Ivanov: Sllupçani dhe riemërtimi i shkollave shqipe, politikë ditore

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov sërish ka komentuar mosmarrëveshjet e fundit të partnerëve të koalicionit qeveritar, pas ngjarjes në Sllupçan dhe rastin më të ri të vendosjes së tabelave me emrat e rinj në disa shkolla në komunën e Çairit.
Homazhet në varrezat e UÇK-së në Sllupçan dhe riemërtimin e shkollave shqipe në Komunën e Çairit, presidenti i vendit i quan politikë ditore, ndërsa fton politikanët që të jenë të përgjegjshëm dhe të punojnë në interes të qytetarëve të vendit.
"Kemi institucione dhe ato duhet të funksionojnë dhe të ndërmarrin atë që është në kompetencat e tyre. Ajo është politikë ditore, t`i lëmë partnerët e koalicionit të gjejnë zgjidhje", tha presidenti Ivanov.
Presidenti Ivanov ka folur edhe për procesin euro-integrues të Republikës së Maqedonisë. Ai u shpreh se, pret raport pozitiv nga Komisioni Evropian për përparimin e Maqedonisë për vitin 2012 dhe datë për fillim të negociatave nga Këshilli i BE-së në dhjetor të këtij viti.
"Kjo është vizitë e zakonshme në Bruksel para sjelljes së raportit për të cilin të gjithë presim të jetë pozitiv. Reformat japin rezultate. Atë e vlerëson Komisioni evropian. Sipas tërë asaj që është bërë, mendoj se ky raport do të jetë pozitiv dhe se përfundimisht në dhjetor do ta marrim atë që e presim aq shumë - fillimin e negociatave. Ne me Dialogun e nivelit të lartë me të vërtetë hyjmë në hapjen e kapitullit, por presim atë që çdo vend i cili është kandidat e pret - datë për fillim të negociatave", tha Ivanov pas vizitës në Këshillin për radiodifuzion, ndërkaq para nisjes për në Bruksel, ku do të ketë takime me përfaqësuesit e lartë të BE-së dhe të NATO-së.
Shefi i shtetit, duke folur për çështjen për emrin, tregoi për vizitën e paradokohshme në Maqedoni nga ana e sekretarit të përgjithshëm të KB-së, Ban Ki-mun, i shoqëruar nga ndërmjetësi në bisedimet për emrin, ambasadori Methju Nimic, duke e vlerësuar si takimin e parë përmbajtësor të llojit të tillë.