E Shtunë, 31 Tetor 2026

"E vrava se më shfrytëzonte mbesat si prostitutë"

"E vrava se kishte dy vjet që më shfrytëzonte mbesat. E kisha paralajmëruar shumë herë, por ajo bënte të njëjtën gjë. Vura nderin në vend të vet. Nëse do të ngjallej, do të bëja të njëjtin veprim. Më vjen keq vetëm për babanë, që e kam me një këmbë në varr dhe është vetëm në shtëpi, për asnjë tjetër nuk më vjen keq". Kështu është shprehur dje, para togave të zeza të Vlorës, Shezai Zhebaj, 45-vjeçari që vrau mesditën e së martës së kaluar, një grua 50-vjeçare. Mëngjesin e djeshëm, nën masa të forta policore, ai është paraqitur në Gjykatën e Shkallës së Parë të Vlorës, për të marrë masën e sigurisë. Prokurori i çështjes, Skënder Dauti, ka ndërtuar para trupit gjykues skenën e krimit të ndodhur në një lokal në lagjen "28 Nëntori" të qytetit të Vlorës. Shezai Zhebaj ka shkuar mesditën e së martës, në lokalin e marrë me qira nga viktima, Stoli Sheraj, dhe e ka vrarë atë me gjakftohtësi. 45-vjeçari ka qëlluar tetë herë mbi viktimën dhe ekspertiza mjekoligjore ka konstatuar se 50-vjeçarja kishte dy plumba në kokë, dy në kraharor dhe katër të tjerë në pjesën e barkut. Më pas, akuza ka shtuar se vrasësi, pasi ka kryer krimin e paramenduar, ka ecur në këmbë për 100 metra deri sa ka dalë në rrugë kryesore, ku ka rrëmbyer një person nën kërcënimin e armës dhe pasi i ka rrëmbyer makinën, i ka vjedhur celularin dhe një shumë të hollash që ai kishte me vete. Ai është kapur nga policia në një nga lokalet e fshatit Kalivaç, ku ishte ulur për t‘u çlodhur. 45-vjeçari Zhebaj ka deklaruar se më pas do të nisej për në Vlorë duke kaluar lumin e Vjosës dhe do të dilte në Shkozë, një fshat i Vlorës në kufi me Tepelenën. Pas detajimit të akuzave, prokurori ka kërkuar lënien në burg të Shezai Zhabajt, ndaj të cilit rëndojnë katër akuza: "vrasje me paramendim", "marrje peng", "vjedhje" dhe "armëmbajtje pa leje". Ndërkaq avokati mbrojtës i 45-vjeçarit, Ardian Dauti, ka deklaruar se klienti i tij ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike në momentin e vrasjes, çka duhet parë si kusht lehtësues për të. Por me gjithë përpjekjet e palës mbrojtëse për të lehtësuar rrethanat e krimit, Zhabaj nuk ka shfaqur kurrfarë pendimi dhe ka deklaruar para trupit gjykues se do ta vriste Stoli Sheraj, pa e menduar dy herë. "I jam drejtuar të gjitha instancave, policisë, prokurorisë, kam gati dy vjet dhe nuk kam marrë asnjë masë ndaj asaj që më shfrytëzonte vajzat e motrës. E kisha paralajmëruar shumë herë, por ajo bënte të njëjtën gjë. E shkëputa njëherë time mbesë prej saj, por ajo vazhdonte të komunikonte me të. Vura nderin në vend vet. Po të ngjallej dhe një herë, do të bëja të njëjtin veprim, do të merrja armën dhe do ta vrisja. Më vjen keq vetëm për babanë, 84 vjeç, që e kam me një këmbë në varr dhe është vetëm në shtëpi, për asnjë tjetër nuk më vjen keq", ka deklaruar para togave të zeza Zhabaj.
Pas dëgjimit të palëve, trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Hektor Sinani, deklaroi se arrestimi i Zhabajt është i ligjshëm dhe ai do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve. Stoli Sheraj, 50 vjeç, nënë e dy fëmijëve, u vra me tetë plumba mesditën e së martës, në lokalin e saj në lagjen "28 Nëntori" të qytetit të Vlorës. Vrasësi, Shezai Zhabaj, deklaroi pas arrestimit se e kishte kryer krimin për të vënë nderin e familjes në vend. Sipas tij, viktima shfrytëzonte si prostituta dy vajzat e motrës së tij, e cila ishte e divorcuar. Ndërkaq mësohet se Zhabaj ka jetuar për disa vjet në Itali, ku bashkëjetonte me një shtetase italiane. Ai është dënuar në Itali me 4 vjet heqje lirie, për tregtim të lëndëve narkotike. Pas kryerjes së dënimit ai u kthye në atdhe dhe jetonte vetëm me të atin 84 vjeç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›