Mediu, prokuroria gati të rikërkojë mandatin nga parlamentiNga Tema Prokuroria e Përgjithshme pritet që t’i kërkojë parlamentit për herë të dytë imunitetin e Fatmir Mediut, dosja penale ndaj të cilit u pushua pak ditë më parë nga Gjykata e
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Mediu, prokuroria gati të rikërkojë mandatin nga parlamentiNga TemaProkuroria e Përgjithshme pritet që t’i kërkojë parlamentit për herë të dytë imunitetin e Fatmir Mediut, dosja penale ndaj të cilit u pushua pak ditë më parë nga Gjykata e Lartë. Burime pranë prokurorisë thanë se janë duke u shqyrtuar të gjitha hapësirat dhe mundësitë ligjore, me qëllim rikthimin në bankën e të akuzuarit të Mediut. Në fakt, të gjithë juristët dhe ekspertët ligjorë janë shprehur se ekzistojnë mundësitë që Mediu të gjykohet, madje, sipas tyre, pushimi i dosjes së tij ka qenë një keqinterpretim i Kushtetutës nga Gjykata e Lartë. Për këtë arsye, eksperti ligjor i PS, Ylli Manjani, kërkoi nga parlamenti shkarkimin e gjyqtarëve që votuan pro mbylljes së dosjes penale të Fatmir Mediut. Sipas burimeve të prokurorisë, për të kthyer edhe një herë në gjykatë dosjen penale të Mediut, prokuroria do t’i referohet nenit 292 të Kodit të Procedurës Penale, i cili në dispozitën e tij ka të përcaktuar edhe rastet kur mund të ri-kërkohet heqja e imunitetit për personat, për të cilët ka një vendim pushimi, siç është edhe rasti i ministrit të Mjedisit. Në këtë dispozitë thuhet se, “vendimi i mos-fillimit të procedimit, i pushimit ose i pafajësisë së dhënë për shkak të mungesës së ankimimit ose të kërkesës së autorizimit për procedim, nuk pengon ushtrimin e ndjekjes penale për të njëjtin fakt dhe kundër të njëjtit person, në qoftë se më pas bëhet ankimimi, jepet autorizimi ose zhduket kushti personal që e bënte të domosdoshëm autorizimin”. Këto burime thanë se megjithatë ende nuk është marrë një vendim për dërgimin e kërkesës së ri-kërkimit në parlament të imunitetit të Mediut. Këta të fundit janë duke pritur zbardhjen e vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhe më pas pritet që të vendosin se si do të procedojnë më tej. Megjithatë, vetëm një ditë pas pushimit të dosjes penale të Mediut nga Gjykata e Lartë, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, nuk la të kuptohej se organi i akuzës kishte ndërmend që të kërkonte sërish në Kuvend imunitetin e ish-ministrit të Brendshëm. Në fakt, përveç organit të akuzës, edhe familjarët e viktimave të Gërdecit janë shprehur se do të kërkojnë rihapjen e procesit gjyqësor ndaj Mediut dhe nëse kjo gjë nuk realizohet, ata do të hyjnë në grevë urie. “Do të vazhdojmë me hapat tona, do të kërkojmë një hapësirë ligjore për të rihapur çështjen. Në rast se nuk do të gjejmë mbështetjen e shtetit, do të hyjmë në greve urie”, - thanë familjarët e viktimave të 15 marsit. Ata thonë se nuk kërkojnë gjë tjetër nga shteti, veçse drejtësi dhe ndëshkim të atyre që u morën jetën djemve, vajzave, nipërve dhe prindërve gjatë shpërthimit tragjik në Gërdec.
Ekspertët ligjorë
Vetëm tri ditë më parë, eksperti ligjor në Partinë Socialiste, Ylli Manjani, kërkoi që gjyqtarët e Gjykatës së Lartë që pushuan dosjen penale ndaj Fatmir Mediut, të pushohen nga ana e parlamentit. “Gjyqtarët që lejuan pushimin e dosjes penale ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i akuzuar si përgjegjës për vdekjen e 26 personave në tragjedinë e Gërdecit, duhet të shkarkohen nga parlamenti”, - tha Manjani. Kjo gjë, sipas Manjanit, i takon parlamentit, me qëllim që t’i dëshmojë gjithë shqiptarëve se politika ka vullnet për të vendosur drejtësi, aq e kërkuar nga qytetarët. “Në këto kushte, i takon parlamentit që të nisë procedurat e shkarkimit të atyre anëtarëve të Gjykatës së Lartë që e kanë shkelur rëndë Kushtetutën”, - thotë Manjani. Gjithashtu, sipas Manjanit, ky është momenti për të treguar se qeveria e ka seriozisht luftën ndaj krimit dhe pavarësinë e gjyqësorit, aq të trumbetuar nga kjo e fundit. Por, duke lënë mënjanë këtë të fundit, Manjani u shpreh se është detyrë e opozitës që të kërkojë në Kuvend shkarkimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të cilët pushuan dosjen ndaj Fatmir Mediut. “Askush nuk mund të ketë imunitet dhe i takon Partisë Socialiste të çelë një hetim parlamentar, ndërsa qeveria duhet të japë konsensus”, - tha Manjani. Sipas tij, është i papranueshëm fakti që kjo gjykatë lejoi mbylljen e një prej dosjeve më të rënda gjatë këtyre viteve, duke mos shqyrtuar akuzat e ngritura ndaj Fatmir Mediut. Manjani tha se Gjykata e Lartë ka shkelur rëndë Kushtetutën në rastin e pushimit të dosjes penale ndaj Mediut, gjë që në fakt e ka bërë edhe herë të tjera. Pushimi i dosjes penale ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i akuzuar për tragjedinë e Gërdecit, sipas konstitucionalistëve, ka qenë një keqinterpretim i Kushtetutës nga Gjykata e Lartë. Sipas tyre, imuniteti e mbron deputetin për çështjet që janë nën hetim, dhe jo kur ato janë në gjykim. Ata shprehen se ekzistojnë hapësira ligjore për të rihapur çështjen. Juristët shprehen se, një nga rrugët për ta gjykuar Mediun është ankimimi në Gjykatën Kushtetuese nga palët e interesuara në proces apo një grup deputetësh, që mund të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese.