Opozita e këtillë, i zgjatë jetën qeverisë

Rasti i fundit i fërkimeve të partive politike në vend është ai mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Kjo e para është lutur që qëndrimi i Blerim Shalës për mundësin e futjes së AAK-së në koalicion të mos jetë qëndrim i AAK-së, duke i barë thirrje asaj që të mos bëhet pjesë e qeverisë Thaçi, thirrje kjo që nga AAK-ja, një ditë më pas, është vlerësuar si deklarim qesharak dhe jo i matur.
Analisti politik, Ardian Arifaj nga KIPRED ka thënë për Kosovapress se është fakt që partitë opozitare në Kosovë nuk kanë arritur që të formojnë një bllok opozitar dhe të flasin me një zë, por janë po aq të përçara mes vete sa janë të përçara edhe me vetë partitë që janë në pushtet.
Ai thotë kjo nuk i ka kontribuar shumë debatit politik në parlamentin e Kosovës, pasi që nuk ka një opozitë të fortë që do të mund të kundërshtonte fuqishëm koalicionin qeverisës. Kjo situatë e këtillë, sipas tij, nuk paraqet kurrfarë rreziku për ata që qeverisin.
“Sigurisht që një opozitë e dobët i shkon përshtati partisë që është në pushtet, partisë më të madhe, pasi që nuk është e cenuar, nuk është e rrezikuar drejtpërdrejt prej partive opozitare të cilat nuk po flasin me një zë. Një fakt në zgjedhjet e deritashme në Kosovë është që PDK-ja ka arritur që të dal fituese dhe partia më e madhe mu për shkak se partitë tjera nuk kanë arritur që të rriten dhe që të shtrin bazën e tyre të votuesve ose në rastin e LDK-së ka humbur pjesën më të madhe më shumë se gjysmën e votuesve”, ka theksuar Arifaj.
Për më tepër, ai ka thënë se është pak paradoksale që të ketë kaq shumë fërkime, kur dihet se partitë politike në Kosovë ende nuk janë të profilizuara, nuk janë parti të majta apo të djathta, andaj është vështirë të kuptohen mospajtimet mes partive politike opozitare.
Analisti Arifaj mendon se partitë po tregojnë shumë ambicie për të marr pushtetin, që në një mënyrë po shndërrohen në garuese për patriotizëm, ndërkohë po dështojnë që të bëhen bashkë dhe të luftojnë qeverinë.
“Sigurisht që e vetmja ambicie është që të marrin pushtetin edhe secila parti në opozitë po nxiton që të tregohet më patriotike, më e zoja, më e aftë që të zgjidh problemet e qytetarit të Kosovës edhe që të meritoj që të kthehet në pushtet. Megjithatë po dështojnë të shohin se shumë më mirë do të kishin projektuar veten si zgjidhje për problemin e Kosovës nëse do të vepronin si një bllok i përbashkët që të luftojnë qeverinë se sa kështu të përçara kur po e largojnë përsëri qytetarin”, ka deklaruar ai.
Nga ana tjetër, analisti politik Behlul Beqaj ka thënë për Kosovapress se kriza e qeverisjes, ka ardhur si pasoj edhe e krizës së opozitës. Ai e quan të jologjikshme interferimin e një subjekti opozitar tek tjetri për të hyrë në koalicion apo jo.
“Konsideroj kriza qeverisëse në një masë është shkaktuar edhe nga kriza e mënyrës se si po vepron opozita. Liderët opozitar, me gjasë në pamundësi që të realizojnë synimet e vet programore po merren me çështje të partive në mënyrë të ndërsjellët. Konsideroj se nuk është e logjikshme as politikisht oportune se çështja për shembull e përfshirjes në koalicion e një partie të jetë objekt i vlerësimit të partisë tjetër, kjo duhet të jetë çështje e organeve të brendshme të kësaj partie dhe këtu shihet se ne krahas krizës që e kemi me qeverisje kemi një krizë që mbretëron edhe në opozitë”, ka thënë Beqaj.
Për më tepër, ai ka thënë se marrja e ndërsjellët me akuza e pamundëson gjetjen e zgjidhjeve të kërkesave dhe nevojave të shumta që kanë qytetarët.
Beqaj thotë që në mesin e pozitës dhe opozitës si duket ekzistojnë vetëm strategjitë që të mbeten vetëm në pushtet apo si të marrin pushtetin që për qytetarët e zakonshëm nuk është shumë me rëndësi kjo.
Këto përçarje, sipas tij, janë në të mirën e atyre që janë në pushtet.
“Këto shkojnë në favor të pushtetarëve dhe pushteti duhet me qenë i preokupuar me vetveten, por duhet me qenë në funksion të qytetarëve. Ne kemi lidershipin i cili është në funksion të vetvetes dhe do duhej me qenë në funksion të qytetarëve. Kjo nuk po ndodh”, ka theksuar ai.
Rastet kur opozita ke qenë e bashkuar në Kuvend të Kosovës për ndonjë çështje të caktuar janë të pakta ose pothuajse asnjëherë, duke e bërë që koalicioni qeverisës të triumfoj gjithnjë përball opozitës së përçarë.
Partitë opozitare, së fundi kur po flitet e shkruhet për koalicion të ri qeverisë, kanë filluar garën me akuza dhe kundër akuza ndaj njëra tjetrës nëse duhet bërë ose jo pjesë e koalicionit. /kosovapress/