“Opozita le të vazhdojë akuzat, qeveria bën vepra”
Kryeministri Berisha inspekton plantacionet e ullirit në komunën e Gosës: Subvencionet për fermerët do të trefishohen
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një inspektim në plantacionet e ullirit në komunën e Gosës të Kavajës për të parë nga afër ecurinë e njërit prej projekteve më ambicioze të qeverisë atë të mbjelljes së ullirit në të gjithë vendin për të cilin qeveria jep subvencione. Plantacioni shtrihej në një sipërfaqe prej rreth 40 hektar në të cilin ishin mbjellë mbi 12.000 rrënjë ulliri të moshave të ndryshme.
I shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë Genc Ruli, përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor, si dhe nga fermerë të shumtë të zonës kryeministri u ndal dhe pa nga afër ecurinë e këtij procesi. Kryeministri përgëzoi fermerët për punën e bërë dhe për përkushtimin e tyre. Duke theksuar se gjatë këtyre viteve qeveria ka subvencionuar rreth 9 mijë hektar ullinj në mbarë vendin dhe se 30 mijë hektarë ullinj janë mbjellë së bashku me ato që ka subvencionuar qeveria, kryeministri i garantoi ata se në vitet që vijnë fondet do të dy dhe trefishohen.
Kreu i qeveris ë theksoi se vitet që vijnë do të jenë vitet e investimeve të mëdha në kultura, në raca, në përpunim, në industri, në vaditje, do të jene vite në të cilat qeveria do të ngrejë bujqësinë shqiptare në nivelet më të larta me vendet Evropiane.
Ai u ndal dhe n ë akuzat e Partisë Socialiste, duke theksuar se alternativa e vetme e qeverisë është vazhdimi i veprave që e çojnë Shqipërinë drejt vendeve ë zhvilluara Evropiane.
“Kjo është alternativa jonë, theksoi kryeministri, përkundrejt alternativës së akuzës që ka zgjedhur opozita. Ne mbjellim ullinj, shoku akuzon, ne ndërtojmë shkolla, shoku turfullon dhe akuzon, ne ndërtojmë rrugë, qahet dhe akuzon, ne ndërtojmë kanalizime e ujësjellës dëshpërohet dhe akuzon, akuzon dhe vetëm akuzon, nuk di çfarë thotë. Atëherë cila është përgjigja jonë. Përgjigja jonë është, shoku akuzator vazhdo akuzat, ne do vazhdojmë veprat, do vazhdojmë punën do të mbjellim ullinj, do ndërtojmë rrugë, do ndërtojmë shkolla, do të ndërtojmë kanalizime, do të ndërtojmë ujësjellës. Ne do të bëjmë çdo ditë, do të shënojmë një hap tjetër të rëndësishëm në ndryshimin e këtij vendi në ecjen e tij drejt një vendi të zhvilluar. E ftoj të vijë në këto kodra të marrë dhe penelin e tij, tek e fundit të bëjë edhe ndonjë pikturë që edhe po nuk iu shit të paktën të nxjerrë një mësim, respektin ndaj njerëzve punëtor ndaj atyre që kanë guxim të investojnë edhe këtu dhe të arrijnë rezultate si këto”, tha ai.
Qeveria ka subvencionuar në Komunën e Gosës në Kavajë rreth 70 hektar me ullinj ku kanë përfituar rreth 100 fermerë me një fond prej rreth 200 mijë dollarë. Ndërsa në qarkun e Tiranës gjatë viteve 2007 - 2012 nga subvencionet e qeverisë kanë përfituar rreth 1500 fermerë me një fond prej mbi 3 milionë dollarë.