Meta: Të vendosim një standard të ri në komunikimin politik
Kryetari i ri i Parlamentit, Ilir Meta, në fjalimin e tij të parë pas zgjedhjes në këtë post e ka vënë theksin në vendosjen e një standardi të ri të komunikimit politik. Meta duke iu drejtuar deputetëve të pranishëm ka theksuar se ky Kuvend duhet të përfaqësojë pritshëmritë e shqiptarëve. Gjithashtu ai tha se shpreson në një bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës ndërsa bëri të ditur se pjesë e Kuvendit do të jetë edhe mendimi i shoqërisë civile dhe botës akademike.
Deklarata
Që në nisje të fjalës së tij, Meta u shpreh i bindur se Kuvendi i ri do ta çojë përpara axhendën evropiane të vendit. Ky Kuvend, duhet të përfaqësojë atë që është pritshmëria e qytetarëve, por dhe praktika më e mirë e punës së parlamenteve europiane, përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien, seriozitetin politik dhe etikën, tolerancën dhe bashkëpunimin, kurajën dhe vizionin, respektin për ligjin dhe parimet demokratike. Kuvendi i ri, jam i bindur do të çojë përpara axhendën tonë evropiane, u shpreh kryetari i ri i Kuvendit. Meta tha se kushdo pavarësisht bindjeve politike mund të kontribuojë në bërjen e ligjeve sa më të mira për vendin. Transparenca dhe gjithëpërfshirja do të jenë vendimtare për suksesin e këtij Kuvendi. Gjithkush, pavarësisht bindjeve apo pozicioneve partiake, që dëshiron të kontribuoje për të bërë ligje të mira dhe të dobishme për vendin, për të konceptuar politika realiste dhe të frytshme, do të jetë i mirëpritur dhe i respektuar, deklaroi më tej, kreu i Kuvendit, Ilir Meta.
Marrëdhëniet pozitë-opozitë
Duke u ndalur tek marrëdhëniet pozitë-opozitë, kryetari i Kuvendit hodhi idenë për vendosjen e një standardi të ri në komunikimin politike, sipas tij debatet duhet të fokusohen mbi idetë dhe politikat dhe jo mbi personin. Unë jam i bindur se ekziston dëshira dhe vullneti i përbashkët i mazhorancës dhe opozitës së këtij Kuvendi, që ne të vendosim një standard të ri të sjelljes politike në komunikimin politik ku debatohet për idetë, politikat dhe ligjet, dhe jo për personin, tha kryetari i ri i Kuvendit, Ilir Meta.