Opozita pas 3 marsit, Balla: S’do jeni më kështu! Replikon Berisha: Do mbash përgjegjësi

Data 3 mars shihet brenda PD-së me ankth, pasi do të përcaktojë jo vetëm se kush do ta drejtojë përfundimisht PD-në, por edhe se kush do të jetë konfigurimi elektoral për zgjedhjet vendore të 14 majit, si dhe për zgjedhjet e përgjithshme të 2025.
Sali Berisha paralajmëroi maxhorancën dhe kryeministrin Edi Rama që të mos ndërhyjë në vendimin që pritet të jap gjykata më 3 mars, në të kundër kjo do të lexohet nga demokratët “si një akt armiqësor ndaj PD dhe opozitës shqiptare”.
“Sot Taulant Balla njoftoi vendimin që do japë gjykata me datë 3 mars, unë i them meqenëse ti je i pari që njoftove vendimin, të betohem para këtyre burrave, se ti dhe Edi Rama do bëheni përgjegjës personal për çdo akt armiqësor ndaj PD-së dhe opozitës shqiptare. Kudo që të fshihesh, në çdo vrimë miu, do të kapim dhe do të çojmë te Gentian Sharra. Për këtë Edi Rama dhe ti do jeni përgjegjës personalë. Për tre minuta, jemi brenda në parlament. Prandaj ikni. Po vendosëm, jemi në sallë, asgjë nuk na pengon! 3 marsi është dita e madhe, 3 marsi është ditë fitoreje për revolucionin. 3 marsi është dita e çdo shqiptari, është dita në të cilën bëjmë betejën për të sotmen dhe të ardhmen tonë”, tha Berisha mes protestuesve të mbledhur jashtë Kuvendit.
Reagimet e ashpra të Berishës, vijnë pas deklaratave të Taulant Ballës nga Foltorja e Kuvendit se sjellja e PD do ndryshojë pas vendimit të 3 marsit.
“Thirrja ime është, ne s’jemi aspak të kënaqur që të marrim vendime për përjashtim kolegësh por në Kuvend, vjen deputeti shkul mmikorfonin dhe i bie foltores si daulle, prandaj nuk komunikoj dot me qytetarët se më kanë dalë njerëz këtu që se di pse. Jam i sigurt që pas datës 3 s’do jeni më kështu. E rëndësishme është që problemet e brendshme mos i sillni këtu”, tha Taulant Balla.
Në ditën e dhënies së vendimit, më 3 mars, nga Gjykata e Apelit se kush do të drejtojë PD-në, Sali Berisha ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste tjetër kombëtare.
Ndërkohë protesta e opozitës para parlamentit sot zgjati për gati dy orë.
/rtsh.al/