“Opozita duhet të bëhet pjesë e konsensusit politik për ecurinë e reformës në drejtësi”

Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani pret në një takim pune Reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Shqipërinë
Opozita duhet të bëhet pjesë e konsensusit politik për ecurinë e reformës në drejtësi.
Këtë apel i ka bërë dje në mënyrë të përsëritur opozitës, Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani gjatë një takimi pune me Reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Shqipërinë të cilët po kryejnë një vizitë fakt-mbledhëse mbi realizimet e angazhimeve dhe detyrimeve të vendit tonë.
Në fjalën e tij, Ministri i njohu Reporterët mbi hapat e ndërmarrë në kuadër të reformës në drejtësi me miratimin e ligjeve shumë të rëndësishme për funksionimin e drejtësisë në vend, si dhe hapat e reja që po hedh Ministria e Drejtësisë për të plotësuar rekomandimet e dala nga Progres- Raporti i Bashkimit Evropian për Shqipërinë.
“Aktualisht Ministria e Drejtësisë ka hartuar një draft mbi strategjinë e reformës në drejtësi, i cili ka nevojë për përmirësim, si dhe të diskutohet me grupet e tjera të interesit”, deklaroi më tej Ministri Nishani, duke sqaruar se në kuadër të kësaj strategjie është miratuar ligji “Për organizimin e administratës gjyqësore” si dhe është në proces projekt ligji “Për organizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.
“Për miratimin e këtyre ligjeve të rëndësishme, opozita nuk duhet të jetë e pranishme vetëm në aspektin formal por ajo duhet të behet pjesë edhe e konsensusit politik për ecurinë e reformës në drejtësisë”, apeloi Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani.
Në kuadër të luftës kundër korrupsionit, Ministri Nishani i njoftoi Reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për hartimin dhe miratimin e afërt në parlament të ligjit për antimafian, i cili është rindërtuar për shkak të disa problemeve që janë hasur në sekuestrimin e pronave të vëna në rrugë të jashtëligjshme pas një vendimi unifikues të Gjykatës së Lartë. Ky ligj, sipas Ministrit, i bërë edhe me asistencën e misioneve ndërkombëtare, synon të ndajë hetimin penal nga hetimi mbi pasurinë.
Në kuadër të nismave antikorrupsion të qeverisë shqiptare, Ministri Nishani i informoi Reporterët e AP të Këshillit të Evropës mbi objektivat e tij për thjeshtimin e procedurave administrative dhe dixhitalizimin e shërbimeve që ofrohen nga institucionet në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.
Implementimi i ligjit nga organet e drejtësisë, trajnimi i gjyqtarëve me kuadrin e ri ligjor, ishin çështje të tjera të bisedës mes palëve.