Vriten tre militantë të Al Qaidës në Jemen

Raportohet se forcat e Jemenit i kanë vrarë tre pjesëtarë të dyshuar të Al-Qaidës, gjatë një sulmi në një strehim të tyre në Aden.
Burime të sigurisë thonë se me këtë ndërhyrje është zbuluar komploti kryesor për sulme kundër policisë në këtë qytet-port.
Në njoftimin e ministrisë së Mbrojtjes së Jemenit theksohet se përleshjet zgjatën afro dy orë dhe se janë plagosur edhe katër pjesëtarë të forcave të sigurisë.
Një zyrtar i sigurisë, duke folur për AFP-në në kushte të anonimitetit, tha se operacioni i ndali “disa sulme terroriste, që do të ndërmerreshin gjatë orëve të ardhshme”.
Në strehimin e militantëve janë gjetur makina të ngarkuara me eksplozive dhe disa jelekë vetëvrasës.
Për militantët e vrarë, ministria e Mbrojtjes tha se ata “ishin tre nga operativistët më të rrezikshëm të Al-Qaidës”.