Opozita e re përçahet që në betejën e parë
Tetë deputetë të opozitës votojnë pro Metës në krye të Kuvendit
Opozita e re nuk e ka nisur mbarë jetën e saj opozitare në Parlament, duke treguar edhe njëherë përçarjen që ekziston aktualisht tek e djathta. Dhe kjo u vërtetua më së miri gjatë votimit për në krye të Kuvendit të Ilir Metës. Ky i fundit ka marrë plot 91 vota, duke theksuar se mazhoranca ka vetëm 83 mandate në Parlament.
Votimi
Seanca e djeshme nisi në orën 11:00 nën drejtimin e Namik Dokles. Pas përfundimit të verifikimit të mandateve të bërë nga komisioni i ngritur një ditë më parë deputetët e pranishëm bërë betimin duke marrë zyrtarisht detyrën. Pas kësaj, 15 deputetë të mazhorancës propozuan emrin e Ilir Metës për postin e kryetarit të Kuvendit. Nga votimi i fshehtë rezultoi që 91 deputetët votuan pro tij, 45 kundër dhe një abstenim. Pas shpalljes së rezultatit, Namik Dokle i dorëzoi zyrtarisht detyrën, Ilir Metës.
Paloka
Në përfundim të votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, kreu i komanduar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka theksoi se grupi demokrat kishte marrë vendim për të votuar kundër Metës. Paloka tha se nuk do të bëjë hetuesin për të zbuluar deputetët që votuan kundër vendimit të grupit. Kush e përcaktoi se janë deputetët tanë?! Ju garantoj që nuk është kaq e rëndësishme sa mendoni ju. Opozita jonë do të jetë tjetër gjë, jo problem numrash. Numrat edhe sikur të ishit 8 apo 18 nuk ndryshojnë gjë. Ka qenë vendim i grupit për të votuar kundër. Ju prisni që unë të bëj hetuesin, nuhatësin. As nuk e dëgjova rezultatin nuk me interesonte, tani po e marr vesh nga ju, deklaroi Paloka. Nga ana tjetër edhe aleatët e Partisë Demokratike përmes njoftimeve për shtyp bënë të ditur se votuan kundër kandidaturës së Ilir Metës për postin e kreut të Kuvendit./Renato Dauti
***
Aleatët e PD-së: Votuam kundër Ilir Metës
Menjëherë pas përfundimit të votimit për kryetar të Kuvendit, edhe aleatët e Partisë Demokratike deklaruan se votuan kundër zgjedhjes së Ilir Metës në këtë post. Përmes një njoftimi për mediat Partia Republikane bën të ditur se deputetët e saj votuan kundër propozimit të Metës për kryetar Kuvendi. Partia Republikane është në opozitë dhe bashkë me aleaten e saj, Partinë Demokratike, do të bëjë të gjitha përpjekjet për të zhvilluar një opozitë të fuqishme në shërbim të interesave të vendit, si dhe do të bashkëpunojë në çdo moment me forcat e opozitare për të rikthyer të djathtën në pushtet, thuhet në njoftim e PR-së. Edhe partia Drejtësi Integrim dhe Unitet konfirmoi votën e saj kundër Metës. Duam të bëjmë të ditur qëndrimin politik të shprehur me votë prej grupit parlamentar të PDIU-së në votimin e sotëm(djeshëm) për kryetar parlamenti. PDIU është kundër kandidaturës së mazhorancës për kreun e legjislativit si votim dhe qëndrim politik, si pjesë e gjithë opozitës shqiptare. E bëjmë këtë sqarim për të konfirmuar qëndrimin tonë në lidhje me këtë çështje, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e PDIU. Edhe aleati demokristian i Partisë Demokratike, Nard Ndoka në një prononcim të tij pas përfundimit të votimit tha se kishte votuar kundër propozimit të Ilir Metës për postin e kryetarit të Kuvendit. Në votimin e djeshëm për kryetar të Kuvendit, Ilir Meta mori 91 vota pro, ku votave të maxhorancës ju shtuan edhe 8 deputetë të opozitës.