Lirimi i oficerit të Azerbajxhanit, shtohen polemikat mes shteteve

Bashkimi Europian ka shprehur shqetësimin lidhur me rastin e lirimit të oficerit të Azerbejxhanit Ramil Safarov. Maja Kocijançiç, zëdhënëse e shefes së BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Ketrin Eshton, tha se BE po përcjell nga afër rastin e Ramil Safarovit, i cili ishte i dënuar me burg të përjetshëm për shkak të vrasjes së një oficeri armen, por u fal nga presidenti i Azerbejxhanit pas ekstradimit nga Hungaria.
“Ne po përcjellim situatën nga afër dhe jemi në kontakt me të gjitha palët për të marrë më shumë informacione. Jemi në veçanti të shqetësuar me ndikimin e mundshëm që këto zhvillime mund të kenë në rajonin e gjerë, prandaj i bëjmë thirrje Azerbejxhanit dhe Armenisë që të përmbahen nga deklaratat publike, në mënyrë që të mos përshkallëzojnë situatën”, tha Kocijançiç.
Nga ana tjetër Ministria e Jashtme e Rusisë ka kritikuar Azerbejxhanin dhe Hungarinë lidhur me këtë rast. Një deklaratë e publikuar në faqen e internetit të Ministrisë thotë se lirimi i Ramil Safarovit bie ndesh me përpjekjet ndërkombëtare që kanë për qëllim uljen e tensioneve në mes të Azerbejxhanit dhe Armenisë.
Safarov është dënuar në vitin 2006 nga një Gjykatë e Budapestit, pasi që pranoi se e kishte vrarë oficerin armen Gurgen Markarianin, derisa të dytë po mirrnin pjesë në një trajnim të organziuar nga NATO-ja në vitin 2004 në Hungari.
Më 31 gusht Hungaria e ktheu Safarovin në Azerbejxhan pasi që mori garanci nga Baku se dënimi i tij do të vazhdonte.Por, presidenti i Azerbejxhanit, Ilham Alijev, e amnistoi Safarovin pas arritjes në Baku. Armenia ka protestuar ndaj lirimit dhe ka pezulluar marrëdhëniet diplomatike me Hungarinë.