Këshilli i Evropës rikonfirmon besimin në thellimin e raporteve me Shqipërinë

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli takohet me reporterët e KE-së
Kryetarja e Kuvendit priti dje në takim reporterët e KE-së David Wilshire dhe Jaakko Laakso. Përfaqësuesit e Këshillit të Evropës përgëzuan Kryetaren e Kuvendit për rizgjedhjen e saj duke theksuar se, “Rizgjedhja juaj në këtë post është shumë e rëndësishme, pasi ju i njihni çështjet parlamentare në thellësi”.
Ata vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm të Kryetares Jozefina Topalli dhe të Kuvendit të Shqipërisë me Këshillin e Evropës, duke shprehur besimin në thellimin e raporteve shumë të mira. Duke u ndalur në zgjedhjet e fundit në Shqipëri, Kryetarja e Kuvendit falënderoi të gjithë vëzhguesit ndërkombëtar për punën e tyre të jashtëzakonshme. Ajo vlerësoi raportin e Këshillit të Evropës i cili thekson se, “Procesi zgjedhor në 93 për qind të qendrave të votimin u vlerësua mirë dhe shumë mirë” dhe se “zgjedhjet parlamentare në Shqipëri shënuan një progres të dukshëm”.
Gjithashtu Kryetarja e Kuvendit, theksoi se këto zgjedhje, edhe sipas raportit përfundimtar të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR u certifikuan si “Zgjedhje që plotësuan angazhimet kryesore të OSBE-së”, duke shprehur kënaqësinë se këto zgjedhje ishin zgjedhjet më të mirat që Shqipëria ka pasur, duke përmbushur kështu synimin për plotësimin e standardeve.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi faktin që për herë të parë sistemi zgjedhor dhe Kodi i propozuar nga opozita u votuan shumë kohë përpara zgjedhjeve dhe po ashtu, ndërtimi i Komisionit Qendror u votua me konsensus në parlament. Sipas saj, komisionerët e majtë e të djathtë si asnjëherë më parë firmosën në procesverbalet e zgjedhjeve dhe nuk pati as edhe një provë për deformim rezultati. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi në unanimitet rezultatin përfundimtar. Për herë te parë u realizua regjistri kombëtar dhe lista elektronike e zgjedhësve. Për herë të parë zgjedhësit shqiptarë patën mundësi të pajiseshin me kartat e identitetit dhe për herë të parë transparenca në numërimin e votave ishte maksimale.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se, “Shqipëria ndodhet në një moment shumë të rëndësishëm. Ajo është tashmë anëtare e NATO-s, ka paraqitur kërkesën për statusin e vendit kandidat në BE dhe po punojmë për të hequr vizat për qytetarët shqiptar”.
Duke u ndalur në këtë moment të rëndësishëm dhe duke theksuar rolin thelbësor të parlamentit, Kryetarja e Kuvendit nënvizoi edhe një herë ftesën, që në mënyrë të përsëritur u ka drejtuar deputetëve të opozitës që të vijnë e të zënë vendet e tyre në parlament pasi kjo është shumë e rëndësishme për vendin, sepse, siç kemi provuar edhe më parë, tha ajo, parlamenti është vendi i negociatave dhe i konsensusit.
Kryetarja e Kuvendit dhe reporterët e Këshillit të Evropës biseduan mbi bashkëpunimin mes dy institucioneve dhe intensifikimin e shkëmbimit të përvojës mes delegacioneve, por edhe për mbështetjen e KE-së në rritjen e kapaciteteve administrative.