Opozita për Fusnotën: Serbia na bëri të duket si kompromis i saj

Lëvizja Vetëvendosje mendon se deklaratat publike të zyrtarëve serbë se Fusnota nuk i pengon, është lojë e serbëve.
“Serbia ka pranuar që Kosova të paraqitet në mënyrë asimetrike, dhe mënyra se si është sjellë qeveria e Kosovës, ka bërë që ky kompromis i Kosovës të shihet si lëshim pe i Serbisë”, ka thënë Shpend Ahmeti.
Ahmeti, theksoi se kjo marrëveshje është e papranueshme për Lëvizjen Vetëvendosje.
“Në asnjë mënyrë kjo nuk është e pranueshme për Lëvizjen Vetëvendosje. Si edhe Dialogu ashtu edhe kjo marrëveshje janë ulje e sovranitetit të Kosovës, shkelje e Kushtetutës së Republikës, dhe situatë e pashpresë politike në këtë rrugë që e ka zgjedhur kjo qeveri”, është shprehur Ahmeti.
Ndërkohë që partitë e tjera opozitare kanë deklaruar për një nga mediat kosovare se nuk është ndonjë surprizë. Ata e shohin thjesht një marrëveshje që është arritur më herët dhe se tani ka gjetur zbatim.
Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë për Indeksonline se Serbët e kanë pranuar edhe më herët këtë dhe nuk është ndonjë lloj befasie për ta.
“Është marrëveshje të cilën serbët e kanë arritur me Edita Tahirin dhe bashkimin evropian. Befasitë e tyre nuk janë objekt i politikës tonë, ne e dimë që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe si e tillë duhet të pranohet në të gjithë forumet ndërkombëtare”, ka thënë Gashi.
Të të njëjtit mendim janë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, megjithëse këta të fundit thonë se është pranim i vonshëm.
Besnik Tahiri nga AAK-ja thotë se më e rëndësishme është që Serbia të kthjellet dhe ta sheh realitetin e Kosovës.
“Me rëndësi është që Kosova të marrë pjesë në këto konferenca rajonale dhe në ato takime të nxjerrë sa më shumë që është e mundshme për zhvillimin dhe integrimin e Kosovës. Fusnota si e tillë i ka do të thotë lëshimet dhe dobësitë e veta mirëpo prezenca e Kosovës përsëri do të përdoret për interes të qytetarëve dhe vendit tonë. Është vendim i vonshëm sepse sa më shpejt që pranohet realiteti në Kosovë është edhe më mirë për rajonin dhe integrimin tij në bashkimin evropian”, ka thënë Tahiri.
E po ashtu e sheh edhe analisti Nexhmedin Spahiu, i cili thotë se ajo e cila është bërë më herët është duke u përsëritur dhe po bëhet tani.
“Unë nuk shoh diçka më ndryshe nga ajo që është arritur marrëveshja më herët vetëm se tash janë precizuar disa detaje më tepër. Po shitet dy herë i njëjti sen”, ka thënë Spahiu.
Ndërkohë, Raportuesi për Serbinë ne Parlamentin Europian, Jelko Kacin ka përshëndetur vendimin e qeverisë serbe për pjesëmarrjen ne tkaimet rajonale dhe ka thënë se me këtë Serbia ka dërguar një “porosi pozitive në rajon dhe në Evropë”.