Parlamentare (përfshirë atë të PS-së ). Pas lajmërimit të bërë dje, sekretarja e grupit të PS-së ka kërkuar në emër të zotit Ruçi të dijë edhe programin. Në të njëjtën kohë, dje sekretaret e Seancës Plenare kanë lajmëruar të gjithë deputetët e pranishëm në seancën e djeshme për ceremoninë e ditës së sotme. Deklarata e sotme e Zotit Rama është gjëja më e pavërtetë. Nuk i bëjnë askujt mirë të pavërtetat e sotme të Ramës, aq më tepër që vetëm na bën më shumë të besojmë se është vetë ai që nuk i ka lënë deputetët e vet të marrin pjesë në këtë ceremoni të një përvjetori historik siç është 5 vjetori i Pavarësisë së Kosovës".
...